Helmohen nga ushqimi 50 punëtorët e autostradës Rrëshen-Kalimash
Punëtorët shfaqën shenjat e helmimit, të vjella e diarre fill pas konsumit të drekës
MIRDITË-Mbi 50 punëtorë shqiptarë dhe turq, që punojnë në ndërtimin e autostradës së re në segmentin Rrëshen-Kalimash, janë helmuar dy ditë më parë ndërsa konsumonin ushqimin e drekës së servirur në mjediset e brendshme të kampingut të Repsit.
Simptomat e helmimit të rëndë janë vërejtur, pasi punonjësit kanë shkuar në punë pak minuta pas drekës së ngrënë në kamping. Masivisht ata kanë pasur diarre, të vjella dhe humbje të plotë të imunitetit fizik të tyre. Kjo epidemi helmimi masive e punonjësve të kompanisë Bechtel-Enka, në mes tyre shqiptarë dhe turq kryesisht, ka bërë që të alarmohen drejtuesit e kompanisë duke i marrë në pjesën e dytë të orarit të punës gjithë punonjësit e helmuar për në mjediset e shërbimit spitalor në kamp. Por numri i madh i punonjësve të helmuar nuk ka bërë të mundur rehabilitimin në këto mjedise sanitare hospitalore, ndaj janë përdorur dhe mjedise të tjera, çka e ka kthyer kampin thuajse në një spital të madh. Asnjë bashkëpunim në këtë rast nuk është bërë me spitalin e Rrëshenit, ndërsa dhe ilaçet për të sëmurët janë marrë në Tiranë për të bërë trajtimin e të helmuarve përgjatë tërë natës. Vetëm pas një nate të tillë një numër i madh të helmatisurish janë nisur për në shtëpitë e tyre. Ka qenë një person nga radhët e të sëmurëve që e ka dhënë këtë informacion, ndërkaq nuk është dukur asnjë kontrollor i produkteve ushqimore për të zbardhur të vërtetën e këtij helmimi, i mbajtur në fshehtësi të plotë. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë konfirmim nga ana e drejtuesve të kompanisë, të cilët për kësi rastesh tregohen të hermetizuar në dhënien e informacionit, si për helmimin dhe mënyrën sesi bëhet shërbimi ushqimor brenda kampit të punës. Nga burime që nuk duan të identifikohen shkak i këtij helmimi ka qenë mishi i marrë nga një fabrikë e këtij produkti në Tiranë, por pa mundur të vihet gishti se tek cila dhe nëse produkti ishte i skaduar. Nga ana tjetër, nuk bëhet e ditur se në ç'mënyrë bëhet furnizimi i këtyre qindra mijëra punëtoreve, nga cila firmë dhe a kontrollohet ushqimi në mënyrë periodike nga specialistët e kësaj fushe.