Kriza e besimit mes pacientëve e mjekëve, dy anë të medaljes
Dhunimi i mjekut përbën jo vetëm një krim të shëmtuar e absolutisht të ndëshkueshëm, por ndërkohë përbën edhe turp qytetar dhe shoqëror. Është për të ardhur keq që, në radhët e shoqërisë sonë kemi edhe elemente anakronikë e me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilët, të dominuar nga ekspresiviteti dhe mospërmbajtja, mundohen t’i zgjidhin problemet me violencë dhe vetëgjyqësi.
Është absurditet dhe vakum qytetarie të dhunosh mjekun, për të vetmen arsye që nuk dha një recetë, që nuk i lejohej ta jepte. Si mbarë opinioni qytetar, edhe unë kam ndjekur me vëmendje opinionet e qytetarëve, e në veçanti ato të profesorëve dhe të personaliteteve me emër të mjekësisë shqiptare në “Shekulli”, si Anesti Kondili, Isuf Kalo, Pjerin Radovani, etj., që ndonëse në shkrimete tyre përdorin terma shkencorë, juridikë, letrarë, filozofikë, të gjetura dhe të goditura bukur, por që çuditërisht, herë hapur dhe herë tërthorazi, mbajnë padrejtësisht anën e mjekut, duke e humbur ekuilibrin në trajtimin objektiv dhe të paanshëm të problemit në raportet mjek-pacient.
Është vendi të kujtoj proverbin popullor se, “Atje ku ka zë, nuk është pa gjë”. Me këtë dua të nënvizoj se pavarësisht se pjesa determinonjëse e mjekëve janë korrektë dhe humanë ndaj pacientëve, është fakt i pamohueshëm se kemi edhe mjekë që përgojohen, përfliten dhe lakohen shumë për mitmarrje, ryshfet, për sjellje të padenja, jo qytetare dhe antinjerëzore dhe humane ndaj pacientëve qytetarë. Në veçanti, kjo është e dukshme tek kirurgët, tek shefa të ndryshëm pavijonësh, që demonstrojnë sjellje dhe marrëdhënie të ftohta, të vrazhda dhe aspak korrekte dhe qytetare, që sillen me pacientët si bajraktarë, si fodullë dhe padronë, e si zyrtarë tipikë burokratë, që sorollatin dhe vërdallosin njerëzit për hiçgjë, duke i vlerësuar të sëmurët si qenie inferiore të rëndomta dhe pa personalitet.
Është e pakëndshme, por është fakt se, më lehtë është të takosh dhe të sqarosh një problem me një funksionar të larte dikasteri, se sa të takosh e të zgjidhësh një problem me shefin e pavijonit të sëmundjeve të zemrës, ndonëse në këtë pavijon ka edhe mjekë si, Albana Doko e ndonjë tjetër, që sillen në mënyrë shembullore me pacientin e tyre. Por, gjithsesi, kriza e besimit midis pacientëve dhe mjekëve është një realitet i padëshirueshëm dhe, si e tillë, duhet parë e gjykuar me transparencë, me objektivitet, paanshmëri dhe duhet zgjidhur me masa konkrete.