E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen varret në Korçë, zbulohen të vdekurit

 

Pas mesnatës së të enjtes, persona të paidentifikuar kanë grabitur 5 varre në varrezat e Drithasit dhe Vloçishtit

 

Në 2 varre kishin dalë në sipërfaqe eshtrat. Policia: Varret janë të vjetër dhe s'ka rrezik sëmundjeje

Korçë- Zbulohen të vdekurit në varrezat publike të përbashkëta të dy fshatrave në rrethin e Korçës. Natën e së enjtes, persona ende të paidentifikuar për policinë e juglindjes kanë dhunuar 5 varre, dy prej të cilave i kanë zbuluar fare duke iu nxjerrë eshtrat në sipërfaqe të të vdekurve. Ngjarja e pazakontë në llojin e saj, është regjistruar në varrezat publike të përbashkëta të dy fshatrave Drithas dhe Vloçisht, vetëm 17 kilometra larg Korçës.

***

Gjatë natës së të enjtes dhunuesit e varreve që kanë ndërhyrë për herë të parë në këtë mënyrë në këtë varrezë kanë shkatërruar 5 varre. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dy prej varreve të dhunuara në mëngjes kanë pasur një pamje aspak të mirë për syrin. Pllaka e sipërme e mermerit i ishte hequr dhe rrëmbyer, duke lënë pamje të lirë të eshtrave të të vdekurve që preheshin në to. Ndonëse varret sipas burimeve të policisë lokale janë të vjetër në kohë dhe nuk përbëjnë rrezik për përhapjen e ndonjë sëmundje, akti barbar është i paprecedent dhe nuk ka ndodhur më parë në këtë mënyrë. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se ngjarja dyshohettë ketë ndodhur pas mesnatës, kohë kur varrezat janë larg vëmendjes të banorëve të kësaj zone.

***

Ngjarja e rëndë është zbuluar mëngjesin e djeshëm nga roja i varrezave. Sipas burimeve të komisariatit të Korçës, sinjali është marrë nga përfaqësues të komunës së Vreshtasit, të cilët kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë lokale për të zbardhur ngjarjen në fjalë. Në fakt roja i këtyre varrezave i tmerruar ka sinjalizuar me urgjencë gjatë mëngjesit të djeshëmdrejtuesit e komunës, duke iu treguar për dhunimin barbar të këtyre varrezave, ndërsa më pas këta të fundit kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë. Varrezat e fshatrave Drithas dhe Vloçisht në mënyrë të vazhdueshme bien pre e grabitjeve të objekteve të bronzit, të cilat përdoren për skrap, ndërsa dhunimi i kësaj varreze kryhet për herë të parë në këtë formë. Për policinë e juglindjes dhunimi i varrezave në zona të ndryshme të banuara, madje dhe në qytetin e Korçës është duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm dhe shqetësues kohët e fundit. Kështu disa hajdutë varresh janë arrestuar vetëm disa muaj më parë në varrezat publike të Korçës, duke grabitur objekte të ndryshme, ndërkohë që i njëjti shqetësim ka mbërritur edhe nga banorë të fshatit Mborje në po këtë rreth. Ndonëse për këtë ngjarje të rëndë kanë nisur hetimet, policia nuk ka arritur ende tek autorët e këtij akti barbar që ka çuar në heqjen e kapakëve të varreve të të vdekurve të fshatrave Vloçisht dhe Drithas.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›