Anti-higjiena e një higjiene
Hygieia- perëndesha e shëndetit fizik dhe atij mendor.
Fjala higjienë vjen nga greqishtja "Hygieia" ( Hygea, Hygia apo Hygeia), që konsiderohej perëndesha e shëndetit dhe e pastërtisë. Fillimisht ajo konsiderohet si roje e shëndetit fizik, por më vonë u bë dhe perëndesha e shëndetit mental dhe një mbrojtëse ndaj llojeve të ndryshme të rreziqeve, detyrë që ajo e ndante me zotin apo perëndinë e mjekëve (Asculapius). Siç shihet, në njëfarë mënyre dhe zotat grekë mbartnin përgjegjësi të shumëfishta për të shtuar rëndësinë e tyre në hierarki, tamam siç tentojnë dhe politikanët sot, por ama kur bëhet fjalë për suksese (e mbyllje goje të të tjerëve), por jo për dështime (apo hapje goje kundërshtare)!...
Pak histori për "letrën higjienike"
Flitet se për një kohë të gjatë ka ekzistuar një "konflikt" në lidhje me një "çështje komplekse e morale" nëse letra e tualetit (ruli i saj) duhet të instalohet në një mënyrë apo tjetrën, d.m.th., që të rrotullohet nga sipër apo të rrotullohet nga poshtë! Disa njerëz pretendojnë një kahe rrotullimi, disa të tjerë kahen e kundërt. Por ka dhe nga ata që e rrotullojnë letrën e tualetit nga të dyja anët. Nuk kanë munguar polemika publike në lidhje me këtë problem. Mesa duket, në Shqipëri, ka ardhur koha për ta rrotulluar për nga poshtë. Ndërkohë kanë munguar diskutimet në lidhje me origjinën e letrës së tualetit, natyrisht, në trajtën e sotme, si një domosdoshmëri e një jete higjienike për kohëra moderne. Kjo edhe pse "letra higjienike" nuk është aq e vjetër në moshë...
Sidoqoftë, duke parë që ajo u bë pjesë e debatit të fundit parlamentar, pavarësisht se është një subjekt delikat, po i harxhoj pak kohë lexuesit për një historik të shkurtër të saj.
Kështu, përpara se letra e tualetit të gjente përdorim të gjerë në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, higjiena personale është realizuar duke shfrytëzuar materiale më pak të buta dhe absorbuese. Gazetat, fletë katalogësh, fletoresh apo librash të vjetër, etj., ndesheshin pothuajse kudo në tualetet e familjeve modeste. Por po të shkohet më thellë, në kohë kur dhe letra ishte një luks, konstatohet se janë përdorur bari, gjethet, leckat, etj. Bile tek romakët ndeshen dhe shkopinjtë, sfungjerët e detit, guaskat, etj. Natyrisht, për aristokratët e mbretërit, si p.sh., Luigji XIV, janë përdorur thurje leshi apo dantella luksi. Por le ta ndërpresim këtu këtë histori të pakëndshme, që edhe pse duket mjaft e largët për disa, mund të jetë akoma e afërt për të tjerë, sidomos kur e "simbolizojnë" letrën higjienike!...
"Higjiena" antikorruptive e një artikulli
Më 27 mars 2008, në dy nga gazetat më të njohura në nivelin ndërkombëtar: "The New York Times" dhe "Herald Tribune", u botua një artikull me titull "Supplier Under Scrutiny on Aging Arms for Afghans", i raportuar nga C.J.Chivers, Eric Schmitt dhe Nicholas Wood, me kontributin dhe të Alain Delaquérière dhe Margot Williams nga Nju Jorku, James Glanz nga Bagdadi, dhe Stefanos Evripidou nga Qipro. Pra, në total janë 7 gazetarë që kanë kontribuar për këtë artikull, i cili në internet kap 6 faqe të plota.
Aty, për fat të keq, një vend të veçantë (madje nxitës) zë dhe Shqipëria, dhe aspak për të mirë. Përkundrazi, aty zhyhet, në një mënyrë apo tjetrën, Shqipëria dhe shqiptarët, por ama jo për fajin e tyre. Thjesht, për shkak të një qeverisjeje të paaftë, të papërgjegjshme dhe të inkriminuar dhe të një Kryeministri (të pretenduar aty familjarisht të implikuar), që përveç mungesës së "higjienës" së gojës së tij agresive, gënjeshtare e baltosëse, jo vetëm nuk ul kokën i turpëruar, madje dhe i demaskuar, apo dhe të vlerësojë realisht dhënien e dorëheqjes për të mirën e vendit dhe të tijën, menjëherë pas Samitit të Bukureshtit, por, duke kërcënuar, e "epiteton" këtë artikull, dhe të dy gazetat botërore ku ky artikull është botuar, thjesht një "letër higjienike"! Dhe kjo, me gjithë letrën e dërguar më parë redaksisë apo komunikimin me të prej z.Berisha për të mos u botuar ky artikull, që ai e konsideronte si një trillim, ashtu dhe pas bombardimit shtetëror të Gërdecit dhe të zonave rreth tij!...
Një koment nga një i djathtë
Bashkëngjitur me tekstin e këtij artikulli të dërguar nga Tirana, në adresën time, nga një emër relativisht i njohur, ishte dhe një koment i shqiptaro-amerikanit të njohur G.Kokolari. Midis të tjerash, ai shkruante: "Ky është i njëjti artikull, që Sali Berisha, në fjalën para Parlamentit, javën e kaluar, pretendoi që nuk do të botohet sepse ai është mbështetur në një fabrifikim. Po ashtu, Berisha akuzoi Chris Chivers, shefin e Byrosë për Moskën të "Nju Jork Tajmsit", duke pretenduar që ai e shkroi këtë artikull si rezultat i konspiracionit rus mbi Kosovën dhe se Nicholas Wood, që ka kontribuar për artikullin dhe intervistoi Fatmir Mediun, ishte përjashtuar nga gazeta për sajim të kësaj historie. Për të qenë i qartë, Chivers është një gazetar elite, por dhe disa gazetarë të tjerë kanë kontribuar për këtë histori, pa harruar që investigimi i fakteve është kryer në shumë vende, përfshirë Shqipërinë, Italinë, Qipron, Afganistanin, Irakun, Rusinë, Ukrainën, Nju Jorkun, Washingtonin dhe Miamin (SHBA). Është e vërtetë se Wood është larguar nga gazeta NYT, por kjo sepse ai ka marrë një pozicion të ri, dhe kjo shumë kohë më parë se ky artikull të përfundonte. Të gjithë të tjerët janë ende punonjës të kësaj gazete... Po ashtu, personi që ka bërë investigime për këtë histori nuk rri as në Moskë, as në Shqipëri,- siç ka shpifur Berisha,- por ai banon tamam këtu, në Nju Jork. Sa për kujtesë, Chivers ka qenë me gradën Kapiten në Marinën e SHBA-së dhe është një veteran i Luftës së Gjirit. Mbi të gjitha, ai është një gazetar shumë i respektuar, që ka fituar një numër të madh çmimesh, për arritjet e tij në fushën e gazetarisë, përfshirë atë "Pulitzer". Është diplomuar në Universitetin e Kornelit dhe ka gradën Master nga Shkolla e Gazetarisë e Kolumbias...".
Z.Kokolari, duke komentuar dështimet e ngjarjet tragjike të mëparshme të dështimeve të Berishës si President, apo premtimet boshe të tij para se të bëhej Kryeministër, ai, duke kërkuar largimin e kryeministrit, e mbyll këtë mesazh me fjalët: "Ai premtoi transparencë, ai premtoi media të hapur, ai premtoi shumë gjëra, por sapo u bë Kryeministër ai provoi që ishte një thyerës serial premtimesh. Ai kryeson një qeveri po aq të korruptuar dhe të dështuar sa ajo e Nanos. Dhe tashmë, në sajë të neglizhencës dhe maskarallëkut të qeverisë së tij, me shpërthimin tragjik në Gërdec, Berisha përsëri ka prodhuar vdekje masive dhe shkatërrim për Shqipërinë...".