E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëse ftesa nuk vjen

 

"Nëse ftesa për në NATO nuk vjen, nuk ndodh asgjë, as negative, e as pozitive". Kështu i përgjigjej një djalosh kroat pyetjes së disa zyrtarëve të Zyrës së Diplomacisë Publike të NATO-s, gjatë një seminari në Bratislavë.

Zyrtarët e NATO-s qenë të interesuar për të mësuar diçka mbi perceptimin e popullatës në tre vendet pranë anëtarësimit, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë. Kroatët, te të cilët vijon të zotërojë mendësia e asnjanësisë së Titos, nuk besojnë te anëtarësimi në NATO. Për më tepër, fitorja e luftës së vitit '94 pa ndihmën e hapur të perëndimit kundër Serbëve, i ka dhënë besim në vetvete. Në Maqedoni dhe në Shqipëri, situata është e ndryshme, së paku përsa i përket NATO-s. Në Shqipëri popullata është 99% në favor dhe sipas sondazheve, beson se anëtarësimi do të heqë Murin Shengen. Në Maqedoni, Kosovë e Mal të Zi, pritshmëria është e njëjtë. Në mentalitetin popullor, NATO = viza.

Gjatë ditëve të fundit, diplomacia perëndimore është angazhuar fort në gjetjen e një kompromisi mes Greqisë dhe Maqedonisë për problemin e emrit. Emri i Maqedonisë duket se është faktori i vetëm pengues për ftesën që mund të japë Samiti i Bukureshtit pas pesë ditëve. Vetë angazhimi i ethshëm i diplomacisë për zgjidhjen e këtij problemi, jep shpresa se të tre vendet në listë do të marrin ftesën. Megjithatë, të paktën për atë çfarë thonë zyrtarët e NATO-s, duket se në Bukuresht do të ketë një farë rulete diplomatike. Sipas një zyrtari të NATO-s, që foli në kushtet e anonimitetit, askush nuk e di nëse krerët e shteteve anëtare, të cilët duhet të marrin një vendim në unanimitet për ta ftuar apo jo Shqipërinë pas pesë ditësh, do ta lexojnë apo jo raportin e teknicienëve, raport që si zakonisht do të jetë as pozitiv e as negativ.

Gjithsesi, NATO thotë se tashmë është bërë e domosdoshme integrimi i Ballkanit në Aleancë. Nëse për ndonjë lloj arsyeje, ftesa nuk vjen më 3 prill, dyert do të mbesin të hapura. Por nuk dihet se kur do të mblidhen sërish krerët e Aleancës për të diskutuar zgjerimin.

Shkaqet për një vendim negativ në Samitin e Bukureshtit janë të shumta. Disa vende besojnë se shtimi i numrit të anëtarëve vështirëson procesin e vendimmarrjes së NATO-s, për pasojë është negativ. Funksionimi ose mosfunksionimi i Prokurorisë së Përgjithshme (Gërdeci është praktikisht testi më i fortë), mund të shkaktojë vlerësim negativ nga zyrtarët e NATO-s, por ky vlerësim negativ ndoshta merret, ndoshta nuk merret parasysh nga vendimmarrja krerëve të shteteve. "Duam të dimë se çfarë do të bëjë Kryeprokurorja e re, duam gjithashtu të shohim rezultate konkrete në reformën zgjedhore",- bënte të ditur një zyrtar i NATO-s disa muaj më parë, në kushtet e anonimitetit. Situata në rajon, së paku zyrtarisht nuk përbën pengesë për anëtarësimin. Në axhendën e Bukureshtit, përveç ftesës për tre vendet e Adriatikut, gjendet edhe zhvillimi i marrëdhënieve me tre shtete të tjera Ballkanike, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia. Këtyre vendeve do t'u ofrohet Partneriteti për Paqe. Por është theksuar tashmë shumë herë se secili vend kandidat do të japë llogari për veten e vet. Reformat e kërkuara nga Brukseli për Shqipërinë, veçanërisht reforma zgjedhore, nuk është kryer. Më saktë, nuk ka ende një legjislacion të ri, pavarësisht mirëkuptimit mes dy partive të mëdha. Shkurt, nëse Shqipëria do të vlerësohet vetëm përsa i përket reformave, ftesa nuk do të vijë. Por mungesa e reformave mund të mënjanohet si problem në rangun politik.

Vetë ftesa për t'u anëtarësuar është një nga etapat e integrimit në NATO. Nuk është as e para dhe nuk do të jetë as e fundit. Qeveria dhe opozita në Tiranë po përpiqen t'i japin notat e një ngjarjeje historike, megjithëse e bëjnë këtë me gjysëm zëri nga dyshimi se mos ftesa nuk vjen e gjithçka kthehet në zhgënjim.

Në termat e sigurisë kombëtare, (NATO është para së gjithash një aleancë ushtarake), nuk pritet të ndryshojë gjë. Integrimi në NATO nuk do të sjellë viza Shengen, por është një hap drejt liberalizimit të vizave. Nëse ftesa vjen, kjo gjë do të jetë si zakonisht më së shumti një bamirësi e vendeve anëtare sesa rezultat i punës sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›