Ari Han: “Do të luajmë për të fituar”
Si një profesionist i vërtetë dhe me një “llogaritar” i mirë, trajneri i përfaqësueses shqiptare, holandezi Ari Han, e përshkroi vitin e tij të parë me kuqezinjtë, 2008-n, si të suksesshëm, ndërsa shprehu bindjen se dhe 2009-a do të ketë të njëjtat ngjyra rozë. “Nëse nuk ëndërron në jetë, është njësoj sikur nuk jeton. Edhe unë kam ëndrrat e mia, dhe ato lidhen me futbollin. Shqipëria në Botërorin 2010? Këtë përgjigje mund ta them vetëm pasi të mbyllim ndeshjen me Maltën”, - tha duke qeshur Han gjatë konferencës së tij për shtyp në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Futbolli jeton në Shqipëri”
Han e vlerësoi me optimizëm praninë e jashtëzakonshme të medias në konferencën e tij për shtyp. “Kjo do të thotë se futbolli në Shqipëri jeton”, - tha ish-trajneri i Kinës aziatike dhe Kamerunit afrikan. “Dëshiroj t’i kthehem pak së shkuarës sime me Kombëtaren shqiptare, vitit 2008, duke i bërë atij një përmbledhje. E fillova punën me grumbullimin në Turqi. Më ndihmoi për të krijuar përshtypjen e parë për kualitetin e futbollistëve shqiptarë, duke krijuar edhe idenë fillestare për futbollin shqiptar. Kjo më ndihmoi që në vazhdimësi të punoj mirë”.
“Nuk filloi mirë”
“Ju e dini shumë mirë që futbolli shqiptar në arenën ndërkombëtare e nisi vitin me shumë probleme, për shkak të pezullimit nga FIFA. Kjo situatë për mua nuk ishte e favorshme”, - theksoi dy herë nënkampioni i botës me Holandën. “Pasi nuk munda të organizoj gjatë asaj kohe asnjë ndeshje testuese, sepse ato u ndaluan, duke humbur miqësoret me Moldavinë dhe Arabinë Saudite. Për fat të mirë problemet u zgjidhën, pavarësisht se zgjati shumë në kohë, teksa rrezikuam të mos zhvillonim edhe miqësoren me Poloninë (humbëm 0-1, 27 maj 2008). Edhe kundërshtarët tanë nuk ishin të sigurt atëherë, nëse ne do të luanim kundër tyre, apo jo”.
“Vit i suksesshëm”
“I parë në tërësi, vitin 2008 mund ta konsideroj një vit të suksesshëm, duke e parë atë me kënaqësi. Fituam ndeshjen miqësore me Lihtenshtejnin (fituam 2-0, 20 gusht 2008 ). Kjo ishte e rëndësishme për lojtarët, për besimin që ata krijuan në veten e tyre, pasi kishte kohë që Shqipëria nuk fitonte (miqësorja me Maltën, 3-0, 22.08.2007). Kjo na dha një shtytje të re për t’i filluar mirë eliminatoret. Morëm katër pikë në dy ndeshjet e para (barazim 0-0 me Suedinë, fitore 3-0 me Maltën). Për fat të keq, në Hungari humbëm (2-0), edhe pse 45 minutat e para luajtëm shumë mirë (0-0)”, - tha Han, duke rishprehur keqardhjen për humbjen në Budapest, sidomos përballë teknikut tjetër holandez, Ervin Koeman.
“Treguam se kemi skuadër”
“Më pas erdhi Portugalia (0-0), - vazhdoi rrëfimin e tij kampioni i madh i Ajaksit, - ku skuadra shqiptare dëshmoi karakter të madh, mentalitet të mirë, duke treguar se ishte një ekip i vërtetë. Secili nga lojtarët u mundua, sidomos në 45 minutat e dyta, kur skuadra mbeti me dhjetë lojtarë pas largimit të Admir Telit me të kuqe, pas dy kartonëve të verdhë. Njëra prej tyre ishte e pamerituar. Pati një eufori të madhe pas kësaj ndeshjeje. Ndeshja miqësore me Azerbajxhanin (1-1, në Baku) pati dhe skena të paturpshme nga gjyqtari, pasi luajtëm në pjesën e dytë me 10 lojtarë (Beqiri u ndëshkua me karton të kuq)”.
“Gjithçka është e mundshme”
“Më e rëndësishmja që unë dua të them nga dy ndeshjet e fundit është fakti se treguam karakter dhe besoj se e ardhmja, që është dhe më e rëndësishmja, dëshmoi se ne jemi të bindur pas dy ndeshjeve në fushë të huaj, jemi të aftë të përballojmë kundërshtarin, kur shikon se të gjithë i ke kundër teje e sjell në shtëpi rezultatin që dëshiron, atëherë e them se këto cilësi skuadra duhet t’i përsërisë edhe në vitin 2009. Gjithçka është e mundshme për Shqipërinë nëse do të tregojmë të njëjtin mentalitet dhe motivim. Duhet të besojmë shumë tek këta lojtarë”, - shtoi Han.
“Malta, jo e lehtë”
“Kemi ndeshjen e parë kundër Maltës. Nëse dikush mendon se në do të fitojmë lehtësisht 2-0 apo më thellë, unë nuk e mendoj kaq të thjeshtë punën. Edhe ndeshja kundër Maltës në Shqipëri, edhe pse përfundoi 3-0, nuk ishte aq e lehtë sa tregon rezultati, duke parë dhe zhvillimin e takimit në fillim të pjesës së parë dhe të dytë. Gjithsesi, unë them, - theksoi Han, - se viti 2009, me këtë skuadër, ashtu si ajo është ndërtuar, me lojtarë që e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit, duhet të vazhdojmë më tej për të arritur rezultate të mira”
7 Shkurt 2009