E Diel, 1 Nëntor 2026

Damiri i tregon Nënë Jovankës darkën që kaloi te shtëpia e Berishës

Nga

E dashur Nënë Jovankë.

E mora letrën tënde. Të mërkurën në mbrëmje shkova e takova kryeministrin në shtëpi. Isha në ankth si kishte kaluar aty, por letra jote më qetësoi. Kryeministri ishte mirë. Unë hyra aty rreth orës 10 dhe ndenja rreth një orë e gjysmë. M’i shpjegoi të gjitha ç’kishte bërë në Bosnjë. Më solli dhe letrën tënde dhe u gëzova shumë.

I shpreha shqetësimin tim që nuk munda të isha në krah të tij në atë vizitë, por kështu erdhën punët. Profetin s’e duan kurrë në atdhe të vet. As këtë nuk e duan këtu, as mua nuk më duan në Bosnjë. Por rëndësi ka që ka kaluar mirë dhe i ka vënë ca pika mbi i me ata plehrat tanë që më përndjekin mua.

Këtej punët janë mirë. Luli i ka vënë punët në vijë. Se, siç e di ti, dhe unë, dhe Luli kemi të njëjtin avokat. Këtë na ka dhënë kryeministri. Dhe ai Pango këtë ka pasur, por në fund kryeministri i tha këtij: “Mos e mbro” dhe ai u tërhoq. Ne po na shkon mirë. Lulit po përpiqen t’ia mbyllin gjyqin me procedurë, d.m.th., t’i thonë gjykatës mos e gjyko, se prokuroria ka kaluar afatin tri ditë. Por këta plehrat e prokurorisë kanë nxjerrë nga sirtari fakte të reja që do t’i paraqesin në gjykatë dhe thonë që kështu procesi vazhdon. Por kryeministri më tha që, sa të jetë ai gjallë, s’kanë për ta vazhduar, se ai do ngrejë njerëzit në rrugë kundër tyre.

Dhe atë mikun tim, Mediun, po e shpëton me këtë procedurë. Po përpiqet t’i ngrejë padi prokurorisë dhe ta shtyjë, sa të rizgjidhet deputet. Pastaj merr prapë imunitetin dhe sorollat dosjen nga Gjykata e Faktit në Gjykatë të Lartë. Se ma përsëriti dhe mbrëmë ky burri. “Po humba, - tha, - të dy ata djemtë do t’i lë kryetarë partish që të mos i prekin. Lulin të PD, Fatmirin të PR, dhe po deshën le t’i fusin në burg, se bëhen heronj si Fatos Nano. Duhet të mësojmë dhe nga gabimet tona”, - më tha. Se në fakt është penduar që e ka futur në burg.

Mbrëmë kaluam mirë shumë. Pimë nga një shishe verë bashkë. Ishte shumë i kënaqur, se të nesërmen do miratonte këtë protokollin e NATO-s. E ka mirë punën tani. Sado të flasin këta të opozitës, ai do mburret me NATO-n. Por e ka keq me këta amerikanët, se i thonë, po e përdore NATO-n politikisht kundër opozitës, do dalim kundër teje publikisht. Dhe është trembur pak, se i prish shumë punë. Këtu po përpiqet të hapë fjalë që e ka mirë me Amerikën dhe keq me ambasadorin, por s’para e besojnë këtë, se dalin gjithmonë ata nga Uashingtoni dhe thonë që ambasadori ka besimin tonë. Por sidoqoftë ishte i gëzuar.

Folëm gjatë për të gjitha gjërat. Dhe për fushatën që po vjen. Do t’u gjej një kompani për fushatën. Më tha hapur: “Këtë radhë mos ki merak për lekët. Madje, mund të rrisim dhe faturën dhe t’i lëmë ca mënjanë, se mund të vijnë ditë të vështira më pas.” Folëm dhe për gjyqin tim. Më tha: “Mos ki merak fare.” Letër-porositë nga Qiproja mund të vonojnë dhe mund të mos vijnë fare. Po s’erdhën ato, ç’do më bëjnë mua? Në fund të fundit, dhe po më dënuan, kiamet i madh. Nuk do vij më këtu. Autorizimet për çdo gjë ia kam lënë studios së Argitës, i ndjek ajo punët.

Folëm në detaje dhe për opozitën. Më ka vënë pak në siklet, se në fillim, kur nuk njiheshim mirë, unë kisha nevojë të krijoja besim dhe u nxitova, i kam pas thënë që kam ca video të Edi Ramës nudo. Dhe ai u bë shumë entuziast. Më tha: “Ku i ke gjetur?” S’dija ç’t’i thosha dhe i thashë që unë jam anëtar i bordit të WIKIPEDIA-s në internet. Ai e çmoi shumë këtë. Po ishte një gazetar pis aty që u tall dhe tha është gjithë lagjja ime anëtare, kushdo që ka internet në shtëpi. Por ai s’e kuptoi mirë. Dhe ua tha dhe atyre në parlament atë që unë kam materiale kompromentuese për opozitën. Tani m’i kërkoi ato, po unë s’kam ku t’i gjej. I thashë m’i kanë zhdukur, por mund të sajojmë diçka. I dhashë shpresë kot, se s’kam ku t’i gjej.

Po kur dola, se ç’ishte një që më filmoi me celular. Në fakt, nuk e kuptova, po pashë rojën që vrapoi ta zbonte. Ai do jetë mërzitur shumë, se s’më ka marrë në telefon pas kësaj. Në fakt, ai paskësh qenë kot, se ishte një vajzë në “City Long”, një lokal aty që më paska filmuar. E tmerrshme është në këtë vend. As të shkosh privatisht në një shtëpi s’të lënë. Dhe kryeministri e ka thënë publikisht që “shtëpia është kështjella ime”, po këta nuk marrin vesh. Dhe aty i bien më qafë. I ka thënë të gjitha, u ka kujtuar Kodin e Vdekjes, Kodin e Familjes, Kodin e Kanunit, po s’dëgjon njeri. Këta janë popull i çuditshëm, besojnë vetëm Kodin Penal dhe Kodin Civil, këto kodet e tjera të këtij kryeministrit nuk i duan. Kurse ky i do të gjitha këto Kodet. Kurse për Kodin Penal dhe Kodin Civil nuk ka shumë respekt. Më ka thënë kaq herë që “dua t’i ndërroj”, por i duhet konsensus.

Tani letrën po e mbyll. Siç e sheh, këtu telashet nuk mbarojnë kurrë, por shpresoj se do t’ia dalim mbanë. Më bëhet qejfi që je mirë dhe shpresoj që një ditë telashet e mia në këto vendet e Ballkanit të mbarojnë dhe unë të bëhem njeri normal si gjithë të tjerët dhe të shëtis i lirë, pa më futur njeri në burg.

Yti, Damiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›