Reagon MPB, s’ka skandal me targa

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një reagimi i ka quajtur tendencioze shkrimet e medieve rreth pagesës se targave të automjeteve.
Përmes një reagimi MPB thotë se i ka kryer të gjitha pagesat me kohë ndaj kompanive partnere “King-Sllovenia” dhe “Ascom”.
“Për të gjitha shërbimet që kanë kryer këto kompani, në bazë të porosive për furnizimin me targa për MPB-në, janë kryer të gjitha obligimet dhe këtë e vërtetojnë pasqyrat financiare të cilat janë publike”, thuhet në reagim.
Disa media me tendencë devijon deklaratën e drejtorit të kompanisë sllovene, i cili tregon qartë se e ka paditur partnerin e tij në gjyq.
“MPB ka pasur kontratë me të dy kompanitë që kanë konkurruar bashkë dhe lider i kontratës ka qenë “Ascom” dhe në kontratë ka qenë e precizuar që pagesat të bëhen në emër të kompanisë “Ascom”. Ndërsa më datën 7 korrik të vitit të kaluar, Departamenti i Prokurimit ka pranuar marrëveshjen me numër të protokollit 15/11, mes dy kompanive, ku është kërkuar edhe ndryshimi i xhirollogarisë bankare”, thuhet në komunikatën për media të MPB-së.
Gjithashtu MPB bënë me dije se procedura gjyqësore ekziston mes kompanive të lartpërmendura dhe se Ministria e Punëve të Brendshme nuk është pjesë e padisë, pasi obligimet janë kryer karshi kontratës për furnizim me targa. Padija ka të bëjë me pagesën derisa këto dy kompani kanë qenë partnere, jo prej kohës kur është arritur marrëveshja./Indeksonline/