Antikorrupsioni heton tenderët e shesheve të Prishtinës

Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar të hetojë të gjithë procesin tenderues për ndërtimin e dy shesheve të Prishtinës “Ibrahim Rugova” dhe Zahir Pajaziti”. Këtë e ka konfirmuar për media, zëdhënësi i Komunës se Prishtinës, Asdren Osaj.
Ai ka thënë se u kanë dërguar të gjithë dokumentacionin e tenderëve të dy shesheve, Agjencisë Kundër Korrupsionit, pas disa deklaratave që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje, për sipërfaqet dhe procesin tenderues të shesheve.
“Ne i kemi derguar KundërKorrupsionti dosjet për dy sheshet. Ne jemi të hapur, që jo veç hetuesit, por kush do tjetër mund të vij në komunë dhe të shohë kontratat, dhe të gjithë procesin tenderues”, ka thënë Osaj.
Ndërkohë që Vetëvendosje pretendonte që sheshi “Ibrahim Rugova”, është tenderuar dy herë, zëdhënësi i komunës ka sqaruar se, fillimisht kontrata për sheshin “Ibrahim Rogova”, është nënshkruar mes komunës së Prishtinës dhe kompanisë “All Zone” dhe “ABC”. Çmimi total i kontratës ka qenë 4 milion e 365 mijë e 714 euro. Por, sipas tij më pas është kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që të anulohet tenderi, vetëm pjesa e pllakave, në mënyrë që ato të kenë specifika më të qarta, dhe të jenë më të qëndrueshme.
“Pra, ajo çka ne duam ne të sqarojmë sot është, rreth dilemave që kanë dal në opinion se gjoja janë shpallur dy tenderë për këtë shesh. Tenderi ka qenë i hapur dhe i është dhenë mundësi kompanive të konkurrojnë me dy lloje të pllakave. Ka fituar kompania ‘All Zone. Zysken Trans’, në vlerë 2.2 milion euro për pllakat”, ka thënë Osaj.
Sipas tij, tenderi për sheshin “Zahir Pajaziti”, është fituar nga kompanitë “Gërguri” dhe “Zysken Trans” dhe “All Zone. Vlera e kësaj kontrate është 4 milionë e 772 mijë euro./Indeksonline/