E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Opozita të bëhet pjesë e integrimit

Sipas numrit dy të qeverisë shqiptare, ky vendim shënon një etapë të re në rrugën e vendit tonë për tu anëtarësuar në BE. “Pa asnjë diskutim, është edhe një moment kur bëhet një ftesë për gjithëpërfshirje të gjithë aktorëve në këtë proces që është i një rëndësie kombëtare, për këtë proces ku parlamenti ka një rol shumë të rëndësishëm, ku opozita ka një rol të pazëvendësueshëm..”, theksoi Meta për gazetarët.

Ai shtoi se qeveria ka vazhduar punën paralelisht për të përgatitur dhe për të fuqizuar të gjithë strukturat e saj, kapacitetet administrative, duke tërhequr edhe ekspertë jashtë administratës publike për t’iu përgjigjur pyetësorit i cili pritet gjatë muajve në vijim të mbërrijë nga Komisioni Evropian.

 “Na vjen keq pasi thirrjeve tona, të qeverisë por edhe të komunitetit ndërkombëtar për dialog me institucione, për  dialog në Parlament, nuk mund t’i përgjigjen me thirrje për revansh apo për dhunë ndaj institucioneve. Nuk është demokratike, për më tepër që ju e dini shumë mirë që ministrat e Jashtëm të BE-së, kishin vendosur që do ta trajtonin dhe do ta kalonin aplikimin e Shqipërisë pasi të dilte raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR”, tha më tej ai, duke folur për bojkotin e opozitës.

Ministri i Jashtëm tha gjithashtu se çështja e përmirësimit të mëtejshëm të standardit të zgjedhjeve është një kapitull i hapur dhe qeveria ka qenë dhe është shumë e angazhuar për të përfshirë opozitën në këtë proces, “madje, t’i japë edhe lidershipin e reformës së ardhshme zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë në standardet më të larta demokratike evropiane".

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›