E Diel, 1 Nëntor 2026

Anti-korrupsioni, Shqipëria më keq se Guatemala

Transparency International e ka renditur vendin tonë në vendin e 95 ose dhjetë nivele më poshtë se një vit më parë


TIRANË- Strategjia anti-korrupsion e qeverisë shqiptare mund të konsiderohet tashmë e dështuar. Organizata më prestigjioze në botë në fushën e studimit të korrupsionit, nëpërmjet perceptimit të qytetarëve jo vetëm vendas, por edhe ekspertëve të huaj, Transparency International, e ka renditur vendin tonë në vendin e 95 ose dhjetë nivele më poshtë se një vit më parë.


Përfaqësuesi i zyrës së Transparency International në vendin tonë, Endri Shabani, ka prezantuar dje për opinionin publik, rezultatet e sondazhit të kryer nga kjo organizatë ndërkombëtare për nivelin e perceptimit të korrupsionit, për 180 shtete në botë, ku vendi ynë gjendet kësaj here më keq se një vit më parë, duke mbetur pas vendeve të tilla si: Ruanda, Lesoto, Guatemala etj.


Raporti


Ashtu si edhe vitet e shkuara, sondazhi i këtij viti, përqendrohet në perceptime, dhe për Shqipërinë bazohet në 6 anketa të ndryshme, të bëra në 10 institucione të pavarura, dhe në të llogaritet shkalla e perceptimit të këtij fenomeni tek zyrtarët publik dhe politikanët.


Të gjithë burimet e sondazhit, vlerësojnë nivelet e korrupsionit në sektorin publik dhe në ato raste kur burimet kanë dhënë më shumë informacion është aplikuar një koeficient me i lartë në përllogaritje.


Shtetet vlerësohen me një notë, nga 10 që është shumë e pastër nga ky fenomen, në 0 që do të thotë shumë i korruptuar. Përsa i përket rastit të Shqipërisë, raporti i TI e klasifikon atë në vendin e 95, pra thënë ndryshe korrupsioni nga ana e të anketuarve është parë këtë vit si më shqetësues nga një vit më parë, kur ne renditeshim në vendin e 85.


"Shqipëria në këtë indeks të perceptimit të korrupsionit, shënon një nivel prej 3.2 nga 3.4 që ka qenë në vitin 2008 duke u renditur në vendin e 95 nga 85 që ishte një viti me parë, pra është dhjetë vende më pas", - u shpreh Endri Shabani duke iu referuar pikërisht raportit të TI.


Ky lloj perceptimi, e rendit Shqipërinë në një pozicion të pafavorshëm në krahasim me shtetet e tjera fqinje dhe të rajonit. Kështu, Shqipëria lë pas vetëm Bosnjën, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit i sheh përpara saj në renditje, ku Moldavia dhe Serbia janë dy shtetet më afër nesh, por që natyrisht janë në një pozicion më të mirë me 3.3 dhe 3.5 secila.


Vendin e parë në Ballkan e mban Kroacia me koifiçent 4.1 dhe pas saj renditen Maqedonia dhe Mali i Zi me nga 3.9, ndërsa krahasuar me vendet e tjera të botës, ku niveli i demokracisë për shkak të konflikteve dhe paqëndrueshmërisë institucionale njihen si më poshtë Shqipërisë, në këtë raport ato vlerësohen si më me pak korrupsion sesa ne. Kështu, një sërë shtetesh të kësaj kategorie si: Ruanda me 3.3, Lesoto me 3.3, Tailanda me 3.4, Guatemala me 3.4, Burkina Faso me 3.6, Kolumbia me 3.7, Suriname me 3.7 apo Gana me 3.9, gjenden në këtë listë prej 180 shtetesh përpara nesh.


Rekomandime


Nisur pikërisht nga këto të dhëna, Transparency International ka "ashpërsuar gjuhën" kundrejt vendit tonë, ku e konsideron luftën ndaj korrupsionit si një sfidë, që duhet fituar nga ana e qeverisë dhe institucioneve tona shtetërore.


Në perceptimin e lartë të korrupsionit për vendin tonë duket se kanë ndikuar edhe një sërë ngjarjesh të dyshimta korruptive që janë ezauruar jo pak nga politika dhe media gjatë këtij viti, siç është rasti i rrugës "Rrëshen-Kalimash", rasti "Gërdeci" apo edhe rasti "Fazlliç", ku zyrtarë të lartë janë akuzuar hapur edhe nga institucionet e drejtësisë për afera korrupsioni. "Beteja anti-korrupsion mbetet një sfide për qeverinë, parlamentin, gjyqësorin dhe institucionet e tjera të administratës publike.


Ai gjithashtu mbetet një sfide edhe për shoqërinë dhe median. Zbatimi i strategjisë anti-korrupsion nga ana e qeverisë, reformimi i gjyqësorit dhe dalja nga apatia e mos ndëshkimit të rasteve korruptive janë një sfidë e madhe për politikën dhe për pushtetin gjyqësor.


Gjithashtu çështjet e dyshuara për korrupsion janë një sfidë për të vërtetuar pavarësinë dhe profesionalizimin e korrupsionit",- u shpreh përfaqësuesi i TI-së në vendin tone Endri Shabani gjatë publikimit të rekomandimeve, që lindin nga analizimi i këtij raporti. Një element tjetër, që konsiderohet si shqetësues prej TI-së është edhe mungesa totale e transparencës së partive politike, i cili sipas saj mbetet një problem veçanërisht serioz.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›