E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të bashkohemi kundër Berishës

10/12/2008  Kreu i LSI-së fton Ramën në takim për të diskutuar mbi administrimin e zgjedhjeve

“Fitorja e pritshme e opozitës mund të komprometohet dhe kontestohet prej kreut të mazhorancës”

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta i është drejtuar zyrtarisht për një takim kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Pak ditë më parë nga lidershipi i LSI-së është drejtuar një letër për kryetarin socialist, ku i kërkohet një takim mes dy drejtuesve të majtë për të diskutuar mbi kodin e ri zgjedhor, e konkretisht për administrimin e zgjedhjeve. Një kërkesë e tillë erdhi si pasojë e kthimit për rishqyrtim në Kuvend të këtij kodi nga ana e Presidentit. Duke marrë shkas nga kjo mundësi e krijuar, Meta i kërkoi Ramës që të ulen për të diskutuar, me qëllim që të garantohet fitorja e së majtës, e cila mund të komprometohet nga Kryeministri Berisha. Ndërkohë nga ana e PS-së nuk ka ende një përgjigje zyrtare për LSI-në përveç një qëndrimi të ardhur nga ana e Ramës gjatë një emisioni televiziv. Sipas këtij qëndrimi, mes Ramës dhe Metës nuk mund të ketë një takim që të jetë i përqendruar në një diskutim për Kodin. Kjo pasi për Ramën çështja e Kodit Zgjedhor është e mbyllur.

Letra

Kryetari i LSI-së Ilir Meta në letrën e tij e ka vënë theksin në rëndësinë që përmbajnë në vetvete zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 lidhur me proceset integruese të vendit. “Këto zgjedhje janë me një rëndësi vendimtare për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, për progresin e saj të mëtejshëm zhvillimor, por edhe për të plotësuar detyrimet institucionale të vendit në procesin e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, - thuhej në këtë letër. Sipas Metës, realizimi me sukses i zgjedhjeve të ardhshme është një detyrim themelor i politikës dhe çdo partie politike, është përgjegjësi e çdo politikani a drejtuesi politik. Për këtë arsye, kreu i LSI-së thekson në letrën e tij se “me këtë detyrim dhe përgjegjësi LSI-ja ka shprehur kundërshtimet e saj ndaj disa dispozitave të Kodit të ri Zgjedhor në lidhje me administrimin e zgjedhjeve, dispozita që bien në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës, me rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2005, me nenin 7.6 të Dokumentit të Konferencës së Kopenhagës për Dimensionin Human të OSBE-s, me Kodin e Etikës për Zgjedhje të Këshillit të Evropës, pra me standardet e pranuara ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme”.

Kërkesa

“Përpjekjet e Berishës për ta lënë riparimin e çështjeve të kontestuara krejtësisht në dorë të opozitës na ngarkon si parti opozitare me përgjegjësi edhe më të madhe për të sotmen dhe për të nesërmen e demokracisë dhe stabilitetit në vend. Sali Berisha përsëri mund të vërë dorë mbi zgjedhjet e vitit 2009 dhe votën e lirë të shqiptarëve, por edhe fitorja e pritshme e opozitës mund të komprometohet dhe kontestohet prej tij”, - vlerësohej në letrën e Metës për kreun e PS-së. Sipas tij, nesër nuk do të ketë asnjë justifikim dhe asnjë alibi për mosshfrytëzimin e kësaj mundësie të krijuar nga kthimi për rishqyrtim i Kodit. Për këtë arsye Meta kërkoi nga Rama që të reflektojë mbi këtë çështje. “Zoti kryetar i Partisë Socialiste, do t’ju kërkoj që të reflektoni mbi këtë mundësi për t’i dhënë vendit një kod zgjedhor që prodhon zgjedhje të lira, të ndershme e të pakontestueshme. Unë jam i gatshëm të takohem me ju për të shqyrtuar konkretisht mundësitë që krijon një rast i tillë”, - shkruhej në këtë letër.

Petrit Vasili

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, si përgjegjësin kryesor për prishjen e standarteve të zgjedhjeve. “Ne po e bëjmë publike për të ditur në çdo rast e në çdo rrethanë se cilët janë fajtorët dhe ata që morën përgjegjësinë shumë të rëndë për të prishur zgjedhjet në Shqipëri. Në këtë rast janë qartësisht të identifikuar që është Edi Rama dhe lidershipi i PS-së”, u shpreh Vasili.

Edi Rama

“Unë kam qenë dhe do të jem i gatshëm të ulem dhe të diskutoj me Ilir Metën si me çdo kënd tjetër pa asnjë dallim dhe pa asnjë paragjykim, por në rastin konkret, dua ta them se kemi shumë gjëra për të diskutuar, por të mos e harrojmë dhe të mos bëjmë sikur nuk e kuptojmë se procesi i miratimit të Kodit Zgjedhor në Kuvend është një proces i mbyllur”, iu përgjigj ftesës së Metës për takim, kreu Rama gjatë një interviste televizive.

Kodi Zgjedhor

Ligji elektoral u miratua në Kuvend me një votë të gjerë konsensuale. Por, nuk munguan dhe kontestimet e partive të vogla parlamentare mbi disa nene të Kodit të ri Zgjedhor. Konkretisht, parti të tilla si LSI, PDK, PDS, PBDNJ, PAD, kundërshtuan mënyrën e administrimit të zgjedhjeve në ligjin elektoral. Madje, disa nga këto parti ndërmorën dhe grevën e urisë me qëllim që ky kod të mos kalonte në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›