Si shfrytëzohet energjia atomike në Evropë?
Energjia atomike është sot më e diskutuar se kurrë, dhe kjo në radhë të parë në Evropë. Për të mos u varur nga furnizimet me naftë dhe gaz nga jashtë, shtohen zërat për zgjerimin e energjisë atomike brenda BE. Energjia atomike shfrytëzohet më 31 shtete në mbarë botën. Sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Ekonomisë, të 444 centralet atomikë japin një prodhim të përgjithshëm bruto prej rreth 390.000 megavatesh. Përqindja e rrymës së prodhuar nga reaktorët atomikë në mbarë botën është 17%, ndërsa në BE, 31%. Italia është i vetmi vend i G8, i cili pas një referendumi para më shumë se 20 vjetësh hoqi dorë nga energjia atomike. Pas kthesës në politikën për energjinë, të realizuar nga kryeministri konservator, Silvio Berluskoni, deri në vitin 2013 duhet vënë themeli për ndërtimin e katër deri pesë reaktorëve, me një rendiment prej 1.800 megavatesh secili. Vendi i parë, i cili ka prodhuar energji atomike në përmasa të gjera për qëllime civile, ka qenë Britania e Madhe. Centrali i parë bërthamor nisi punën në vitin 1956. Ndërkohë, në mbarë vendin janë në funksionim 19 reaktorë, të cilët prodhojnë afro 15% të rrymës. Për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe të transformimit të klimës Londra, është kthyer përsëri gjithnjë e më shumë tek energjia atomike. Një ligj i ri për energjinë do ta lehtësojë ndërtimin e centraleve të planifikuar. Franca e shfrytëzon energjinë atomike si rrallë ndonjë shtet tjetër në Evropë, me 77%. Që prej krizës së naftës të vitit 1973, janë ndërtuar shumë reaktorë të rinj, për ta fuqizuar vendin në fushën e energjisë. Ndërkohë, Franca ka në funksionim 59 centrale bërthamore, një tjetër është në ndërtim. Në këtë mënyrë ky vend mbulon më shumë se tre të katërtat e nevojës së vet. Presidenti, Nicolas Sarkozy, përpiqet intensivisht për eksportimin e teknologjisë atomike franceze.
Në Gjermani, 17 centrale atomike prodhojnë rreth një të katërtën e rrymës. Meqenëse qeveria socialdemokrate ekologjiste ra dakord në vitin 2000 me industrinë atomike për ndërprerjen e përftimit të energjisë atomike, në Gjermani nuk lejohet ndërtimi i centraleve atomike. Deri në vitin 2021 duhet të dalin nga funksionimi të gjitha centralet. Megjithatë, Unioni Kristian Demokrat CDU, pas zgjedhjeve të shtatorit 2009 do ta shfuqizojë ndalimin. Afati i funksionimit të “centraleve të sigurta” duhet të zgjatet, për ndërtime të reja nuk diskutohet.
Për t´u bërë më të pavarur nga furnizimet me naftë dhe gaz nga Rusia, të gjitha vendet e Evropës Lindore po shfrytëzojnë më shumë energjinë atomike. Kështu, Bullgaria, që është e varur 95% prej gazit rus, vendosi t´i vërë në funksionim të dy reaktorët e tipit sovjetik në centralin Kosloduj, centrale që e kishin ndërprerë punën. Reaktorët e diskutueshëm u mbyllën për arsye sigurie në vitin 2007, direkt para pranimit të vendit në BE. Kjo ishte një nga parakushtet për pranim në BE.
Edhe Çekia është e interesuar për energjinë nukleare. Centrali atomik, Temelin, afro 100 km larg prej Gjermanisë, apo Austrisë do të zgjerohet nga dy blloqe në katër. Pavarësisht nga fakti se Temelin që tani i rëndon shumë marrëdhëniet me Austrinë, e cila e refuzon përdorimin e energjisë atomike
Sipas pikëpamjes së kundërshtarëve të energjisë atomike e ardhmja i takon kursimit të energjisë, energjive të rigjenerueshme dhe shfrytëzimit eficient të qymyrgurit, naftës dhe gazit.