Anti-oksidentalizmi në Serbi nuk po dobësohet
Pardje në një bisedë të gazetës “New York Times“ me ministrin e jashtëm serb Jeremiq, gazetari konstaton se për kohë të gjatë Serbia nuk ka pasur një qeveri më properëndimore se ajo që ka sot. E vërteta është se gjithashtu Serbia ka edhe opozitën më të fortë që ka pasur ndonjëherë dhe më të fortën në rajon me orientime anti-perëndimore. Ashtu sikundër shumë më parë ashtu edhe tani, Serbia është shtet i përçarë për sa i përket orientimeve të saja politike e për rrjedhojë edhe kulturore dhe të tjera të ngjashme. Serbia nuk është sikundër shumica e shteteve të Ballkanit, tek të cilat pavarësisht se cila parti fiton, nga dy, tre apo katër, partitë më të mëdha politike në vend, ato nuk e kontestojnë në asnjërën variant orientimin proevropian, orientimin e përgjithshëm properëndimor dhe konkretisht hyrjen në BE, në NATO dhe në struktura tjera politike, financiare, ushtarake etj.. Në Serbi puna ndryshon shumë. Në Serbi aktualisht kemi pozitën dhe opozitën të cilat që nga përfundimet e luftës, kanë dallime të mëdha, mu në orientimet bazike të këtij shteti, edhe pse për disa gjëra kanë ngjashmëri të mëdha, si p.sh. rreth Kosovës.Partia në pushtet, që është e udhëhequr nga presidenti aktual Tadiq, deklaron dhe përpiqet në mënyrën e saj ta afroj Serbinë sa më shumë që është e mundur me Evropën, duke filluar edhe pjesëmarrjen aktive në procedurat e ndryshme për të qenë edhe anëtare e BE-së e me këtë edhe për të përmbushur obligime të caktuara që dalin nga kjo qasje. Sigurisht se edhe me këtë rast, nëse kjo parti krahasohet me partitë e tjera në rajon që kanë këtë orientim, mund të thuhet se ajo që është në pozitë në Serbi është për shumë gjëra më hezituese. Kështu për shembull lidhur me anëtarësimin e Serbisë në NATO edhe nga pozita aktuale serbe edhe nga vetë presidenti aktual Tadiq, ka hezitim jo të vogël. Ajo më pozitivja që mundi të vij nga Tadiqi ditë më parë, është se për ta gjetur përgjigjen në atë se a duhet apo jo Serbia të anëtarësohet në NATO, është e pashmangshme të organizohet një referendum. Kjo nuk ka ndodhur tek vendet e rajonit, sepse përgjigja e qytetarëve e vendeve të ndryshme në rajon, për një hap të tillë, është ditur shumë kohë më herret dhe nuk ka pasur kurrfarë hezitimi. Pse është ndryshe në Serbi është lehtë e shpjegueshme. Shumica e qytetarëve të Serbisë, shumica e intelektualëve serb, vazhdojnë ta shohin NATO-n si formacion ushtarak që ka bombarduar Serbinë, ndërsa vendet kryesore perëndimore si vende që, me politikat e tyre e kanë ndëshkuar dhe e kanë ndarë kombin serb dhe e kanë defaktorizuar në rajon. Sipas shumë analistëve, sikur të organizohej këto ditë një referendum lidhur me anëtarësimin e Serbisë në NATO, nga shumica e qytetarëve përgjigja do të ishte negative.Partia që është në opozitë aktualisht në Serbi, Partia radikale serbe, për kryetar ka kriminelin e luftës dhe ekstremistin V. Sheshel, i cili ende është duke u gjykuar në Hagë. Punët e kryetarit tash sa kohë i kryen zëvendësi i tij T. Nikoliq një ekstremist tjetër. Por karakteristikë e kësaj partie kryesore nuk është vetëm ekstremizmi, por anti-uesternizmi. Ajo është shumë e fortë në Serbi, shumë e përhapur dhe gjithsesi shumë e përkrahur. Kjo parti më e fortë opozitare në Serbi, shpreh më mirë se çka do tjetër se, në Serbi anti-uesternizmi është filozofi politike dhe kulturore e cila gjithsesi e bazuar edhe në të kaluarën, me ndihmën e shumë intelektualëve ka strukturuar edhe konceptin politik të adaptuar dhe aktiv gjithandej. Nga kjo parti, nga ky mendim aktiv politik, që në çdo kohë mund të marrë pushtetin në Serbi, orientimet politike dhe kulturore që duhet t’i ndjek Serbia orientimet që ajo ofron për qytetarët e Serbisë janë radikalisht të ndryshme. Tek ata nuk shtrohet problemi se si të anëtarësohet Serbia në NATO apo në BE, si t’i qaset ajo me më maturi SHBA-ve e të tjera të ngjashme. Tek ata të gjitha këto mohohen pa hezitim si të dëmshme. Orientimet e tyre politike dhe kulturore janë plotësisht anti-perëndimore dhe tërësisht pro-ruse. Raporti i tyre me çdo gjë ruse, me politikën dhe kulturën ruse, është treguesi më i mirë se Serbia është vend i përçarë, vend me parakushte për konflikte të brendshme dhe vend me predispozita për të paraqitur probleme në konsolidimin e rajonit si tërësi e interesave euro-atlantike....