Kuçi mbron kryenegociatoren Tahiri

Ndërkohë për mundësin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ai ka thënë se ato nuk do të kenë efekt politik e as juridik.
Zëvendëskryeministri Kuçi këto deklarata i ka bërë pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës. Kur është pyetur rreth deklaratave të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, për ndryshimet në ekipin negociator, ai është shprehur se nuk komenton deklaratat e pushtetarëve më të mëdhenj.
“Qeveria e Kosovës nuk i interpreton deklaratat e pushtetarëve më të mëdhenjtë se sa ne, sipas hierarkisë juridike, por dua të them se zonja Tahiri ka përfaqësuar qëndrimin e Kosovës në Bruksel”, ka theksuar Kuçi.
Duke u munduar që të arsyetoj ekipin negociator të Kosovës, Kuçi ka thënë se gjithkund në botë negociatorët kritikohen.
“Negociatat apo dialogu shpeshherë mund të jetë i suksesshëm, kurse negociatorët më pak, kudo në botë negociatorët kritikohen nga pak”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai ka shtuar se ditën kur kryeministri ka dilema edhe i bënë ndërrime në ekipin negociues.
Ndërsa i pyetur se a mund të ndaloj me forcë Qeveria e Kosovës mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, Kuçi ka thënë se i është bërë e qartë bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Serbisë, por edhe qytetarëve tanë atje se ato zgjedhje janë ilegale, do trajtohen si të tilla dhe nuk do të kenë efekt politik e as juridik.
“Unë besoj se të gjithë i dimë kapacitetet tona, i dimë limitet, po ashtu i dimë edhe mundësitë dhe vullnete. Shpeshherë vullnetet duhet të shikohet pak edhe me mundësitë tona, dhe kapacitetet”, ka deklaruar zëvendëskryeministri.
Por ai më pas ka dhënë një definim për shtetin që linte të nënkuptohej edhe përdorimin e forcës për ata që thyejnë rendin dhe ligjin.
“Unë e definoj shtetin kështu ‘Nuk është shteti aparat i dhunës, por shteti është aparat që ndërton rendin dhe të drejtën, dhe kush e shkel të drejtën dhe rendin, shtetit e ka monopolin me e përdor edhe dhunën. Unë po e them se kemi për qëllim me bë rend dhe drejtësi, por ata që bëjnë pengesa kanë me pas telashe”, ka thënë Kuçi. /kosovapress/