Han: “Edhe unë e kam ëndërr Botërorin”
Dash Frashëri
“Nuk dëshiroj ta cilësoj një humbje me Maltën si një shkatërrim. Ne nuk duhet të mendojmë se Shqipëria është Spanja, Italia apo Holanda, që mund ta fitojnë këtë takim shumë lehtë, 2 apo 3-0”, - tha Han gjatë pyetjeve të gazetarëve. Edhe pse përflitej gjerësisht në media se trajneri Ari Han do të përfshinte në listë golashënuesin më të mirë aktual të kampionatit shqiptar, sulmuesin e Tiranës, Migen Memelli (20 gola në dy kompeticionet), tekniku holandez nuk e preferoi goleadorin e bardhebluve. Madje as mbrojtësi Nevil Dede nuk u përfshi në listën kundër Maltës. Trajneri Han dha shpjegime për gjendjen e lojtarëve, mobilizimin e tyre.
Ju nuk keni grumbulluar golashënuesin më të mirë të kampionatit shqiptar. A keni ndonjë argument për këtë?
Unë kam grumbulluar 19 lojtarë, po të kisha në dispozicion 22-23 lojtarë, ndoshta edhe mund të ishte. Nga ana tjetër, dua të them se lojtarët që duhet të futen në Kombëtare duhet të bindin plotësisht. Gjithmonë ka lojtarë të tillë që dalin, por kë duhet të heq nga lojtarët: Bogdanin, Salihin, Berishën, Sukajn? Unë e kam parë (Migen) Memellin në muajin dhjetor, kur ai bëri tre gola (kundër Flamurtarit) dhe më pëlqeu, por edhe (Xhevair) Sukaj shënoi tre gola të shtunën e kaluar. Për këta lojtarë dera është e hapur.
A do ta konsideronit çdo rezultat, përveç fitores me Maltën, si një disfatë?
Nuk dëshiroj ta cilësoj një humbje me Maltën si një shkatërrim. Ne nuk duhet të mendojmë se Shqipëria është Spanja, Italia apo Holanda, që mund ta fitojnë këtë takim shumë lehtë, 2 apo 3-0. Unë besoj se do të jetë një ndeshje e vështirë. Pas takimit mund të them se bëmë një ndeshje të mirë, nuk morëm atë që dëshironim. Unë dua të theksoj se ne do të luajmë për të fituar, megjithëse ne e dimë që Malta mendon nga ana e saj se mund të marrë pikë vetëm kundër Shqipërisë. Motivimi i tyre do të jetë 200 për qind. Kjo do të thotë që dhe ne duhet të mobilizohemi 200 për qind.
Sa i rëndësishëm është fakti që Shqipëria nuk është mësuar të luftojë në nivele të larta për një kohë të gjatë? A ka frikë Hani se mund të “tradhtohet” nga lojtarët?
Ah, po! Ju mendoni ndeshjet me Bjellorusinë e Rumaninë. Kjo është shumë e vështirë për ta thënë. Edhe në futbollin e kohës sime kjo ndodhte shpesh. Këto gjëra duhet t’i pranosh dhe t’i njohësh. Unë kam punuar në Kinë dhe e di mirë saktësisht prej gazetave se si kishte qenë situata atje. Ky është në princip, një çështje shumë serioze dhe duhet parë me seriozitet. Unë shpresoj dhe besoj se te kjo skuadër nuk do të ndodhin gjëra të tilla. Unë besoj se skuadra është rritur kohët e fundit. Në skuadër nuk ka më lojtarë të veçantë, por një grup të mirë lojtarësh, që e njohin mirë njëri-tjetrin dhe për këtë unë nuk kam frikë.
Ju thatë me të drejtë se ndeshja e parë ndaj Maltës ishte e vështirë. Tani do të luajmë në fushën e tyre, por pa Canën e Lalën.
Ne do të luajmë me lojtarët që kemi në dispozicion. Nuk ka vlerë tani të flasim për Canën e Lalën kur ata nuk do të luajnë. Unë besoj se do ta gjejmë zgjidhjen tonë më të mirë. Nuk shqetësohem për lojtarët që nuk janë në këtë takim.
Sulmi shqiptar ka shënuar vetëm 1 gol nga 3 që ka shënuar Shqipëria. Bogdani nuk shënon prej kohësh në kampionatin italian, Berisha tani është sistemuar në një ekip të ri, Salihi është i vetmi që ka shënuar në Austri. Si mund ta zgjidhni këtë problem për të gjetur një goleador?
Në përgjithësi nuk ka të bëjë më goleadorët. Unë besoj se nëse Bogdani apo Salihi, po të luanin në Shqipëri, do të shënonin shumë gola. Unë mendoj një skuadër të tërë. Sa e fortë është kjo. Sa bind ajo, sa shanse krijon. Edhe një golashënues nuk mund të shënojë kur nuk i krijohen raste.
Me mungesën e Canës dhe Lalës mos duhet që një lojtar si Curri të marrë rolin e tyre në mesfushë?
E di që Curri do të luante me qejf në mesfushë, por nuk duhet të dobësojmë mbrojtjen. Duhet të jemi solidë atje. Nga ana tjetër, nuk jam komplet i bindur, pasi e kam provuar atje kundër Lihtenshtejnit. Unë e kam pyetur atë, dhe atij i pëlqen më shumë në krahun e majtë të mbrojtjes. Duhet të kemi një stabilitet të mirë të mbrojtjes. I kam në kokë lojtarët, të cilët do të luajnë në rolet e Canës dhe Lalës. I kam provuar në ndeshjen kundër Azerbajxhanit. Arsyeja që unë shkova në Lushnjë ishte për të parë lojën e Endri Vrapit, dhe jo Deden. Nevil Deden e kisha parë dy herë në Kinë dhe e pashë dhe në Lushnjë.
Paraardhësi juaj, Oto Bariç, e konsideronte si zbulim të tijin Berishën dhe Hykën. Po ju, a konsideroni ndonjë lojtar si zbulimin tuajin?
Nuk do ta konsideroja kështu. Unë e shoh skuadrën. Por mund të them se kam sjellë në ekip Andi Lilën, Gilman Likën, Xhevair Sukajn, Elis Bakajn, Samir Ujkanin. Nuk do të thosha kurrë që unë kam zbuluar atë apo këtë. Unë jam trajner i një skuadre.
Portieri Beqaj është i dëmtuar. A keni krijuar një ide se kush do të luajë në vendin e tij?
Po, për këtë kam thirrur tre portierë. Do të krijoj një ide për gjendjen e Beqajt, pastaj do të vendos.
A është për një ju një avantazh që Malta ka dy lojtarë kryesorë të dëmtuar, Mifsud e Bogdanoviç?
Bogdanoviç është një lojtar i mirë, ndërsa Mifsud është një futbollist akoma dhe më i rëndësishëm për Maltën. Por unë besoj se të gjithë maltezët do të bëjnë ç’është e mundur për të marrë rezultat pozitiv. Edhe ne kemi lojtarë që nuk na luajnë.
Nëse do të fitojmë më Maltën, Shqipëria do të ishte në vendin e parë. Kështu ne mund të vazhdojmë të ëndërrojmë për një kualifikim. A është kjo dhe ëndrra e Hanit me këtë Kombëtare?
Gjithmonë ka një por dhe kur. Na lini të presim deri të mërkurën. Pas ndeshjes me Maltën mund të japim një përgjigje të mirë. Kush nuk jeton ëndrrën e tij, ai nuk jeton fare. Dhe unë kam shumë ëndrra, një nga këto ka të bëjë me futbollin.
7 Shkurt 2009