E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antikomunizmi, dosjet dhe duart e kasapëve

Se çfarë është ligji për dosjet që u miratua dje në Kuvend, na e thotë më mirë se kushdo një nga të burgosurit e regjimit komunist, z. Lubonja. Në një shënim në “Përpjekja” on-line, lexova këto rreshta:

“Janë më shumë se një problemet që ngre ky ligj në planin politik, juridik dhe moral, pasi çështja është mjaft komplekse. Nëse ka ndonjë gjë që ilustron thënien e Oscar Wild-it se, e "vërteta rrallëherë është e qëruar dhe kurrë e thjeshtë", është pikërisht problematika e këtij ligji. Prandaj, personalisht i kam mëshuar idesë se kjo është një gjë që kërkon kirurgë shumë të zotë, kurse tek ne kjo çështje është në duar kasapësh. Diferenca është e madhe: nëse kirurgu synon të shpëtojë jetë, kasapi synon të presë mish, që ta shesë për të nxjerrë fitime.

Cilat janë problemet kryesore që po hapin me hanxharët e tyre kasapët tanë për veten dhe për tërë shoqërinë. Problemi i parë është ai që vjen nga instrumentalizimi politik i antikomunizmit, që rrezikon ta tjetërsojë tërë çështjen e dënimit të krimeve të komunizmit - çështje kjo kaq e rëndësishme dhe vendimtare për të ardhmen vërtetë demokratike të shoqërisë. Dhe, kur them instrumentalizim, kam parasysh kryesisht mazhorancën, që po e vë në lëvizje këtë ligj, por edhe opozitën socialiste. Sot është vështirë të gjesh njeri që ka pak mend në kokë, i cili, duke iu referuar edhe përvojës së deritanishme të bëmave të politikanëve tanë, të mos e ketë të qartë se ky ligj nuk bëhet për shkak të ndjeshmërisë ndaj vuajtjeve të ish-të persekutuarve, por në kuadrin e një lufte politike në një moment kyç, ku e tërë politika e kundërshtarëve të Berishës është fokusuar në nxitjen e Prokurorisë për vazhdimin e hetimeve ndaj akuzave që i janë ngritur qeverisë, Kryeministrit e familjes së tij për korrupsion.

Me fjalë të tjera, ky ligj synon të trembë dhe ndrydhë Prokurorinë, edhe më shumë nga ç'është e ndrydhur dhe e nënshtruar, për sa u përket çështjeve të tilla të nxehta, si ajo e Gërdecit, rruga Durrës-Kukës, si dhe ajo Fazlliç (dhe ky kontroll mbi institucionin e drejtësisë është mendësi tipike e autoritarizmit komunist). Apo, të justifikojë atë që tashmë është thënë me kohë se këta procese janë vepër e njerëzve të lidhur me të kaluarën, që i instrumentalizon opozita, sepse me të i lidh e kaluara. Dhe kjo është metodë e njohur e komunizmit, i cili tërë dështimet e tij ua atribuonte sabotimeve dhe veprimtarisë armiqësore të mbeturinave të borgjezisë.

Por, ndërkaq, edhe opozita, duke u strehuar tek mbrojtja e prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk hedh asnjë hap më tej për sa i përket dekomunistizimit të radhëve të saj dhe të mbështetësve të saj. Ishte tipik fakti që, ndërkohë që Berisha e akuzonte Ramën se i mbron prokurorët për shkak të së kaluarës komuniste të familjes së vet, Rama e mbronte familjen e vet duke mbrojtur indirekt edhe të kaluarën e saj komuniste. Kishte edhe një rrugë tjetër Rama: t'i thoshte Berishës: ti edhe im atë keni qenë komunistë deri më 1990-n në një front, kurse unë distancohem nga vepra juaj e përbashkët deri më 1990-n”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›