E Diel, 1 Nëntor 2026

Grotesku që po shoqëron asamblenë

është paradoksal qëndrimi politik një ditë pas Asamblesë së jashtëzakonshme të PS. Nuk ka një qëndrim se ku do të shkojë opozita pas dështimit me “sukses” të protestave kuti-hapëse. Nuk doli as përftimi i një kapitali politik me përmbytjet në veri-perëndim të vendit, i cili nuk u arrit për shkak të një paqartësie nistore të lidershipit me pushime në Dubai. Udhëkryqi i pakalueshëm me një asamble po përvijohet në një tjetër asamble ku do të analizohet bojkoti. Ka shumë gjasa që kjo asamble të bëhet në mesin e shkurtit për të vendosur kufijtë e deputetëve që kanë ndërmend të hyjnë apo të dalin nga vatha e Edvinit.Për kronikë Edi Rama nuk mungoi as dje në konferencën për shtyp të radhës për të bërë pretencën akuzuese ndaj qeverisë “Berisha 2”. Kësaj radhe ndërhyrja direkt në mediet është për të galvanizuar një pjesë të deputetëve socialistë që kanë vendosur të braktisin politikën e tij bojkotuese. Socialistët shqiptar po bëhen groteskë në një shfaqje të paprecedentë papërgjegjshmërie politike dhe morale. Kur vendi është i përfshirë akoma në një emergjencë natyrore, këta kërkojnë të bëjnë politikë për largimin e qeverisë.Mirëpo përpjekja e radhës për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme të frontit anti-bojkot është sulmimi i mëtejshëm pa kompromis, në mënyrë maniakale në trinitetin Gërdec-Kalimash-Shkodër. Njësimi i tre ngjarjeve të ndryshme në emrin fatkeqësi është shtytja për të instaluar një klimë artificiale mosbesimi. Në këto rrethana duket se në mënyrë tinëzare një mendje e djallëzuar ka krijuar këtë metodë të funksionimit të akuzave të ndërsjella me moton vetëm akuzo dhe mos kërko të vërtetosh asgjë. Kësisoj sipas tij gjithçka është e domosdoshme për t’u radikalizuar situata politike në vend sepse - sipas dellit maniakal - drejtësia nuk po funksionon. Koncepti “jakobin” për drejtësinë që ka Edvin Rama ndryshon sipas interesave të çastit. Gijotina duhet të përdoret kundrejt kundërshtarit politik pa u bërë fare iteri ligjor i vërtetimit të akuzave. Pas këtyre pretencave akuzuese të përditshme ndaj qeverisë askush nuk merret më me këtë fenomen dhe askush nuk ka më të drejtë të përgojojë këtë person si shpifës ordiner...Ndërsa kur Edi Ramës i cenohen interesat politike apo ekonomike si drejtues i parë i bashkisë Tiranë del në konferenca për të mbrojtur “pallate pa leje”, “hapësira publike të tjetërsuar me firmën e tij personale” nga shembja apo sekuestrimi.Ndërkaq një herë tjetër del me megafon stadiumi kur krijohet komisioni parlamentar për administrimin e buxhetit të bashkisë. Së fundi ka dërguar bashkë me biznesmenët e lejeve të ndërtimit në Tiranës mijëra faqe me pretenca akuzuese ndaj inspektoriatit të ndërtimit dhe kryeministrit të vendit.është e vërtetë se reformat në sistemin e drejtësisë, si në shumicën e vendeve ish-socialiste dhe ne Shqipëri, mbeten ndër sfidat kryesore. Askush nuk i kujton Edi Ramës se duhen edhe deputetët e Partisë Socialiste për të votuar reformën në drejtësi, që mbahet peng nga bojkoti i “kutive të hapura e të ri-lagura”. Zvarritja e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë është qëllimi i pashpallur i një politikë të re “përtej të majtës dhe të djathtës”.Fushata e pritshme e Ben Blushit, për të marrë sa më shumë deputetë pranë vetës do të nisi një “luftë”tjetër të heshtur mes socialistëve. Balancat deri në 7 mars do të ndryshojnë pasi është e pamundur që 63 deputetë të hedhin në erë mandatin vetëm për interesa të karriges së Edvin Ramës në krye të PS-së....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›