E Diel, 1 Nëntor 2026

Një fuqi e re rajonale dhe rreshtimi gjeopolitik i shqiptarëve

Nga Mentor Tahiri

Të rezistuarit apo nënshtrimi ndaj kolapsit ekonomik që aktualisht ka kapluar globin, ndoshta më së miri po zbulon fuqinë reale të shteteve. Trendi i zhvillimit në Turqi, i cili ndonëse gjithashtu i goditur, megjithatë po tregohet i qëndrueshëm, në kushte kur jo vetëm vendet përreth po përjetojnë debakël financiar, e që në rastin e Greqisë sollën shtetin në kaos të pazgjidhshëm, na flet për një fuqi rajonale, e cila akoma nuk ka filluar të ecën me hapa të zhurmshëm, por po bëhet gjithnjë më e dukshme. Të sqarojmë që në fillim, nuk bëhet fjalë për një ringjallje të Perandorisë Osmane. Babai i kombit turk, Mustafa Kemal, prindërit e të cilit vinin nga një fshat i Dibrës, me kohë ka sqaruar këtë çështje dhe sekularizmi i shoqërisë turke mënjanon ëndrra të tilla. Bazuar mbi koncepte nacionaliste të ngulitura gjatë themelimit të Republikës, politika shtetërore e Ankarasë vështirë që do të devijojë nga kjo rrugë, pavarësisht partinë në pushtet.

Kosova dhe Turqia, në plan të parë të pakrahasueshme ndërmjet tyre, për shkak të demografisë dhe territorit, megjithatë kanë të përbashkët disa elemente kyçe që karakterizojnë përpjekjet politike në Prishtinë dhe Ankara. Në fakt, me gjithë dëshirën për bashkim me Brukselin, për të dy vendet mbesin të pakapërcyeshme barriera, ndonëse të natyrave të ndryshme. Kosova vazhdon të mos pranohet si shtet nga pesë shtete të BE, duke zbehur kështu mundësinë për integrime. Turqia, në anën tjetër, ndonëse gati në njëzet vite përpjekjesh për t’u anëtarësuar në BE, akoma mbetet shumë larg pranimit.

Fillimisht, shtetet e BE kishin vërejtjen e tyre në lidhje me nivelin e lirive, por edhe në rrafshin ekonomik. Kështu thuhej së paku zyrtarisht. Në të vërtetë, hyrja e Turqisë në BE do të ndryshonte krejtësisht raportet vendimmarrëse duke pas parasysh rritjen demografike që vendi po përjeton, por edhe shumë arsye tjera, aq më tepër që Ankaraja si aleate amerikane më shumë do të koordinohej me Uashingtonin se me Brukselin.

Sidoqoftë, së paku Turqia për momentin do të gjejë dobi nga kjo situatë. Ajo është plotësisht e lirë që të zhvillojë politikën e saj të jashtme pa pasur nevojë që në këtë të përfshijë Brukselin. Këtu vjen në shprehje edhe trashëgimia historike që politikën e sotme turke e ngjyros me nostalgjinë e së kaluarës, kur ka të bëjë me Evropën Juglindore apo edhe lidhjet kulturore e gjeografike në Kaukaz dhe më tej. Është pikërisht një epiqendër rajonesh përreth, ku SHBA kanë praninë e tyre dhe do ta kenë akoma më shumë. Në këtë kontekst, politika e jashtme e përbashkët evropiane, duke patur si kusht gjithmonë baraspeshimin e interesave të shteteve të ndryshme brenda unionit, jo rrallë ka çaluar karshi konflikteve në dhe përreth Evropës, të kujtojmë problemet me Rusinë dhe krejt atë vartësi prej furnizimit me gaz.

Fakti që presidenti Obama do të vizitojë Turqinë në fillim të prillit, paraqet një sinjal më shumë që tani ky vend përbën më tepër se një partner strategjik të SHBA, siç është konsideruar deri më tani. Greqia nuk përmendet fare në axhendën e kësaj vizite dhe Obama do të jetë presidenti i parë amerikan që viziton Turqinë pa vizituar së pari Athinën.

Gjithsesi, elementi më i rëndësishëm që sot i bën dy shtetet shqiptare dhe Turqinë të grupohen brenda një “ekipi” në lojën e madhe gjeopolitike, qëndron në faktin se Tirana, Prishtina dhe Ankaraja janë aleatët më të sinqertë që kanë sot SHBA duke e vendosur këtë pjesë të Mesdheut lindor në një zonë me interes të veçantë për politikën amerikane.

Si një zonë të cilës SHBA i kushtojnë rëndësi, rajoni përjetoi dhe do të përjetojë akoma më shumë ndikimin e frymës së lirisë dhe shtetet nuk mund t’i shmangen implementimit të këtyre vlerave. Politika e jashtme amerikane ndikoi edhe sferat e jetës të vendeve të rajonit të kurthuar nga problemet e pazgjidhura ndëretnike. Të mos harrohet, ishin shqiptarët ata që me votat e tyre e bënë Malin e zi, shtet të pavarur. Në fakt, shqiptarët bënë shumë më tepër. Ata me këtë e dëbuan Serbinë larg nga Adriatiku duke e izoluar më tej në lëmshin që ajo krijoi vetvetiu me politikën e saj hegjemoniste.

Ndikime të tjera të politikës amerikane u dalluan edhe këto ditë. Më saktësisht, një frymë obamiane po përshkon rajonin. Në Maqedoni, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, një kandidat maqedonas duke u përgjigjur në pyetjen se a do të ftojë votuesit e tij që në raundin e dytë të mbështetnin një kandidat shqiptar, plotësisht me gjakftohtësi u përgjigj pozitivisht, ndërkaq, për herë të parë, ndonëse larg nga institucionet shtetërore, lëshohen sinjale për hapjen e debatit mbi të ardhmen bilinguale të vendit. Kurse në Turqi, kurdët shënuan festën e tyre kombëtare, ditën e pranverës, me simbole të tyre kombëtare, midis Stambollit dhe plotësisht lirshëm, policia kësaj radhe nuk përdori shufra gome, në të vërtetë vetëm rregullonte komunikacionin që veturat të mos pengonin kremtimin.

Jo shumë vite më parë, pakkush, përfshirë edhe liberalët më romantikë, do të mund të parashikonin disa ndryshime që ndodhën dhe po ndodhin në rajon. Jo rastësisht po flitet për një rajon të vetëm, në lidhje me këtë gjeopolitika do ta thotë të vetën në vitet që vijnë. Ne si shqiptarë kemi shumë punë për të bërë, çështja jonë nuk është e zgjidhur në të gjitha viset shqiptare në ish-Jugosllavi, kurse historia kundërthënëse duhet të na mësojë që, nëse nuk kemi ditur si të veprojmë në ngjarje të caktuara historike, të përdoren ato dështime si një mësim më shumë për të përmirësuar veprimet tona në rreshtimin gjeopolitik pro-amerikan, ku tani jemi ndër më të besueshmit, por gjithashtu të na mësojë që si komb të synojmë edhe benefitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›