Rama konsultohet me aleatët para se të ulet në tryezë
Edi Rama ka vendosur të mos hedhë hapa të nxituar në tryezën e bisedimeve që pritet të mbahet nga Presidenti për zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar nga bojkoti i Parlamentit nga ana e opozitës. Në pritje që kjo tryezë të bëhet realitet ai ka nisur konsultat me aleatët e tij politikë, edhe pse asnjëri prej tyre nuk janë pjesë e Parlamentit të konfiguruar pas 28 qershorit. Gjithashtu, Rama ka vendosur të organizojë dhe një protestë të fundit, para se të hyjë në Kuvend, duke kërkuar që këtë herë të rikthehet në tribunë së bashku me aleatët, të cilët “i braktisi” që në muajin nëntor, kur vendosi që protestat t’i organizonte vetëm PS-ja. Një kafe dje në darkë me kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka shënuar nisjen e këtyre konsultimeve, që siç bëjnë të ditur burimet nga selia rozë, do të vazhdojnë dhe me krerët e partive të tjera të majta dhe me aleatët e rinj që Rama gjeti nga e djathta pas zgjedhjeve. Ndërkohë, mësohet se ai ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me kreun e G99-s, Erion Veliaj, dhe në vazhdim pritet të takohet me kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, eksponentët e LSI-së që u larguan nga Meta, si dhe me Spartak Ngjelën e Nard Ndokën nga e djathta. I pyetur nga gazeta “standard” për këtë takim, Milo tha se ishte një bisedë në parim për atë çfarë mund të diskutohet në një tryezë negociatash që mbetet si opsion potencial deri më tani. Duket se Rama po përgatit një plan propozimesh si një punë parapërgatitore për sjelljen që do të mbajë ai ose ndonjë përfaqësues tjetër nga ana e opozitës në bisedimet dypalëshe me partinë në pushtet. Por pjesë e bisedës nuk ka qenë vetëm situata politike, por dhe çështje të brendshme të opozitës. Milo bëri të ditur se Rama i ka bërë të ditur se PS po përgatitet për një tjetër protestë-miting, ku do të përfshihen dhe aleatët. “U fol dhe për protestat e ardhshme dhe PS kërkon bashkëpunim me aleatët në organizimin e tyre”, - tha më tej Milo. Kreu i PDS-së ishte i vetmi që e kritikoi Ramën në muajin dhjetor kur ai krejt papritur vendosi të dilte i vetëm në tribunat e mitingjeve, të cilat më parë i organizonte së bashku me aleatët. Milo tha se ky vendim u mor pa u konsultuar me aleatët, por me sa duket kryesocialisti Rama ka reflektuar dhe ka nisur konsultimet pikërisht me Milon, ndoshta dhe për të përfituar nga eksperienca e gjatë e tij në politikë dhe si një aleat i hershëm i PS-së. Rama po përgatitet për tryezë të nivelit të lartë, ku ai të jetë përballë Kryeministrit Berisha dhe duket se po shfrytëzon të gjitha këshillat e mundshme për të arritur në një marrëveshje në favor të tij.