E Diel, 1 Nëntor 2026

Engjëjt kanë “peshë”....

06/05/2010 Është një monodramë nga Massimo Sgorbani shfaqja më e re që do të ngjitet sonte në skenën e Teatrit të “Metropolit”. Me regji të Renisa Shabanit, muzikë nga Eduard Hallulli, skenografi të Lirim Lilës, pjesa vjen nën interpretimin e aktorit Florian Agalliu.

“Engjëlli i Gravitetit” i shkrimtarit italian Massimo Sgorbani është një shkrim i lindur nga leximi i një lajmi të disa viteve më parë nga gazetat: Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një i burgosur i dënuar me vdekje ishte në pritje që dënimi i tij të ekzekutohej me varje.

Ekzekutimi, në fakt, u pezullua sepse i dënuari në fjalë ishte i shëndoshë deri në atë pikë që pesha e tij do të këpuste litarin e ekzekutimit.

Monologu, i cili ofrohet në mënyrë fantastiko-tragjike dhe paradoksale e komike, shkon përtej realitetit e ngrihet në dimensionet më të mëdha të mundshme.

“Engjëlli i Gravitetit” nuk është historia e atij obezi, por e një obezi, një njeri me probleme të dukshme të çrregullimit ushqimor dhe papjekuri psikologjike, një shpirt fëminor i bllokuar në një trup të rritur në dispropocion.

Ngushëllimi i tij i vetëm është ushqimi. Ushqimi, dikur i ofruar nga nëna e tij, është i vetmi, akti më i madh i dashurisë që ai njeh.

Dhe duke ndjekur ushqimin personazhi përfundon në vendin e ëndrrave ku supermarketet janë hapur në çdo orë dhe paninet janë si ato të përrallave: Amerika. Këtu, në tokën e huaj, kryen krimin monstruoz për të cilin dënohet me varje. Monologu është përmbledhja që personazhi i bën ngjarjeve ndërkohë që pret ekzekutimin me varje. “Engjëlli i Gravitetit”, mbi të gjitha është historia e një herezie. Herezi paradoksale, lindur kryesisht nga një kulturë thelbësore laike dhe materialiste, në të cilën besimi fetar është i përzier me elemente profane. Herezia e një epoke në të cilën vetë konsumi është më e përhapura nga fetë.

Gjatë monologut, i dënuari me vdekje ndërton vizionin e vet personal mbi botën, kozmogoninë e tij dhe e bën duke përdorur elementet e vetëm që disponon: i rritur në kultin e mallrave dhe të televizionit, pikturon në mënyrë delirante konceptin e universit dhe të moralit, në të cilën pornografia përkon me aktin më ekstrem të shpalosjes së dashurisë. I verbër në këtë besim, obezi pranon ekzistencën e “engjëjve të gravitetit” që falë krahëve të tyre fitojnë mbi peshën e gravitetit dhe afrohen drejt Zotit. Me besimin se do të bëhet pjesë e këtyre engjëjve i dënuari pret me qetësi vdekjen e tij të pashmangshme e dorëzohet në një shenjtëri paradoksale, por autentike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›