E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyprillinjtë dhe aftësia shtetdrejtuese e shqiptarëve (I)

Nga Abedin Kaja*

Ashtu si shumë figura të shquara të dala nga trualli arbëror, edhe Qyprillinjtë e famshëm treguan se shqiptarët janë të aftë të drejtojnë, jo vetëm shtete, por edhe perandoritë më të mëdha të kohës, siç ishte ajo Osmane, në përbërje të së cilës ishin më shumë se pesëdhjetë shtete, të shtrirë në tri kontinente. Qyprillinjtë, ndryshe nga kryevezirët e tjerë, e zëvendësuan forcën dhe dëshirat personale me drejtësinë dhe arsyen. Ata, në përpjekje për të mbijetuar, me zgjuarsi dhe guxim shkruan historinë e suksesit brenda perandorisë duke dhënë vepra të shquara përparimi e humanizmi. Shumë prej shqiptarëve të larguar nga atdheu i tyre në kohë të ndryshme e për shkaqe të ndryshme kanë mbetur krenari e njerëzimit, deri edhe pjesë përbërëse e historisë së popujve ku kanë dhënë gjakun e lirisë dhe dritën e dijes. Jeta e tyre nis që me fillesat e qytetërimit, por, për fat të keq, madhështia e tyre ka nga pas dhe një lloj trishtimi: populli i vet di pak ose aspak që këto figura të ndritura janë rrënjë të gjenit shqiptar. Të flasësh për figurat e denja të historisë sonë fisnike dhe të nderuar nuk do mjaftonin qindra faqe, ndaj në këtë shkrim do të ndalemi vetëm te disa nga figurat më të spikatura të historisë sonë shekullore. Gjatë historisë së Romës, Deci, Klaudi i II, Aureliani, Diokleciani e deri te Kostandini i Madh ishin ilirë. Kostandini e zhvendosi perandorinë nga Roma në Kostandinopojë, ku në vitin 323, pas Krishtit u bë perandor i vetëm, dhe më 325 toleroi krishterimin si besim zyrtar (“Historia e Ballkanit”, G. Castellan f. 34). Kostandini i Madh ishte dardan nga Nishi i sotëm, ashtu si edhe Anastasi i I, Julani, i ashtuquajtur “shkëlqesi”. Shumë perandorë ilirë, si Diokleciani, Aureliani, Deci, Klori, Klaudi, Valeriani, Maksimilieni..., njeri pas tjetrit shkatërruan vërshimet e egra barbare që Evropës donin t’i mbytnin përparimin qytetar; goditën korrupsionin e brendshëm, mirë-drejtuan shtetin si reformatorë, arkitektë, ligjvënës e ushtarakë të zotë. Perandori ilir i Bizantit, Justiniani, (nipi i Perandorit të mëparmë, Justinit), ndërtoi shtetin e rregullt me të njohurin “Kodi i Justinianit”, përmbledhje e përpunim i kodeve të paraardhësve në Romë; lulëzoi Bizantin dhe e mbrojti me zgjuarsi nga vandalët.

Shqiptarët që arritën pozita të larta në shtetin osman janë me qindra. Ndërmjet tyre pranë Portës së Lartë kishte shumë vezirë e kryevezirë të fuqishëm siç ishin: Gedik Ahmedi, Davud-Pasha, Jahja Dukagjin, Kara Ahmedi, Koxha Sinan Pasha, Lutfi Pasha, Kara Muradi, Tarhunku Ahmed Pasha, Ajaz Pasha, dinastia e famshme e kryeministrave Qyprilli (Köprülü) dhe shumë të tjerë.

Koha e Qyprillinjve (1656-1683)

Veziri i madh Qyprili, Mehmet Pasha, përuroi një periudhë qëndrueshmërie të qeverisjes, e cila u shoqërua me rivendosjen e prestigjit të Perandorisë Osmane në të gjitha fushat. Në këto vite, që ndryshe janë quajtur edhe “Koha e Qyprillinjve” frenat e pushtetit osman ishin në duart e familjes Qyprilli. Kjo periudhë kohe fillon me sadrazemin (kryeministër) 80-vjeçar Mehmet Pasha dhe vazhdon me disa personalitete nga fëmijët dhe nipërit e tij.

Qyprilli Mehmet Pasha (1656-1661)

Qyprilli Fazil Ahmet Pasha (1661-1676)

Qyprilli Kara Mustafa Pasha (1676-1683)

Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691)

Qyprilli Husen Pasha (1698-1702)

Qyprilli Numan Pasha (1710, dy muaj e tre ditë)

Qyprilli Mehmet Pasha, arkitekt i ri-ngritjes së perandorisë

Në librin “Historia e Perandorisë Osmane”, faqe 233, përgatitur nga Robert Mantran, libër që iu referohet historianëve turq, francezë dhe rusë, shkruhet se Mehmet Qyprilli lindi në një familje shqiptare, ndoshta me prejardhje të krishterë, që më pas u vendos në qytetin Qëpry (Köprü), nga i cili mori edhe mbiemrin. Sot, ky qytet për nder të tij quhet Vezirqëpru (Vezirköprü). Po të kemi parasysh shumë emërtime të krishtera të vendeve në zonën e Roshnikut, por edhe konstatimin e gjeografit turk, Evlia Çelebiu, në vitin 1670, kur thotë se “nga Zhitomi, mbasi ecëm edhe një ore drejt veriut, arritëm në katundin Drobonik, i cili ka 150 shtëpi…”, të gjitha të krishtera (sot, fshat mysliman), rezulton se në vitin 1578, kur ka lindur Mehmet Qyprilli, edhe banorët e Roshnikut kanë qenë të krishterë dhe se islamizimi në këtë zonë mund të ketë filluar nga fundi i shekullit të 17, fillim i shekullit të 18. Veziri i madh, Mehmet Qyprilli, ka lindur në vitin 1578 në Roshnik të Beratit. Origjinën e tij shqiptare e vërteton, jo vetëm thënia e tij, që kur e pyesnin për origjinën, përgjigjej me krenari se “Atdheu im i lindjes është Kasabaja me emrin Roshnik që administrohet nga Beligradi shqiptar”, por dhe historianët turq dhe shumë autorë të tjerë vendas dhe të huaj, të mbështetur në burimet arkivore të kohës. Ai u dërgua që i vogël në Stamboll, i përfshirë në pengun (haraçin) e gjakut, i cili konsistonte në rrëmbimin e fëmijëve të krishterë dhe dërgimin e tyre në Turqi, ku, pasi rriteshin si myslimanë, dërgoheshin në ushtri (jeniçerë), apo nisnin karrierë në pallatin e Sulltanit. Në vitin 1623, Mehmeti, nën mbështetjen e boshnjakut Khosrev Pasha, ishte kuzhinier në kuzhinat e Pallatit. Për shkak të karakterit kryeneç dëbohet nga Pallati dhe dërgohet me detyrën e spahiut në qytetin Köprü të Anatolisë. Ai u vendos në Köprü dhe u martua me Aishe Hanëmin, të bijën e Josuf Agait, Pashait të zonës. Me ngjitjen e Khosrev Pashës në detyrën e Agait të Jeniçerëve, ai u thirr përsëri në shërbim dhe, kur Khosrev Agai u bë Vezir i Madh, e emëroi Mehmetin shef të Thesarit. Por edhe në këtë detyrë Mehmeti nuk mundi të qëndronte gjatë. Pas ekzekutimit të Khosrev Agait ai shërbeu si sanxhak-bej, apo si aga në provinca të ndryshme. Më pas kthehet përsëri në Stamboll, ku kryen detyra të ndryshme, si inspektor i arsenalit, komandant spahinjsh apo komandant i forcave të koracuara. Në vitin 1656 ai u bë Pasha me dy Tuje dhe iu ngarkua detyra e Guvernatorit të Tripolit. I propozuar nga bashkatdhetari i vet, kryearkitekti Imar Kasëmi, Pashai i panjohur 78-të vjeçar e pranoi funksionin e Vezirit të Madh vetëm pas zotimit nga nëna e Sulltanit se atij do t’i lihej dorë krejtësisht e lirë në qeverisjen e Perandorisë.

Politikat ekonomike të kryevezirit 80-vjeçar, Mehmet Qyprilli Pasha, shembull për ditët e sotme

Politikat e Vezirit të Madh (kryeministër), Mehmet Qyprilli Pasha, në drejtimin dhe administrimin e shtetit apo bashkësive të shteteve, janë për t’u admiruar edhe sot në kohë moderne. Duke ndjekur politikën e tij të rivendosjes së rendit në perandori, Veziri i Madh, Mehmet Qyprilli, bëri spastrimin e korpuseve ushtarake e civile dhe ndëshkoi zyrtarët ose oficerët që kishin zënë ofiqe pa të drejtë dhe pa pasur emërim zyrtar. Ai u tregua i rreptë edhe në fushën e financave duke disiplinuar dhe kufizuar shpenzimet e tepërta. Veziri i madh mori masa për të dënuar mashtruesit dhe për të detyruar mbajtësit e timareve dhe zeametëve që të ripërtërinin vërtetimet përkatëse duke paguar edhe një taksë. Në përgjithësi tatimet filluan të paguhen rregullisht dhe në fillim të qeverisjes së Qyprilliut si Vezir i Madh, ushtria mundi të marrë rrogat vetëm falë huave të detyruara, por të garantuara që shteti merrte nga pasanikët, ndërsa me kalimin e kohës rrogat filluan të paguheshin rregullisht. Në vitet 1660-1661, buxheti perandorak ishte praktikisht në baraspeshë, ku të ardhurat ishin 580 milionë aspra, ndërsa shpenzimet 593 milionë aspra dhe kjo gjë dëshmon se ç’përpjekje të mëdha u bënë për të shëruar financat shtetërore. Mehmet Qyprilliu shpesh është paditur si njeri tejet i rreptë, por, siç thotë Samiu, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat politike të asaj kohe, mund të falet dhe për shkak të rezultateve dhe shërbimeve që bëri në shtet, nuk lejohet të merret nëpër gojë. Gjithashtu, kryeministri i njërës prej Perandorive më të mëdha të kohës, asaj Osmane, në vitet 1656-1661, Mehmet Qyprilliu, është lavdëruar edhe nga shkrimtarë të kohës së tij ose të mëvonshëm, siç ishte Naima.

Qyprilli Fazil Ahmet Pasha

Lindi në vitin 1635. Pas vdekjes së Mehmet Qyprilli Pashës, frenat e drejtimit të perandorisë i mori djali i tij, Fazil Ahmet Pasha. Ai lindi në vitin 1635. Fazil pasha përfundoi studimet e plota në disa medrese të Stambollit dhe dha mësim në to. Më pas hyri në administratën shtetërore, u emërua guvernator i Erzurumit dhe i Damaskut. Gjatë kohë së tij si kryevezir (1661-1676), megjithëse veprimtarinë kryesore e zhvilloi në punët e jashtme, prapëseprapë Fazil Ahmet Pasha nuk i la pas dore punët e brendshme. Duke vazhduar politikën e t’et, ai u shtrëngoi mirë frenat përgjegjësve të administratës dhe e ruajti rreptësinë e mëparshme për çështjet financiare. Qyprilliu i ri ishte njëri nga më jetëgjatët në historinë osmane dhe fitoi nam të mirë. Në kohën e tij u ndërtua biblioteka që mban emrin e Qyprillinjve, e cila u kthye në një nga bibliotekat historike më të rëndësishme të Stambollit. Që kur ishte gjallë Fazil Mehmet Pashë Qyprilliu, historianët osmanë i lavdëruan punët e tij si burrë shteti dhe mbrojtës i shkrimtarëve dhe artistëve. Qyprillinjtë asnjëherë nuk zhvilluan luftëra fetare. Të gjitha komunitetet fetare ndjeheshin të barabarta në trajtim dhe vlerësim brenda hapësirës së Perandorisë Osmane, të drejtuar nga Qyprillinjtë. Fazil Qyprilli Pasha njihet si mbrojtës i njërës prej figurave të njohura hebraike, Zabata Zevi, që në vitin 1666 e shpalli veten si Mesia i Ri. Ky hebre nga Izmiri, i armiqësuar me hebrenjtë e “besimit të vërtetë”, mes tyre edhe rabini i madh ishte dënuar nga të tijtë me vdekje, por në vend të dënimit Veziri i Madh urdhëroi që Zabata Zevin ta shpinin në Shqipëri, në vendlindjen e babit të vet, Berat, ku edhe vdiq më 1675 ose më 1676. Në guxim, aftësi dhe shkathtësi ishte i njëjtë si babai i vet. Dallohej më tepër edhe me dituri, bujari, urtësi, maturi. I urrente dhe nuk i kushtonte rëndësi përhapjes së gjërave jo të rëndësishme. Për të pasuruar edhe më tepër bibliotekën e babait të vet, grumbulloi një numër të madh librash me vlerë të lartë. Ka lënë shumë pasuri të vlefshme (hajrate), si në Stamboll, ashtu edhe në Qyprilli. Kishte edhe talent për poezi. Sipas poetit akademik Xhevair Spahiu, gjatë kohës që Fazil Mehmet Pashë Qyprilliu ishte në krye të veziratit në vitet 1670, ai dërgoi në vendin e të parëve të tij, Berat, (në këtë kohë një nga qendrat më të zhvilluara ekonomike), gjeografin dhe kronikanin e njohur turk, Elvia Çelebiu, i cili shkroi për atë çfarë pa dhe dëgjoi për Beratin dhe beratasit.

Qyprilli Kara Mustafa Pasha (1676-1683)

Ky konsiderohej si djali i madh i Mehmet Pashës, por në fakt ishte me prejardhje turke, por i rritur në familjen e Qyprillinjve si djalë i adoptuar. Shërbeu si kryevezir 7 vjet, por ndryshe nga kryevezirët me gjak shqiptar, edhe pse i rritur në oborrin e tyre, Kara Mustafa Pasha ishte më pak i suksesshëm dhe thellësisht ksenofob. Më 1661 u gradua vezir dhe marshall. Shquhej si njeri i mençur. Kara Mustafa Pasha zuri vendin e Fazil Hamet Pashës si kryevezir. U emërua Vezir i Madh më 3 nëntor 1676. Ky riorganizoi ushtrinë e prishur në atë kohë dhe përmirësoi punët e shtetit. Ndërmjet viteve 1676-1681 ai drejtoi një varg fushatash jo fort të suksesshme kundër rusëve në Ukrainë. Me marrëveshjen e Radzinit, që u nënshkrua me rusët në shkurt-mars 1681, u pranua sprapsja e vijës së mbrojtjes osmane në Dniper e Bug, njohja e Carit si sovran i Rusisë. Qyprilli Kara Mustafa Pasha pati një sërë dështimesh dhe kjo bëri që ushtria turke të tërhiqej në Hungari. Pas një seri humbjesh, kundërshtarët e Kara Mustafa Pashës arritën të bindnin sulltan Mehmetin e IV që ta zhdukte Vezirin e Madh duke i prerë kokën në Edren, më 25 dhjetor 1683.

Qyprilli Fazil Mustafa Pasha (1689-1691)

Shërbeu 2 vjet e 3 muaj. Ishte djali i dytë i Mehmet Pashës dhe vëllai i Ahmet Mustafa Pashës. Ishte edukuar në medresetë turke, ishte vezir i zgjuar dhe qetësoi vendin nga trazirat. Ashtu si vëllai i tij, Fazil Ahmet Pasha, në vend të drejtimit me dorë të hekurt Qyprilli Fazil Mustafa Pasha e zëvendësoi forcën me drejtësinë. Një nga urdhrat e para të nxjerra nga Qyprillia, ishte të trajtoheshin mirë të krishterët dhe të mos kërkonin prej tyre taksa të tjera veç taksës për frymë. Në vitin 1691, rajatë u ndanë në tri kategori. Ata të kategorisë së parë duhej që në të ardhmen të paguanin katër dukatë për kokë; ata të së dytës dy dukatë; dhe të së tretës një dukat (Hammer, vëll. 12, fq. 309). Në lidhje me Traktatin e Karloviçit, Hammeri shkruan këto fjalë: “Nëse shembulli i humanizmit, për të cilin i urti Qyprilli kishte dhënë prova kundrejt të krishterëve nënshtetas të Portës së Lartë, do të ishte ndjekur nga vezirët e mëdhenj, pasues të tij, dhe nëse do të ishin zbatuar masat e tij të reja (nizami-xhedid), qëllimi i të cilave ishte të zëvendësonte forcën dhe tekat me drejtësinë dhe arsyen, të kthenin rendin dhe ekonominë në administrim, atëherë mirësia dhe fuqia do të kishin triumfuar me lehtësi ....” Jean-Claude (“Historia e Shqipërisë”).

* Pjesë nga referati i mbajtur në konferencën e organizuar në Berat me temë “Dinastia e Qyprillinjve në ish-Perandorinë Osmane”

Vijon në numrin e ardhshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›