Diasporë-Atdhe
Diasporat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të rëndësisë primare në determinimin e zhvillimeve në vendet e tyre origjinale, që nga përpjekjet për dalje nga zgjedha e robërisë, e deri te çështja kruciale e përparimit ekonomik. Shqiptarët e Gadishullit Ballkanik kanë një diasporë globale ndër më të fortat dhe larmishmet, si nga prejardhja territoriale etnike, ashtu edhe për nga shpërndarja gjeografike nëpër botë. Porse ne jemi prapa të gjithë tjerëve në Ballkan sa i përket mbëltimit të marrëdhënies vend i prejardhjes-diasporë.
Sukseset, fuqia, profesionaliteti dhe rëndësia e diasporës shqiptare, janë dëshmuar në mënyrë konsekuente prej se ekziston historia e saj. Fatkeqësisht, përfaqësuesit e institucioneve të shqiptarëve në Ballkan, më shpesh se më rrallë, e kanë trajtuar diasporën sikur të ishte një kartë nën mëngë, për të cilën mendohet vetëm kur nevojitet. Koha ka ardhur që relacioni vendlindje-diasporë shqiptare të vendoset në binarë instituticionalë dhe të ndërsjellshmërisë. Kjo thirrje bëhet edhe më urgjente kur venerohet fakti që tani Kosova është shtet dhe Ballkani është në udhëkryq se çfarë drejtimi do të marrë në aspektin e (ri)organizimit politik dhe ekonomik.
Organizata të shumta në diasporë kanë qenë vazhdimisht të angazhuara dhe tash janë duke arritur klimaksin e përpjekjeve për lobim (ekonomik) në përfaqësitë e shteteve nga mbarë bota, në Kombet e Bashkuara në New York e Gjeneve dhe në zyrat e Kongresit dhe Senatit të fuqisë numër një në planet, SHBA-ve, në Washington D.C. Sido që të jetë, ndërsa është arritur objektivi i pavarësisë së Kosovës, radiusi i veprimtarisë së diasporës për të mirën e vendlindjes është zgjatur shumë dhe rrezikon të arrijë pikë inflekcioni në kah të indiferencës, margjinalizimit, dhe tërheqjes nga aktivizmi patriotik, nëse ai nuk merr përkrahje nga vendet tona në Ballkan. Diaspora shqiptare nuk mund të mbajë barrën e reprezentimit vullnetar të interesave të shqiptarëve në Ballkan pa bashkëpunimin dhe kundërpeshën e vijës së institucioneve nga vendlindja. Ora është dymbëdhjetë pa pesë dhe ende kemi edhe pesë minuta që, më në fund të shtyjmë përpara ide të kahershme dhe të nevojshme, siç janë pjesëmarrja në qeverisje dhe përfaqësimi i diasporës me deputetë direkt në Kuvendet e Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, dhe Malit të Zi. Diasporës shqiptare i nevojiten kanale zyrtare komunikimi dhe bashkërendisje me vendlindjen, ashtu që ajo të mund të jetë efektive dhe efikase. Një punë tjetër që nuk pret, është hapja e zyrave për biznes, të ngjashme me dhomat e komercit anë e kënd ku ka shqiptarë nëpër botë.
Mërgata shqiptare në fillim të shekullit XXI, është duke u ngjitur me shpejtësi drejt një zeniti premtues. Ajo asnjëherë më parë nuk ka pasur gjak kaq të freskët, anëtarë kaq të edukuar, kaq të suksesshëm në biznes, shkencë, lobim, dhe, të shpresojmë, së shpejti, në politikën amerikane ose te vendeve ku jetojnë shqiptarët. Diaspora jonë dërgon mbi një miliard dollarë në Ballkan, në formën e remitancave për çdo vit, mirëpo çfarë nevojitet për ndryshime ekonomike rrënjësore janë investimet private ose direkte të jashtme, të cilat mund të vijnë ose të ndërmjetësohen nga anëtarë të diasporës, që punojnë për korporatat dhe fondet më të mëdha dhe moderne në botë, apo kompanitë private të tyre. Natyrisht, nga entitetet tona në Ballkan, kërkohen sisteme politiko-ligjore që janë stabël dhe penalizojnë korrupsionin.
Qeveria e Kinës, aktivisht ka mirëmbajtur relacionin me diasporën kineze që nga fillimi i hapjes ekonomike, duke theksuar rëndësinë e patriotizmit, por duke ofruar paketa shumë stimuluese taksore dhe të investimeve për kinezët nga diaspora dhe sidomos nga Tajvani. Përndryshe, investimi direkt i jashtëm ka qenë faktori që ka përcaktuar Kinën të bëhet fuqi e llogaritshme prodhuese dhe tregtuese në ekonominë botërore. P.sh., në vitin 2002, nga 48 miliardë dollarë, që kanë rrjedhur drejt Kinës si investim direkt i jashtëm, më se gjysma e asaj shume zanafillën e ka pasur në diasporën kineze. Pyetja që shtrohet këtu është: A kanë entitetet shtetërore shqiptare në Ballkan të tillë strategji për investorët nga diaspora shqiptare dhe a ka, fjala bie, Republika e Shqipërisë të tillë trajtim për investorët nga Kosova apo anasjelltas?
Është një fakt që meriton të ceket, remitancat që Kina ka marrë prej vitit 1991 deri me 1998-n, kanë qenë vetëm 4 miliardë dollarë. Kjo e dhënë reflekton përfundimin se relacioni i Kinës me diasporën e saj ka qenë një model biznesi, që ka pasur si parakusht transferin e kapitalit the dijes profesionale. Entitetet shqiptare në Ballkan janë ndoshta të vetmet sot ku nuk ka tregje formale kapitali dhe bursa(t) ekzistojnë vetëm si eksponate. Diaspora shqiptare mund të jetë infuzioni i trurit, që do të etablojë tregjet e kapitalit monetar dhe atij njerëzor. India, në vitin 1998, p.sh., emitoi një shitje të madhe të bonove të thesarit me afatizim prej pesë vitesh të garantuara nga Banka Shtetërore e Indisë. Blerës të këtyre bonove me leverdi financiare për Indinë dhe investorët, mund të ishin vetëm indianët jorezidentë nga diaspora. Izraeli, Meksikoja, Ekuadori, Argjentina, Malajzia, Franca, janë vende të tjera që rrinë në kontakt dhe i ikin ambivalencës së panevojshme në raport me diasporat e tyre. Shembujt janë të shumtë dhe ne shqiptarët nuk nevojisim të rizbulojmë rrotën, por të kërkojmë nga njerëzit e instituticioneve atë për çfarë janë votuar- të qeverisin për interesin e qytetarëve dhe njerëzve të tyre në diasporë.
Diaspora shqiptare në mbarë botën, sidomos ajo në SHBA, mund të jetë burim i avantazhit politik dhe ekonomik. Qeveritë që janë indiferente, mosmirënjohëse, dhe përjashtuese për diasporën, me gjasë të madhe i heqin vetes nga dora një mjet të fuqishëm për përparim. Strategjia për diasporën nuk është zëvendësim i politikave zhvillimore, mirëpo të dyja së bashku mund të prodhojnë rezultate me sinergji të lartë.
Shekulli i XXI-të ka vazhduar tkurrjen metaforike të koncepteve kohë dhe distancë dhe bota, virtualisht, i ngjason një fshati global. Sot është koha e transnacionalizmit. Rëndësia e diasporës është e padiskutueshme, por përvoja e të jetuarit larg nga vendet amë është një shpatë me dy tehe. Në histori, diasporat, herë të shpeshta, edhe janë zhdukur pa shenjë e nam, duke u bërë pjesë e bashkësive njerëzore të reja ose paraekzistuese në vendet e emigrimit. Nevojshmëria e ndërsjellë diasporë-atdhe, do të mundësojë që ky relacion të jetë me fitues të dyanshëm. Shumica absolute e njerëzve në diasporë janë të bindur për këtë. A janë qeveritarët tonë në entitetet tona në Ballkan?
*Autori është aktivist i komunitetit shqiptaro-amerikan në New York / Titulli është i redaksisë. Titulli i plotë: Nevojshmëria e ndërsjellë Diasporë -Atdhe