E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antikorrupsioni, Presidenti më i vlerësuar

10/12/2008  Sondazhi i ZMQ-s, media dhe shoqëria civile marrin më shumë vota nga qytetarët

Procesi i hartimit të ligjeve në Kuvend konsiderohet si plotësisht jotransparent

Shoqëria civile, media dhe Presidenti i Republikës vlerësohen si grupet që kanë kontribuar më mirë në luftën kundër korrupsionit. Tre sektorët me besimin më të ulët të publikut në luftën antikorrupsion janë zyrat e përmbarimit, doganat dhe agjencitë e kthimit të pronave. Kjo bëhet e ditur përmes raportit vjetor mbi korrupsionin në Shqipëri gjatë vitit 2008, i cili u bë publik nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve. Në raport vlerësohet se papunësia, korrupsioni dhe çështjet e pronësisë mbeten tri problemet kryesore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare gjatë këtij viti. Ndërsa energjia nuk konsiderohet më si problem kryesor. Ndryshe nga dy vjet më parë, tashmë shihet si një problem pjesërisht i zgjidhur.

Raporti

Pjesëmarrësit në sondazhin e organizuar nga ZMQ-ja kërkojnë një reagim më të madh qytetar ndaj fenomenit të korrupsionit dhe renditin mungesën e zbatimit të ligjeve si një nga arsyet kryesore në mosluftimin sa duhet të korrupsionit. Sipas raportit, 38 % e të anketuarve thonë se duhet më shumë reagim qytetar, 21 % i kanë shpresat te një medie profesionale dhe e pavarur dhe afro 17 % kërkojnë më shumë transparencë në vendimet e qeverisë. Çështjes se çfarë pengon për të arritur më tepër në luftën ndaj korrupsionit 36 % e të anketuarve renditin moszbatimin e ligjeve, 18 % mungesën e vullnetit politik dhe 11 % kërkojnë reagim më të fortë civil. Por anketimi nxjerr në pah se shqiptarët mbeten krejtësisht të paqartë mbi rolin e opozitës dhe qeverisë në luftën kundër korrupsionit. “Skepticizëm i lartë vazhdon të mbetet në rolin e sistemit të drejtësisë, përfshi këtu gjykatat dhe prokurorinë”, - vlerësohet në raportin e ZMQ-së. Në këtë sondazh, i cili është realizuar në 5 qytetet kryesore, janë intervistuar 1300 qytetarë.

Vlerësimet

Media, shoqëria civile dhe Presidenti kanë mbledhur më tepër vota nga qytetarët shqiptarë për sa i takon kontributit në luftën kundër korrupsionit. Kështu, ndërsa media dhe shoqëria civile kryesojnë, përkatësisht me 679 dhe 621 vota, Presidenti i Republikës kryeson listën e të gjitha institucioneve shtetërore me 485 vota për sa i takon besimit të publikut në luftën antikorrupsion. Pas Presidentit është qeveria ajo që ka mbledhur më shumë vota (435) dhe më pas renditet opozita me 430 vota. Institucione të tilla si Prokuroria dhe gjykatat kanë marrë respektivisht nga 370 dhe 350 vota, ndërsa policia vlerësohet me 230 vota. Sipas sondazhit të kryer, institucionet që gëzojnë më pak besim te qytetarët për kontributin e dhënë në luftën kundër korrupsionit janë Përmbarimi (80 vota), Agjencia e Pronave (110 vota) dhe doganat e tatimet (130 vota). Sipas sondazhit, 36 % e qytetarëve mendojnë se shkaku kryesor që pengon arritjet në luftën antikorrupsion është moszbatimi i ligjeve, 18 % e lidhin me mungesën e vullnetit politik, 10 % me mungesën e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe 9 % me mungesën e ligjeve.

Kuvendi jo transparent

Sipas sondazhit të kryer nga ZMQ-ja, vetëm 1 % e të anketuarve shprehen se kanë pasur mundësi të japin kontributin e tyre në hartimin e ligjeve në Kuvend. Kjo përbën edhe shifrën më të ulët në të gjithë raportin e bërë publik nga ZMQ-ja. Shoqëria civile mbetet i vetmi grupim i interesuar që kujdeset të mbledhë e të konsiderojë opinionin dhe aktivizimin e qytetarëve.

Problemet më të mëdha

Papunësia dhe korrupsioni vlerësohen si problemet që shqetësojnë më tepër shoqërinë shqiptare. Për këto dy fenomene kanë votuar përkatësisht 850 dhe 740 qytetarë. Sistemi shëndetësor dhe çështjet e pronësisë vlerësohen si dy problemet e tjera shqetësuese, të cilat votohen përkatësisht me 490 dhe 470 vota. Mungesa e energjisë elektrike vlerësohet si më pak shqetësuese.

Pengesat më të vogla

Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore vlerësohet si pengesa më e vogël për të shtuar arritjet në luftën kundër korrupsionit. Në anketimin e bërë vetëm 7 % e qytetarëve e konsiderojnë këtë si një pengesë. Mungesa e ligjeve dhe ajo e informacionit për opinionin e gjerë vlerësohen sërish si pengesa jo të mëdha, ndërsa moszbatimi i ligjeve vlerësohet si shkaku kryesor në mosarritjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›