E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikorrupsioni, Pollo-Brusa: Gjyqtarët e deputetët pa imunitet

TIRANE- Heqja e imunitetit të gjyqtarëve dhe deputetëve me qëllim që ata të hetohen lehtësisht kur akuzohen për korrupsion, ka qënë temë diskutimi në takimin e gjashtë të Grupit Drejtues të Projektit kundër korrupsionit në Shqipëri. Të pranishëm në këtë takim ishin ministri për Inovacionin dhe TIK Genc Pollo dhe zv/ambasadori i BE-se në Tiranë, Luigi Brusa.

Ministri Pollo dhe diplomati europian ndanë të njëjtin qendrim për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve e deputetëve.
“Që të luftohet korrupsioni, jemi pro kufizimit të imunitetit për gjyqtarët e deputetët. Edhe raport-progresi thekson se në gjyqësor duhet të merren masa antikorrupsion”, tha Pollo.  Ai theksoi se, “opozita nuk duhet të vendosë masa plus për imunitetin”.

Ndërsa zv.ambasadori i BE-së, Brusa u shpreh se kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve dhe deputetëve është me rëndësi, pasi deri tani ka qënë i pamjaftueshëm zbatimi i masave antikorrupsion.

“Korrupsioni mbetet problem në shumë fusha. Pengesa sjell moskufizimi i imunitetit të gjyqtarëve e deputetëve. Prandaj autoritetet duhet të marrin masa për kufizimin e imunitetit dhe luftën ndaj korrupsionit”, theksoi diplomati europian.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›