E Diel, 1 Nëntor 2026

“Antimafia”, 13 oficerë hetojnë pasuritë e krimit të organizuar

06/05/2010 Mobilizohen Krimet e Rënda

TIRANE- Numri i lartë i dosjeve që janë referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por edhe ato që janë rihapur me iniciativën e kësaj të fundit, ka bërë që veç tre prokurorëve të angazhuar maksimalisht për hetimin e pasurive të organizatave kriminale, në ndihmë të tyre janë vënë të gjithë oficerët e Policisë Gjyqësore që ushtrojnë detyrën pranë kësaj prokurorie. Mësohet se janë plot 13 oficerë që aktualisht po punojnë për të verifikuar pasuritë e qindra personave që dyshohet se nëpërmjet trafikut të drogës apo veprave të ndryshme penale, kanë përfituar shuma të konsiderueshme financiare, të cilat më pas i kanë pastruar duke ndërtuar objekte dhe blerë sipërfaqe tokësore. Sipas planit hetimor të përpiluar nga drejtuesit e Krimeve të Rënda, oficerët janë personat kryesorë që do kalojnë në skaner këto dosje dhe në fund të investigimit të gjitha pasuritë e konstatuara ata do i rendisin në një relacion. Burimet sqarojnë se ky relacion me pasuritë e eksponentëve kriminalë më pas do t’i dorëzohet tre prokurorëve të zyrës së Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Asteteve Kriminale. Menjëherë këta të fundit hartojnë kërkesën civile ku së bashku me argumentet për sekuestrimin e pasurisë, do ja dorëzojnë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila vendos ose jo bllokimin e financave që dyshohet se janë produkt i krimit të organizuar. Burimet shtuan se procesi gjyqësor në shkallën e parë zhvillohet pa palën mbrojtëse. Kjo e fundit ka të drejtë pjesëmarrje vetëm në Gjykatën e Apelit, kur vendimi i shkallës së parë apelohet nga personi i proceduar. Dosjet e para që i janë nënshtruar rivlerësimit të aseteve ekonomike, janë çështje të hetuara përgjatë këtyre tre viteve nga Krimet e Rënda. Ndërkohë në ditët në vazhdim numri i dosjeve do të rritet ndjeshëm, pasi prokuroritë e rretheve do transferojnë në adresë të Krimeve të Rënda, çështjet e hetuara për akuzën e pastrimit të parave, shfrytëzimit të prostitucionit dhe prodhimit e mbajtjes së lëndëve narkotike. Këto vepra penale janë cilësuar nga ekspertët si krime, nga të cilat rrjedhin shumë të ardhura kriminale, dhe për pasojë ligji i ri antimafia parashikon që pasuria e autorëve që kryejnë këto raste të hetohet.

Bllokime pasurish “të fortësh”

Pak ditë më parë organi i akuzës urdhëroi ngrirjen e pasurisë së ish-kapobandës së Durrësit, Klodian Saliu, dhe anëtarit të Bandës së Lushnjës Afrim Hoxha. Këtyre dy personave ju sekuestruan në total 14 pasuri mes të cilave disa llogari bankare, apartamente, mjete luksoze dhe sipërfaqe tokësore. Aktualisht Prokuroria e Krimeve të Rënda ka depozituar në gjykatë dhjetëra kërkesa, ku i kërkohet togave të zeza të vendosin masën e sekuestros për disa prona dhe llogari bankare që mendohet se rrjedhin nga të ardhura kriminale. Ndërkohë që me ligjin e ri Antimafia vazhdon gjykimi i disa dosjeve, që janë në proces në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në atë të Apelit, si dhe në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›