E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Antiglobalizmi po diskreditohet si varianti i sotëm i marksizëm – leninizmit”

03-09-2012 / Gazeta 55

Importi i mbetjeve për riciklim - kryeministri Berisha firmos vendimin për reduktimin e artikujve nga 56 në 25 artikuj

Kryeministri Sali Berisha firmosi dje vendimin “Për disa ndryshime në vendimin “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi, dhe përpunimi” të qeverisë, me të cilin lista prej 56 artikujsh të importit të mbetjeve jeshile të riciklueshme përgjysmohet në 25 artikuj. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli u shpreh se, “Bashkimi Evropian ka një listë prej mbi 460 artikuj mbetjesh jeshile, qarkullimi i lirë i të cilave është i detyrueshëm për vendet anëtare dhe natyrisht Shqipëria, duke avancuar në procesin e saj të integrimit do të pranojë standardet dhe normat e kërkuara nga ky proces”. Ajo tha se qeveria ka zhvilluar konsultime të gjera me shoqërinë civile dhe grupet e interesit dhe konstatoi se, se ishte plotësisht e mundur që importi i mbetjeve jeshile të riciklueshme të reduktohej në 25 artikuj të tillë. Artikujt e importit janë të domosdoshëm për industrinë ricikluese, në të cilën figurojnë të punësuar 3000 shtetas. “Në stadin aktual, qeveria, pas konsultimesh të gjera me shoqërinë civile, zërin e të cilës Kryeministri është i vendosur ta dëgjojë, pas konsultimesh me grupet e interesit dhe biznesin, konstatoi se ishte plotësisht e mundur që importi i mbetjeve jeshile të riciklueshme të reduktohej në 25 artikuj të tillë, të cilët përdoreshin gjerësisht nga industria e riciklimit në Shqipëri, industri në të cilat janë investuar nga sektori privat vendas e të huaj mbi 400 milionë euro, nga letra te metalurgjia dhe ku janë punësuar mbi 3000 punonjës në vend. Kjo industri në kapacitetet e saj të mëdha përpunuese ka jetike lëndën e parë, dhe sasitë e saj në vend janë të pamjaftueshme”- tha ajo.
Zëdhënësja Mëhilli theksoi më tej se qeveria është e angazhuar në mbrojtjen e mjedisit dhe për këtë qëllim do jetë në dialog të vazhdueshëm me shoqërinë civile. Apeli i qeverisë për shoqërinë civile dhe grupet e interesit është që të kontribuojnë për mbrojtjen e mjedisit si dhe të shmangin rënien në anti-globalizëm, varianti modern i marksizëm-leninizmit. “Duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij është parësor për qeverinë shqiptare pasi për konceptin e saj, mjedisi është jeta, qeveria është e vendosur të ruajë një dialog konstant me shoqërinë civile. Qeveria fton edhe njëherë organizatat jo qeveritare të fushës së mjedisit dhe shoqërinë civile, të japin kontributin dhe ndihmesën e tyre të pandërprerë në mbrojtjen e tij, sikundër ju bën thirrje të shmangin rënien në anti-globalizëm, i diskretituar tashmë si varianti i sotëm i marksizëm – leninizmit”- tha zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli.
Këshilli i Ministrave miratoi dy javë më parë përgjysmimin e listës së materialeve të importit për riciklim, pas konsultave të vazhdueshme me shoqërinë civile. Duke e përshëndetur këtë vendim, Berisha tha se, ky është rezultat i një konsulte me shoqërinë civile, e cila ka kërkuar që tani pas një viti vëzhgimi, ato materiale që nuk janë kërkuar deri sot për riciklim, përveç hekurit, letrës e plastikës. “Këto materiale që gjatë këtij viti, nuk janë kërkuar të importohen, të hiqen nga lista. Mendoj se është veprim pragmatik, ndonëse se lista është 460, pavarësisht se pas marrjes së statusit ajo nuk do të bllokohet më. Por në këtë situatë, në raport me zërin e shoqërisë civile që ka meritë të madhe ndaj mjedisit. Edhe kur gabojnë ndonjëherë nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ato bëjnë avokatinë e mjedisit”- tha kryeministri në mbledhjen e Qeverisë ku u miratua vendimi për përgjysmimin e listës së materialeve të importit për riciklim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›