E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria 122 milionë lekë për institucione fetare

Në buxhetin e 2010-ës është përcaktuar mbulimi i shpenzimeve në objektet e kultit, shkollat dhe paga për administratën


TIRANË- Qeveria parashikon të financojë edhe pagat e administratës së komuniteteve fetare me buxhetin e vitit 2010. Në fondin prej 2.6 miliardë lekësh që është ndarë për Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve bën pjesë edhe shuma prej 122.1 milionë lekë e cilësuar si një zë për mbështetjen e kulteve fetare.


Në prill të këtij viti, qeveria miratoi një projektligj sipas të cilit në buxhetin e shtetit do të përcaktohej një fond me anë të të cilit do të mbuloheshin investimet në institucionet e kultit, shpenzimet për shkollat me karakter fetar si dhe pagat për punonjësit e administratës.


Sipas Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri, i cili ishte i pranishëm gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit 2010 në Komisionin e Ligjeve , kjo nismë e qeverisë për financimin e komuniteteve fetare ndërmerrej me qëllim uljen e varësisë së tyre ndaj donacioneve nga jashtë. Grup pune i ngritur nga qeveria, ka hartuar faturën financiare vjetore, që do të derdhet për llogari të tyre.


Financimi është pjesë e marrëveshjes që myslimanët, ortodoksët, katolikët dhe bektashinjtë, nënshkruan në fillim të këtij viti me përfaqësues të qeverisë.


Qeveria ka marrë përsipër të paguajë edhe faturën financiare të legalizimit të objekteve të kultit, pasi, sipas saj, bashkësitë fetare kanë pësuar humbjen më të madhe në prona, si rrjedhojë e Ligjit 7501 dhe të përfitimeve nga të tretët.


Pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit do të shkojë për rritjen e pagave të punonjësve të administratës, jo klerikë, dhe për arsimin.


Të 450 punonjësit e administratës, që punojnë në këto bashkësi fetare, do të marrin nga 8500 lekë shtesë në muaj, me një fond total prej 46 milionë lekësh. Ndërkohë, për arsimin është lënë në dispozicion një fond prej 50 milionë lekësh, ose 5% e totalit të shpenzimeve që vetë këto bashkësi shpenzojnë për këtë sektor.


Aktualisht, komunitetet fetare në vend shpenzojnë rreth 8.3 milionë dollarë për arsimin me fondet e veta dhe donacionet e huaja. Në shkallë vendi, regjistrohen 32 shkolla me karakter fetar të licencuara nga qeveria, me 7650 nxënës dhe 750 mësues.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›