E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antikiteti arkeologjik

Nga Prof. Dr. Aleksandar Stipçeviç

Udhёpёrshkruesit kroatё nёpёr Shqipëri (2)

Si njeri me arsim humanist e ka ditur se banorët e Shqipërisë kanë jetuar në po të njëjtat vende ku nё kohët e lashta kishin jetuar fise të ndryshme ilire, dhe ka menduar se do tё ishte me vend dhe me mend qё pasardhёsit e tyre t’i quante me emër nga kohët e lashta. Ai me simpati flet mbi trimёrinё e tyre, mbi taktikat e luftёs dhe mbi mёnyrёn se si i zmbrapsnin sulmet e armiqve nё Shkodrёn e fortifikuar duke vrarё mё shumё se 3.000 ushtarё turq.

Shqipëria joshëse

Njё ndёr udhёpёrshkruesit mё interesantë nёpёr Shqipёri ka qenё Ivan Kukuljeviç Sakcinski. Nё vitin 1856, Kukuljeviç kishte vizituar Shqipёrinё nё kuadёr tё njё udhёtimi shkencor pёr nё Itali. Atij Shqipёria nuk iu duk aq interesante si hulumtues i librave dhe i dorёshkrimeve tё vjetra tё rёndёsishme pёr historinё e Kroacisё, ngaqë nё qytetet shqiptare nuk kishte materiale tё tilla, por gjatё rrugёtimit pёr nё Itali ai ka qёndruar nё tokёn e shqiptarёve dhe, si hulumtues kurioz, nuk ka mundur tё mos i pёrshkruajё ato qё i janë dukur interesante.

Qёllimi i rrugёtimit tё Kukuljeviçit ka qenё Italia, por, pasi nuk kishte lidhje tё drejtpёrdrejtë tё lundrimit ndёrmjet porteve kroate dhe atyre italiane, atёherё ka qenё i detyruar tё udhёtojё nga Kotori me anije me avull, sё pari nё ishullin Kërf, dhe mё pas tё niset pёr nё Itali. Nё atё rrugёtim, anija ёshtё ndalur nё disa vende nё bregdetin shqiptar, dhe pёr kёtё arsye ka patur mundёsi t’i vizitojё disa qytete bregdetare nё atё vend. Kishte vizituar Durrёsin, ku kishte jetuar Ciceroni nё ekzil, ndёrsa ushtria detare e Cezarit kishte festuar fitoren, mirёpo, siç thotё Kukuljeviç, tash nuk ka kurrfarё përmendoresh, as tё sunduesve grekё, as romakё. Nё qytet i vёren dy kisha tё vjetra me kube tё shndërruara nё xhami turke. Çfarё ka parё nё Durrёs, nuk e ka fascinuar edhe aq shumё. Sipas tij: Kёshtjella ёshtё gjysmë e rrënuar, ndërsa pёrfund mureve tё qytetit shtrihen disa topa tё vjetёr, tё cilёt i ruan njё ushtar turk, i mbёshtjellё me tallagan, i cilifare nuk lёviz dhe rri ulur si mumje egjiptiane.

Kruja e Skënderbeut

Anija vazhdoi rrugëtimin e saj dhe u ndal në Vlorё. Rrugës për në atë qytet mund të shihen shumë kapitele të kishave dhe ndërtesave, ndërsa pak më larg në kodrat e larta shquhet Kruja e famshme, froni i Skënderbeut dhe qyteti i Tiranёs me tetё xhamitё e saj, dhe me banorët e saj shqiptarë tё njohur pёr shkak të dinakërisё sё tyre të madhe.

Këtu Kukuljeviç ishte ngatërruar, ngaqë e kishte dëgjuar njërin prej bashkudhëtarëve, i cili i kishte dhënë të dhëna të gabuara, për shkak se nga anija ai kurrsesi s’ka mundur të shihte Krujën duke udhëtuar prej Durrësit për në jug. Në versionin më të gjerë të botuar më vonë në revistën “Vienac”, në vitin 1872, ka qenë më preciz. Kur u nis anija nga Durrësi dhe derisa lundronte për në Vlorë, sipas fjalëve të tij, nga deti i hapur kam parё nё tё majtё qytetin e Krujёs, selinё e famshme tё Skënderbegut, tё rrethuar me kodёr, nё tё cilin shkёlqente dёbora. Natyrisht që Kukuljeviç nuk ka mundur tё mos e përmendë Krujёn, ngaqë pikёrisht nё atё kёshtjellё qenë zhvilluar ngjarjet qё i kishte pёrshkruar rreth vitit 1840, nё dramёn e papёrfunduar “Skënderbeg”, dorёshkrimi i sё cilёs ruhet nё Arkivin e AASHK nё Zagreb. Nё kёtё version tё udhёpёrshkrimit ai mё hollёsisht pёrshkruan edhe Tiranёn: Shtёpitё e tyre janё dykatёshe dhe janё tё rrethuara me kopshte dhe pemishte tё bukura. Xhamitё e tyre stolisen nga plepat dhe qiparisat e lartё, ndёrsa vendi karakterizohet nga njё pastёrti e rrallё.

Përshkrimi fizik i shqiptarëve

Nga kuverta e anijes qё lundronte pёr nё jug, Kukuljeviç kurrgjё nga e gjithё kjo s’ka mundur tё shihte, ngaqë Kruja dhe Tirana janё goxha larg, nё veri.

Nё Vlorё takon shqiptarё, tё cilёt i pёrshkruan kёsisoj: “Qё tё gjithё kishin shtat tё bukur dhe fytyra tё bukura, gjysma e tyre kishin hundëshkabë, ndёrsa gjysma tjetёr ishin hundёdrejtё. Disa ishin flokёverdhё, disa flokёzi, ama tё gjithё kishin shikim prej trimi, sytё e mprehtё e tё çakёrdisur te disa tregonin egёrsinё e skajshme, ashtu qё nё ta as qё mund tё shikoje, dhe padashur m’u kujtua Apiani, i cili mbi ilirёt e lashtё thotё, se kishin sy qё tё kallin datёn ose qё tё magjepsin.”

Kukuljeviç ka pasur njohuri mbi qytetet e mёdha antike nё bregdetin shqiptar dhe e ka shfrytёzuar kohёn e shkurtёr qё kishte nё dispozicion, dhe qё me shpejtёsi t’i shihte ato mbeturina arkeologjike nga kohёt e lashta, por edhe t’i vёshtronte qytetet e atёhershme dhe banorёt qё jetonin nё to.

E përktheu nga kroatishtja z. Xhafer Syla

Vijon në numrin e ardhshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›