Anti-Malta, sulmi “buka e vjetër”
Me dy kapitenët e Kombëtares jashtë liste për shkak të dëmtimeve, Altin Lala e Lorik Cana, dhe me dy tjerë të “harruar”, si Edmond Kapllani e Jahmir Hyka, trajneri Ari Han “stiloi” një listë prej 19 lojtarësh kundër Maltës, sipas tij, të aftë për të sjellë në Shqipëri “tri pikë të mëdha”, përpara se përfaqësuesja të përballet me Hungarinë, më 28 mars 2009. Shqipëria A, befasuese në katër ndeshjet e para (1 fitore, 2 barazime, 1 humbje), synon në përballjen e dytë me Maltën - pikërisht ndaj saj ka fituar 3-0 në “Qemal Stafa” - marrjen e pikëve të plota, ashtu si bëri me dy fitore ndaj Luksemburgut në eliminatoret e Kampionatit Europian 2008 nën drejtimin e 75-vjeçarit Oto Bariç, trajnerit më të moshuar në botë. Lista e dytë “anti-Maltë” e Ari Hanit nuk lë vend për shumë surpriza, pasi dy fytyrat e reja, në ndryshim me atë të përpiluar për ndeshjen e 9 shtatorit të vitit të kaluar, janë Gilman Lika i Hacetepesë në Turqi dhe Xhevair Sukaj, i larguar nga Hacetepeja. Gjithsesi, të dy shkodranët e talentuar ishin pjesë e fushatës “anti-Azerbajxhan”. Në repartin e sulmit spikat “buka e vjetër”: Erjon Bogdani (48 ndeshje, 9 gola), Besart Berisha (12 ndeshje, 2 gola), Hamdi Salihi (10 ndeshje, 1 gol) dhe Xhevair Sukaj (1 ndeshje, 0 gola). “Kuarteti” i vijës së parë ka në gjirin e saj Erjon Bogdanin, golashënuesin e dytë më të mirë në grupin aktual (9 gola), lojtarin që ka shënuar 1 gol në fitoren 3-0, por 3 në total kundër maltezëve. Holandezi Ari Han, trajneri i pestë i Kombëtares shqiptare që do të përballet me Maltën, nuk preferoi të thërriste as sulmuesin Migen Memelli (golashënuesin më të mirë aktual sezonal) dhe as mbrojtësin Nevil Dede (një nga më cilësorët e kampionatit shqiptar). Megjithatë, kampionati shqiptar përfaqësohet me gjashtë lojtarë, ku Tirana e Vllaznia kanë nga dy lojtarë, respektivisht Lilën e Agollin dhe Beqirin e Sukaj. Elbasani me Vrapin dhe Dinamo me Bakajn kompletojnë futbollistët nga Kategoria Superiore.
LISTA E KOMBËTARES ANTI-MALTË
11 shkurt 2009
Portierë
1.Arjan Beqaj (Anorthosis, Qipro)
2.Isli Hidi (Alki?, Qipro)
3.Saimir Ujkani (Palermo, Itali)
Mbrojtës
4.Armend Dallku (Vorskla, Ukrainë)
5.Kristi Vangjeli (Aris, Greqi)
6.Debatik Curri (Vorskla, Ukrainë)
7.Endri Vrapi (Elbasani, Shqipëri)
8.Andi Lila (Tirana, Shqipëri)
9.Elvin Beqiri (Vllaznia, Shqipëri)
Mesfushorë
10.Klodian Duro (Omonia Nik, Qipro)
11.Ervin Skela (E.Kotbus, Gjermani)
12.Ansi Agolli (Tirana, Shqipëri)
13.Elis Bakaj (Dinamo, Shqipëri)
14.Ervin Bulku (Krivbas Krivi,Ukrainë)
15.Gilman Lika (Hacettepe, Turqi)
Sulmues
16.Erjon Bogdani (Kievo, Itali)
17.Besart Berisha (AC Horsens, Danimarkë)
18.Xhevair Sukaj (Hacetepe, Turqi)
19.Hamdi Salihi (SV Ried, Austri)
Ekipi P ND F B H GSH GP
Danimarka 7 3 2 1 0 6 2
Hungaria 7 4 2 1 1 4 2
Portugalia 5 4 1 2 1 6 3
Shqipëria 5 4 1 2 1 3 2
Suedia 5 3 1 2 0 2 1
Malta 0 4 0 0 4 0 11
7 Shkurt 2009