Trajtimet, si ta rikthesh në formë lëkurën e yndyrshme
Lëkura e yndyrshme njihet në shikim të parë. Ajo është elastike, u reziston mjaft mirë shenjave të kohës, por ka pore të zgjeruara dhe shpesh një ngjyrë të zbehtë. Për shkak të një super aktiviteti të gjëndrave të yndyrës, lëkura e yndyrshme duket gjithnjë me shkëlqim. Megjithëse kjo lloj lëkure ka një epidermë të shëndetshme, ajo ka nevojë për kura të kujdesshme, që të evitohen karakteristikat e saj negative, të cilat keqësohen me kalimin e kohës. Ndiqni këshillat praktike që japin estetistët për ta kthyer lëkurën në formën e duhur.
Pastrim delikat
Më shumë se çdo tip tjetër lëkure, ajo e yndyrshmja ka nevojë për një pastrim të kujdesshëm. Tepria e yndyrës, në fakt, nëse nuk largohet, tenton të mbushë poret dhe të pengojë oksigjenimin e duhur të qelizave të lëkurës. Por pastruesi nuk duhet të jetë agresiv, ose ndryshe rrezikojmë ta thajmë më tepër lëkurën dhe të stimulojmë gjëndrat e yndyrës të prodhojnë më tepër, duke e keqësuar gjendjen.
Ideal për pastrim është një produkt delikat, i formuar me produkte me veprim qetësues, pastrues, lehtësisht shtrëngues, që duhet përdorur si në mbrëmje për të hequr makijazhin dhe papastërtitë, si dhe në mëngjes për të eliminuar nivelin e lehtë të yndyrës, që është formuar gjatë gjumit. Kurse për një pastrim të thellë është e nevojshme të bëjmë të paktën një herë në muaj një maskë pastruese, më mirë nëse është me bazë argjile. Në fillim ekspozojeni fytyrën ndaj avullit të ujit, në mënyrë që të hapen poret dhe më pas të aplikohet maska që lihet të veprojë për 15 minuta. Kjo hapësirë kohe i lejon argjilës të thithë papastërtitë dhe yndyrën e tepërt. Për të hequr maskën, mjafton ta shpëlani me ujë të bollshëm dhe të vakët.
Toniku
Pastruesi tonik që përdoret në mbrëmje shërben për të plotësuar gjestet e pastrimit, pasi largon mbeturinat e fundit të papastërtive dhe eliminon mbeturinat e detergjentit të ngelur në fytyrë. Ndërsa në mëngjes rizgjon epidermën, i jep lëkurës ton dhe freski. Duke tamponuar fytyrën me një pambuk të njomur me tonik, para makijazhit, mbahet nën kontroll lyrësia që karakterizon lëkurat e yndyrshme dhe që dëmton qëndrimin e trukut. Nëse lihet pas dore, lëkura e yndyrshme mbulohet me pika të zeza dhe puçrra. Me kalimin e kohës, në fakt, paretet e poreve dobësohen dhe ngadalësohet ndërrimi qelizor, me pasojë shtimin e qelizave të vdekura. Këto të fundit veprojnë si një tapë: duke burgosur yndyrën nën lëkurë i japin jetë një pike të zezë. Nëse kjo infektohet për shkak të baktereve prezente, në lëkurë formohet puçrra që duhet trajtuar me produkte antibakterike dhe antiseptike.
Hidranti
Sado e çuditshme që mund të duket, lëkurat e yndyrshme vuajnë shpesh nga dehidratimi. Lyra e lëkurës, në fakt, varet nga një tepri yndyre dhe nuk ka të bëjë me sasinë e ujit në organizëm. Është për t’u theksuar që kush ka lëkurë të yndyrshme tenton të mos e hidratojë sa duhet, sepse nuk ndien atë tension tipik të shkaktuar nga thatësia e lëkurës që kujton se produktet njomësues rrisin lyrën e epidermës. Përkundrazi, përdorimi i rregullt i një emulsioni hidrant kontribuon për të normalizuar funksionet e lëkurës dhe për të luftuar efektin shkëlqyes.
Çfarë duhet bërë
Për të mbajtur nën kontroll yndyrën e lëkurës vendosni në fytyrë një kub akulli, pastaj përhapni një xhel hidranti
Si bazë për makijazh zgjidhni një krem jo të yndyrshëm që do ta përhapni me një sfungjer pakëz të njomë
Për ta pakësuar (hequr shkëlqimin) përdorni pudrën pluhur: me një sfungjer pudrosni fytyrën dhe pastaj eliminoni tepricën me një penel të madh
Përdorni sipas preferencës produkte pastruese dhe losione tonifikuese me formula vegjetale: veprimi i tyre është më delikat dhe tolerohen më mirë prej lëkurës
Çfarë nuk duhet bërë
Puçrrat dhe pikat e zeza nuk duhet kurrë të shtrydhen: presioni favorizon përhapjen e mikrobeve dhe baktereve, pra zhvillimin e tyre
Mos iu dorëzoni dëshirës për t’u nxirë. Dielli, që në momentin e parë e than lëkurën, me kalimin e kohës keqëson situatën pasi trash lëkurën, provon një rritje të qelizave të vdekura, favorizon puçrrat dhe pikat e zeza
Evitoni tepritë e kozmetikës, doza e tepërt e kremrave dhe losioneve mund të mbyllin poret dhe të pengojnë oksigjenimin e qelizave
Mos përdorni pudër kompakte për të hequr efektin e lyrshëm: pudra kompakte përzihet me lyrën e lëkurës duke keqësuar situatën. Më mirë një tonik ëmbëltues.
Funksionet e përbërësve antiyndyrorë kozmetikë
Ekstrakti Guggal: është një rrëshirë që ekuilibron funksionet e lëkurës, ka aftësi antioksiduese dhe antiinflamatore dhe normalizon aktivitetin e gjëndrave të yndyrës
Retinol Linoleato: derivat i vitaminës A. Ka strukturë identike me atë të lëkurës. Favorizon eliminimin e qelizave të vdekura dhe kontrollon prodhimin e yndyrës
TSD: është një derivat i acidit salicilik, që lëmon dhe pastron lëkurën
Silici dhe oksidi i zinkut: i japin kontrast shkëlqimit
Vitamina C dhe E: luftojnë radikalet e lira
Ekstrakt Liquirizia (jamballi): është qetësues
Ekstrakte të kastravecit, limonit: janë shtrënguese, qetësuese, pastruese
7 Shkurt 2009