E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antikomedia

Kërkesa e organizatës ‘Gherush 92’ për ndalimin e ‘Komedisë hyjnore’ ka nxitur reagime të ndryshme anekënd botës. Për poetin Fahredin Shehu, kjo kërkesë është plotësisht në përputhje me tendencat globale për harmoni, tolerancë dhe paqen botërore, ndërsa poeti tjetër Ag Apolloni thotë se nuk duhet lexuar letërsia me pozicionime nacionale, religjioze, apo klanore, sepse një lexim i tillë është përçarës dhe krijon vetëm keqkuptime.

Para pak ditësh, nëpër mediet e ndryshme botërore u dha një lajm se organizata ‘Gherush 92’, e cila vepron si këshilltare në organet e OKB-së për çështjet që kanë të bëjnë me racizmin dhe diskriminimin, ka kërkuar tërheqjen e veprës ‘Komedia Hyjnore’ të shkrimtarit italian Dante Alighieri, për shkak se ka përmbajtje raciste, antiislame dhe antisemite.

“Vepra e Dantes është fyese dhe diskriminuese dhe nuk ka vend në shkollat e sotme”, ka thënë Valentina Sereni, kryetare e kësaj organizate. "Aty islamizmi paraqitet si herezi dhe Muhamedi si skizmatik, si dhe hebrenjtë përmenden si tradhtarë dhe fajdexhinj mashtrues e të pangopur”, vijon më tej ajo.

Mirëpo, si e priten poetët kosovarë këtë lajm? Kërkesën e organizatës ‘Gherush 92’ poeti Fahredin Shehu e konsideron si një kërkesë që i takon mendësisë bashkëkohore dhe sensibilitetit të globalizuar të njerëzimit aktualisht. Sipas tij, ajo është plotësisht në përputhje me tendencat globale për harmoni, tolerancë dhe paqen botërore.

“Natyrisht flitet për një çështje sensitive për të cilën ka shumë pak gatishmëri që të debatohet, por kujtoj se njerëzimi ka arritur në nivelin bukur të lartë të pjekurisë dhe duhet doemos të jetë në gjendje të ballafaqohet me secilën sfidë. Në botën demokratike ku liria e shprehjes është primare diskurse të këtilla janë më se normale”, tha Shehu.

Megjithëse atij si poet vepra e Dantes i pëlqen shumë, Shehu thotë se ajo është refleksion i kohës në të cilën është krijuar dhe, sipas tij, vlerat e sotme që në i çmojmë dallojnë nga ato të dikurshme.

Ai thotë se vepra ka elemente antisemite, raciste, homofobike dhe antiislame, mirëpo shton se në kohën e Dantes nuk është menduar si mendohet sot.

“Vepra natyrisht që ka elemente antisemite, raciste, homofobike dhe antiislame për të kuptuarit e sotëm dhe kjo nuk guxon të na hutojë, sepse këto koncepte janë të kohës së re dhe në kohën e Dantes nuk është menduar si mendohet sot, pavarësisht se askush nuk mund ta arsyetojë urrejtjen, e cila ka ekzistuar që në zanafillë”, shprehet Shehu.

Për poetin dhe studiuesin e letërsisë Ag Apolloni, të thuash se ‘Komedia hyjnore’ është antisemite, raciste, homofobike dhe antiislame, do të thotë t'i bësh reklamë një vepre që s'ka nevojë për reklamë, sepse e ka të garantuar lexueshmërinë. Ai tha për Express se akuza të tilla u janë bërë dhe vazhdojnë t'u bëhen edhe shkrimtarëve të tjerë, si:

Boccaccio, Omar Khajam, Shakespeare, Goethe, Byron, Gogol, Dostojevski, T. S. Eliot, Primo Levi, Jean-Paul Sartre, Salman Rushdie, Don DeLillo, Orhan Pamuk etj. Por, Apolloni mendon se më mirë është të jetojmë pa fe, se pa letërsinë e këtyre shkrimtarëve.

Sipas tij, ‘Komedia hyjnore’ është një parabolë poetike e cila duhet vlerësuar sipas kritereve mesjetare, sepse edhe vetë titulli me kritere të sotme nuk do të kishte kuptim.

“Sipas parimeve të poetikës mesjetare ‘komedia’ nuk ishte vepër qesharake, por vepër që kishte fund të lumtur. ‘Komedia’ e Dantes nis me ferr dhe mbaron me arritjen e lumturisë, me parajsë. Kështu që, nuk është e drejtë t'i biem në qafë Dantes me akuza që sidomos sot tingëllojnë demode. Vërtet ai e vendos pejgamberin e myslimanëve në ferr, por gjithashtu në ferr ai e vendos edhe Virgjilin, të cilin e donte mbi të gjithë poetët. Në ferr i vendoste jo vetëm keqbërësit, por të gjithë ata që nuk ishin të krishterë, ndonëse edhe shumë të krishterë nuk i kursente”, u shpreh Apolloni.

Mirëpo, kur është fjala për kriteret e vlerësimit Shehu mendon ndryshe. Ai thekson se jo vetëm veprat, të cilat janë krijuar gjatë periudhës së Mesjetës dhe Renesancës por edhe ato të mëhershmet edhe ato të sotmet duhet të vlerësohen me kritere bashkëkohore.

“Letërsia si e tillë është dinamike dhe po t’i mungonte kjo dinamikë ajo as që kishte arritur këtë nivel të zhvillimit që e ka sot. Ajo se po luhaten disa vlera me të cilat jemi ushqyer me dekada vlen si arsyetim jo kognitiv, por është nostalgjik madje, emocional”, tha Shehu.

A mund të kuptohet letërsia pa Danten?

Duke iu përgjigjur pyetjes se si do të dukej letërsia pa ‘Komedinë hyjnore’, Shehu theksoi se fillimisht duhet të kujtojmë se Dante nuk e ka shpikur letërsinë dhe se letërsia daton qysh më herët. Prandaj, sipas tij, letërsia botërore mundet edhe pa veprën e Dantes apo të cilitdo që i fyen ndjenjat e njeriut, në këtë rast njeriut bashkëkohor.

“Ajo se neve mund të na ketë shkatërruar dikush kënaqësinë në rastin konkret të leximit të Dantes apo iluzionit në jetën e përditshme, është totalisht një rrethanë tjetër që ka nevojë për diskutim në rrafshin psikologjik dhe kur e them këtë e kam fjalën se kam lexuar Danten edhe ‘Vargjet Satanike’ të Salman Rushdie dhe as Dante e as Rushdie nuk mërziten se në disa vende unë nuk pajtohem por se janë vepra artistike të nivelit, këtë nuk mund t’ua mohoj askush. Me rëndësi është që vepra të tilla mos të sakralizohen deri në nivelin që të krijon urrejtje në botën tonë të brishtë”, tha Shehu.

Në anën tjetër, Apolloni, i cili në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës është asistent i lëndës ‘Letërsi botërore’, tha se letërsia botërore pa ‘Komedinë hyjnore’ nuk mund të kuptohet, sepse, sipas tij, autori i saj hyn në katërshen më të madhe të letërsisë botërore: Homeri, Dante, Shekspiri dhe Goethe.

“Edhe nëse ka ndonjë 'defekt' fetar, arkitektura e ‘Komedisë hyjnore’ është gjigante, sa nuk mund ta djegim jorganin për një plesht. Mendoj se nuk duhet lexuar letërsia me pozicionime nacionale, religjioze, apo klanore, sepse një lexim i tillë është përçarës, krijon vetëm keqkuptime. Ne e dimë që letërsia gotike e sfidon kristianizmin, por megjithatë ajo është letërsi dhe duhet ta mirëkuptojmë. Në anën tjetër, e dimë që Tolstoj e Balzaku e ngritën veprën e tyre mbi një bazë religjioze dhe pikërisht kjo po u hakmerret sot”, tha Aplloni. Sipas tij, letërsia ka lindur para religjioneve dhe do të mbijetojë si e tillë, pavarësisht akuzave të pa sens.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›