Antikontrabanda, 96 milionë lekë mallra të bllokuara
Grupet e Antikontrabandës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kanë ushtuar kontroll në të gjitha pikat doganore në vend për periudhën 1 deri në 13 tetor 2008, duke vendosur penalitete në një shumë të konsiderueshme prej rreth 96 milionë lekësh. Subjektet kanë pasur shmangie në vlerë dhe sasi të mallit, në ndryshim me faturat e paraqitura në doganë. Gjatë kontrolleve të grupeve të Antikontrabandës për të njëjtën periudhë janë gjetur edhe sasi të konsiderueshme mall i padeklaruar. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 677 steka cigare të markave të ndryshme kryesisht “Marlboro”, të ndodhura në bagazhet e automjeteve, mall i cili tentohej të futej kontrabandë si dhe 100 kg kafe. Trupat e Antikontrabandës ushtrojnë kontroll të vazhdueshëm gjatë 24 orëve pranë pikave doganore.