E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdha, pashë dhe pështyva mbi Kosovën!

Nga Enver Robelli

Stili i Fernando Gentilinit: në një libër ambicioz diplomati italian dhe aktualisht përfaqësues i përkohshëm i Bashkimit Evropian në Prishtinë përpiqet të shpjegojë shoqërinë shqiptare të Kosovës përmes stereotipave dhe paragjykimeve

Ballkani shikohet me përbuzje prej një Ballkani edhe më të tmerrshëm, i cili quhet Evropë

Egon Erwin Kisch, gazetar gjerman, pas një udhëtimi në Mal të Zi në vitin 1913

1.

Që nga shkatërrimi i Jugosllavisë para dy decenieve janë shkruar me qindra libra për luftën, për zgjidhjen e konflikteve, për pajtimin, për ndërtimin e demokracisë dhe për shumë çështje të tjera. Mes kësaj sasie shquhen shumë vepra me vlerë – të tilla që shpjegojnë objektivisht konfliktet ballkanike në fund të shekullit XX. Por, aty-këtu, shtëpitë botuese në Perëndim kanë botuar edhe libra mbi Ballkanin, të cilat vlojnë nga paragjykimet, mendimet kuturu, hamendjet. Vitin e kaluar në Gjermani një ish-ushtare e KFOR-it me emrin Danijela Matijeviq publikoi librin Me ferrin kisha mundur të jetoj. Në këtë copë tekst Matijeviq përmbledh kujtimet e saj nga koha kur erdhi në Kosovë, në vitin 1999, si ushtare e forcës paqeruajtëse të NATO-s. Por, këto kujtime të saj shpesh nuk përputhen me realitetin. Ajo thotë se bashkë me ushtarë të tjerë kishte aterruar në aeroportin e Tetovës. Dihet që Tetova nuk ka aeroport. Ajo shkruan se pas vdekjes së Titos në vitin 1980 nga Jugosllavia u shkëputën disa rajone. Matijeviq përmend Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Shqipërinë, Kroacinë dhe Serbinë greko ortodokse. Brenda kësaj fjalie gjenden disa gabime: së pari Shqipëria kurrë nuk ka qenë pjesë e Jugosllavisë, së dyti banorët e Serbisë nuk janë greko-ortodoks, së treti lufta në Jugosllavi nuk shpërtheu menjëherë pas vdekjes së Titos, por 11 vjet më vonë. Më tutje në librin e saj Matijeviq shkruan se ushtarët gjermanë të KFOR-it pas stacionimit në Kosovë në vitin 1999 vuanin nga uria dhe ishin detyruar të presin një qen dhe ta hanë mishin e tij. Libri i Matijeviq është demaskuar në mediat gjermane, por nuk është tërhequr nga tregu nga shtëpia botuese Heyne e Münichut.

2.

Fernando Gentilini është diplomat dhe, kuptohet, ai tregohet më i kujdesshëm në formulime. Aktualisht Gentilini është përfaqësues i përkohshëm i Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë. Në Kosovë ka shërbyer edhe gjatë vitit 2004. Në atë kohë ai, bashkë me disa zyrtarë të BE-së, ka qenë i përfshirë në një aksident trafiku në veri të Kosovës, rrethanat e të cilit kanë mbetur të paqarta. Atëbotë madje ishte bërë presion edhe nga vetë kryediplomati evropian Javier Solana që gazetat në Kosovë të mos merreshin me këtë rast. Aksidenti në veri Gentilinit i ka shërbyer si moment reflektimi. Në ato kushte të shërimit nga aksidenti ai kishte vendosur të shkruajë një libër për Ballkanin. Kështu veprojnë jo pak diplomatë dhe ardhacakë të tjerë, të cilët punojnë në misionet ndërkombëtare në Kosovë, Irak, Afganistan e gjetiu. Shpesh ata shkruajnë libra me vlerë, të cilat i ndihmojnë publikut të interesuar të kuptojë prapaskenat e politikës. Jo rrallë kujtimet e diplomatëve të pensionuar zbulojnë hollësi të vendimeve politike, të cilat hedhin dritë mbi shumë ngjarje historike.

3.

Diplomati italian Fernando Gentilini ka vendosur të mos e pres pensionimin, por të shkruajë një libër derisa është duke bërë karrierë si diplomat i BE-së në lëvizje mes Brukselit dhe thepajave të Ballkanit. I botuar në vitin 2007 në Itali dhe i përkthyer më vonë në serbisht libri Ballkani i ngatërruar përmban përsiatje, mendime, ekskursione mendore në histori, gjeografi dhe në aktualitetin politik të Ballkanit. Gentilini e quan librin e tij një udhëtim sentimental nga Prishtina në Bruksel. Që në hyrje të librit ai shkruan se është me rëndësi që në Ballkan të mos nguteni me dhënien e gjykimeve. Për fat të keq libri i tij është një shembull i gjykimeve kuturu dhe i numërimit të stereotipave. Kjo vërehet sidomos në pjesët ku ai shkruan për Kosovën. Këtë rajon ai e quan një mister, i cili do të mbetet i tillë edhe një kohë të gjatë, me histori të panjohur, me një shoqëri që funksionon në bazë të logjikës së pakuptueshme nga ana jonë. Këtu, më shumë se në çdo vend tjetër, e vërteta ka disa fytyra, është e ndërlikuar dhe vështirë mund të rikonstruohet. Fatkeqësisht Gentilini nuk përpiqet shumë të hulumtojë dhe të shpjegojë arsyet pse Kosova mbetet mister. Për të tragjedia më e madhe është që në Prishtinë pothuaj nuk ka më serbë. Sigurisht që për çdo familje serbe dëbimi me dhunë nga banesa apo shtëpia në vitin 1999 apo 2000 ka qenë fatkeqësi. Por, për të kuptuar aktet individuale të disa shqiptarëve kundër pakicës serbe duhet shpjeguar vitet 90-të, përfshirë terrorin serb, diskriminimin e gjithanshëm nga shteti serb, po, patjetër duhet sjellë në vëmendje mbishkrimin para Hotelit Grand në vitet 90-të: Ndalohet hyrja për qenë, shqiptarë dhe kroatë. Vitet e plumbta të Kosovës, pra vitet 90-të, Gentilini i kalon shkarazi, pa ndonjë interesim. Pa e njohur mirë situatën e atëhershme nuk është e mundshme të sqarohet largimi i serbëve nga Prishtina. Sikur pjesa dërmuese e tyre të mos ishin ekzekutorë vullnetarë në shërbim të regjimit të Slobodan Milosheviqit, atëherë do ta kishin më lehtë të qëndronin në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës.

4.

Në librin e tij diplomati shpreh një lloj habie që në rrugët e kryeqytetit të Kosovës gratë e martuara dalin në shëtitje me burrat e tyre. Kjo, sipas tij, është një kthesë revolucionare në raport me traditën, sipas të cilës një shqiptare e martuar duhet të rri në shtëpi. Duke lexuar këso konstatimesh lexuesi pyet veten: a mos e ka ngatërruar autori Prishtinën me ndonjë qytet në Arabinë Saudite? Që në Prishtinë femrat dalin të shëtisin vetëm ose me këdo që kanë dëshirë është një dukuri që nga fundi i viteve 60-të, kur fillon liberalizimi i Jugosllavisë dhe përparon dukshëm emancipimi i femrës. Natyrisht që jo gjithçka ka ecur mirë sa i përket emancipimit të femrës në Kosovë dhe garantimit të të drejtave të saj. Ligjet mbi barazinë mes gjinive në Kosovë nuk zbatohen si duhet. Por, të thuhet se qenkësh revolucion që bashkëshortët dalin e shëtisin në Prishtinë, siç bën Gentilini, është larg realitetit. Më i besueshëm autori është kur konstaton se pjesët rurale të Kosovës i kontrollojnë klanet e fuqishme nga familjet që kanë përfituar nga lufta. I besueshëm Gentilini është edhe kur nënvizon se në disa pjesë të Kosovës martesat ende rregullohen përmes shkuesve. Autori ia qëllon kur e quan Kosovën Gas Vegas për shkak të pompave të shumta të benzinës, ose kur e përshkruan Kosovën si parajsë për adhuruesit e kiçit. Ndërtimet pa leje, shkatërrimi i pjesëve substanciale të qyteteve, hedhja e bërllokut kudo jashtë shtëpisë dhe oborrit, mungesa e përgjegjësisë për ambientin janë fenomene kosovare, të cilat smund ti mohojë askush.

5.

Gentilini është palejueshëm sipërfaqësor kur shkruan për historinë e Kosovës. Ai përmend vitin 1690, kur patriarku Arsenije III i priu dhjetëra mijëra serbëve drejt Vojvodinës austro-hungareze. Që në mesin e të ikurve ishin edhe disa mijëra shqiptarë nga Kosova perëndimore, këtë duket se nuk e di Gentilini. Në Vojvodinë dhe në Kroaci (rrethina e Vukovarit) edhe sot mund të gjenden pasardhës të atyre shqiptarëve që lanë vatrat e tyre përballë terrorit osman. Ndër fshatrat e para që i sulmoi ultranacionalisti Vojislav Sheshel në fillim të viteve 90-të ishin Hrtkovci dhe Nikinci në Vojvodinë. Në këto vendbanime jetonin ende edhe shqiptarë të kroatizuar, të cilët kishin ruajtur fenë katolike. Sipas Gentilinit ikja e serbëve në vitin 1690 u mundësoi shqiptarëve të m

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›