E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë e tremb realisht Genc Rulin?

Nga Mero Baze

Kam parë ditët e fundit Genc Rulin shumë nervoz përse opozita i ka kërkuar drejtësisë ta marrë të pandehur. Një herë mendova se nervozizmi i tij është legjitim po të krahasohet me standardin që është vendosur në këtë vend për atë që duhet të dënohet. Për shkak të dështimit të suksesshëm të disa proceseve gjyqësore me background të fortë, siç është për shembull vrasja e 26 vetëve në Gërdec dhe mos dënimi i asnjë politikani dhe mos thirrja as në prokurori e të birit të kryeministrit që i rrinte në kokë këtij biznesi, shpërdorimi i mbi 200 milionë eurove në një segment 60 km dhe mos shkuarja para drejtësisë e Ministrit, pastrim i qartë paresh nga klientë të vajzës së kryeministrit dhe mos shkuarja e saj para drejtësisë, vrasja e katër qytetarëve protestues nga policia, nën komandën e kryeministrit Berisha dhe Ministrit Basha dhe mos shkuarja e tyre para drejtësisë, dhe së fundmi shkuarja drejt mbylljes e skandalit të ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta, i kapur me zë dhe figurë duke numëruar milionat e paligjshme, pra për shkak të këtyre dështimeve të drejtësisë, tani çdo ministër që akuzohet humbet qetësinë, pasi në të vërtetë akuzat ndaj tyre janë më të buta se këto. Në këtë plan dhe nervozizmi i Rulit ngjan legjitim. I duket sikur nuk ka bërë gjë. I duket se meqë të tjerët kanë vjedhur qindra milionë euro dhe kanë vrarë dhjetëra vetë, ai ska përse të dënohet për një firmë që ka hedhur për ti shtyrë koncesionin një kompanie kromi, duke i marrë kompetencat qeverisë dhe Kuvendit. I duket padrejtësi e madhe kur mendon se kolegë të tij mund të kenë futur miliona euro në xhep për një firmë, ndërsa ai të shkojë para drejtësisë për ndonjë dhuratë të vogël.

Por duhet të ketë diçka tjetër që Rulit i prish qetësinë. Ndoshta i kujtohet jo vetëm ky Berishë që ka rritur shumë stekën ku të kap dënimi për vjedhje dhe vrasje. Genc Ruli duhet ta kujtojë mirë përse është dënuar Fatos Nano, pasi ka votuar në Kuvend për dënimin e tij. Fatos Nano është dënuar në thelb se ka favorizuar një kompani në prokurimin e shpërndarjes së disa ndihmave në Shqipëri. Kaq. As ka akuzë që ka vjedhur vetë, as ka akuzë që ka shpërdoruar ndihmat vetë. Është dënuar se ka favorizuar një kompani, e cila ka abuzuar më pas me detyrën që ka marrë. Genc Ruli e ka më të rëndë se kaq situatën. Ai ka shkelur Kushtetutën e vendit dhe ligjet kryesore të prokurimit publik për të favorizuar një kompani që po rrjep pasurinë tonë kombëtare dhe po zhyt në mjerim dhe mungesë perspektive një qytet, i cili duhet të ishte qyteti me mirëqenie më të lartë në Shqipëri. Për shumë më pak se kaq shkohet në burg në çdo vend normal të botës. Bile vetë Genc Ruli ka qenë duke shkuar në burg në vitin 1995 së bashku me Artan Hoxhën, për një akuzë shumë më pak të dobët se kjo. Vetë pati fat se u mbrojt me imunitet si Fatmir Mediu sot, ndërsa kolegu i tij Artan Hoxha u detyrua të ikë jashtë Shqipërisë për ti shpëtuar burgut. Me këtë dua të them se nervozizmi i tij ka një bazë reale, pasi e njeh Berishën dhe si tolerantin më të madh të korrupsionit dhe si shpikësin më të madh të korrupsionit. E njeh dhe e di mirë se mekanizmi që ai përdor nuk ka lidhje me fajin, por me raportin që ti ke me të. Nëse je besnik i tij, nëse je pjesë e pushtetit të tij, nëse i ke hapur rrugë pa e kompromentuar atë për bizneset e Familjes, nuk dënohesh edhe nëse del me zë e figurë si Ilir Meta duke ndarë miliona, dhe nëse filmohen live vrasjet e tua siç ishte rasti i 21 Janarit, edhe nëse zhduk mbi 200 milionë euro në një rrugë 60 km, ku me aq euro bëhej e gjitha. Nga ana tjetër Genc Ruli e di nga përvoja e tij, e Fatos Nanos dhe Artan Hoxhës, se nëse nuk i ke punët mirë me Berishën, mund të hysh në burg jo vetëm për gjëra të vogla, por dhe për një favorizim të një të treti, nga i cili mund të mos kesh marrë asgjë. Për këtë arsye nervozizmi i tij nga akuzat e opozitës më bën të dyshoj më shumë për pasigurinë që ka tek Berisha se sa tek frika që ka nga drejtësia.

Duke qenë një politikë kulisash dhe një debat politik pa funksion publik, në Shqipëri jo çdo gjë që thuhet për keq merret për keq. Fjala vjen nëse një ministër sulmohet nga gazeta Tema gradohet nga Berisha, nëse një hajdut denoncohet nga media kritike me qeverinë, mbrohet nga Berisha, nëse një vrasës filmohet duke vrarë protestues dhe shfaqet siç ndodhi me gazetarin Artan Hoxha (Jo kolegu i Rulit), ai gardist nuk arrestohet, apo nëse sulmohesh nga opozita, nuk do të thotë se të prishet karriera. Mjafton të shikosh se si e menaxhoi Berisha sulmin e një gazete afër tij kundër një ministri të tij për ta kuptuar se askush nuk është i rrezikuar nga denoncimi apo media. Të gjithë ministrat janë të rrezikuar vetëm nga një gjë, nga raportet e tyre me Sali Berishën. Genc Ruli ngjan shumë nervoz me akuza e opozitës dhe po ulëret kundër saj me shpresë që ti kujtojë Berishës se ai është nja nga të egërit kundër Edi Ramës. Por kam frikë se nuk e gënjen dot. Nëse ai i ka hequr vështrimin, faji i tij ka për tu bërë mal para kufomave të Lulit, Shkëlzenit dhe vetë Berishës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›