E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, loja ka mbaruar!

 

Për shumë shqiptarë, tronditja nga shpërthimi qeveritar i Gërdecit, ishte shkundja më e madhe nga gjumi letargjik, ajo pjesë jete që kanë kaluar prej shtatorit 2005, kur pritën kohën për ndryshim, por panë rrëshqitjen e shpejtë drejt humnerës. U shkundën dhe panë rikthimin e ankthit të qeverisjes së shkuar të PD-së dhe të pasojave që sjell inkriminimi, papërgjegjshmëria e ekipit që ka fatet e popullit, pangopshmëria për të bërë male me pasuri dhe për të injoruar realitetin...

Duke shpërfillur këtë realitet që ka vrarë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen, ekipi qeverisës i është kthyer rutinës së Ekzekutivit, duke vënë në krye të axhendës së vendit më të tromaksur të globit, vendime qeveritare që fyejnë të madh e të vogël. Ndërsa përditë del nga një kufomë e shpërfytyruar, të cilës i duhet bërë ADN-ja për t'ia mësuar identitetin, një popull i vrarë dhe i telendisur helmohet nga vreri kryeministror; Qeverisja ngutet në mënyrën më të pacipë të blejë heshtjen me paratë që ndahen me thasë, si fitimet e dala nga bordellot, ndërsa secili shqiptar i përgjegjshëm shqyen sytë kur ndesh përballë gërdecët e rrugicës, lagjes, punës, shkollës... Është e qartë që qeverisja po bën maksimumin, për ta mbyllur shpejt këtë fletë të përgjakur të ditëve shqiptare. Dhe po përpiqet ta shfletojë me agresivitetin më të madh dhe paturpësinë që të rikthen në kohë ish-presidentin e pranverës 1997, parlamentarët anti-amerikanë të PD-së, dhunuesit e fjalës së lirë, mjeshtrat e falsifikimit dhe të dezinformimit.

Dje, në ditën kur u zbulua kufoma e 25-të e Gërdecit, kryeministri falënderonte atë hierarki ushtarake që kishte lëshuar urdhra, kishte patur dijeni, ishte bërë pjesëmarrëse në shpërndarjen e fondeve të përgjakura të trafikut të municioneve... Dje, kur ende në vegimet e shqiptarëve shfaqet kërpudha fantazmagorike e shpërthimit të fabrikës së vdekjes ku bëhej trafiku qeveritar, këshilltarja e Kryeministrit iu rikthye idesë së ndërtimit të Centralit Bërthamor në Shqipëri.

Ndërsa shpirtrat e atyre që u bënë viktima të qeverisjes makute dhe të atyre që rrojnë përditë me frikën e shpërthimit tjetër presin të rigjejnë paqen shpirtërore, qeveria e Shqipërisë po merret me marrëveshje për ruajtjen e sekreteve shtetërore, transferime kullotash për komunat, inventare bashkish apo shitje traktorësh.

Taktika është sa e vjetër, aq edhe e demaskuar: të bësh sikur nuk ka ndodhur gjë, në një vend ku Kuvendi duhej të kishte vendosur në mënyrë unanime, për lënien e imunitetit nga të treguarit me gisht si pjesëmarrës dhe përfitues në trafiqet vrasëse. Nuk mund të vendosësh për kullotat dhe asetet e komunave, kur përreth tavolinës ovale të Kryeministrit, duhej të ishte një kabinet kalimtar qeveritar, i cili pikësëpari duhej të kishte moralin t'u kërkonte një falje të madhe shqiptarëve.

Realisht është një e vërtetë e madhe, ajo që shqiptarët e kuptuan para se të mbaronte programi 100-ditor i kabinetit "Berisha". Ekipi qeverisës është hiç më pak se një grumbull figurinash, ku autogolat i ka bërë vetëm Kryeministri. Ai nuk ka as lojtarë, as nuk lë njeri të luajë, ai nuk di të luajë, megjithëse skema e tij e premtuar në fushatën elektorale të 3 viteve më parë ishte projekti më ambicioz që kishin dëgjuar shqiptarët. Loja e tij ka mbaruar me kohë dhe shqiptarët janë të rraskapitur. Në çdo vend të botës, një ekip i tillë qeverisës do të kishte ikur me një test të thjeshtë popullariteti, por ai nuk ka ndërmend të ikë, as pas testit bërthamor që provoi me shqiptarët në Gërdec. Jo se ka hallin e firmës për në Bukuresht, apo se i dhimbset e ardhmja euroatlantike e vendit, por se kërkon kohë, mundësisht edhe kohë shtesë, për të bërë lojën më të pabesë me shqiptarët që e votuan për një jetë më të mirë. Ai ka mbaruar, por po u vjedh kohën shqiptarëve për të fituar ato që kanë mbetur, ato çka mund të marrë para se të ikë përfundimisht, si një kujtim i tmerrshëm për ata që në histori do hyjnë si "shqiptarët e kohës së Gërdecit...".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›