E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet i pafajshëm ish-ambasadori Tarifa

06/05/2010 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë: Nuk duhet të kishin nisur hetimet

U akuzua pas një denoncimi për mitmarrje nga një biznesmen

TIRANË- Shpallet i pafajshëm ish- ambasadori i Shqipërisë në Amerikë Fatos Tarifa. Vendimi u dha nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, kryesuar nga Gani Dizdari. Sipas tij, Prokuroria e Përgjithshme nuk duhej të kishte filluar fare hetimet për tarifën. Ndërkohë që arsyetuan se përgjegjësia për dëmin financiar për të cilën edhe u akuzua, i bie personave që merren direkt me financat e jo ambasadorit. Në sallën e gjyqit Tarifa ishte përkrahë avokatit të tij Maksim Haxhia. Pasi dhanë pretendimet përkatëse akuza nga njëra anë që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit dhe mbrojtja që donte rrëzimin e tij, Dizdari shpalli pafajësinë. Tarifa i akuzuar për shpërdorim detyre gjatë kohës që ka qenë ambasador në SHBA, akuzohet se i shkaktoi shtetit një dëm të konsiderueshëm që kapte shifrën e 147 mijë dollarëve. Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 500 mijë lekë gjobë, ndërsa gjykata e zbuti duke e ulur në 400 mijë. Ky vendim pas apelimit mbeti në fuqi. Por shkalla më e lartë e gjyqësorit e ka përmbysur. Kallëzimi penal kundër tij është bërë nga një biznesmen me emrin Indrit Bregasi. Katër vjet më parë, Prokuroria e kryeqytetit pohoi se pas marrjes së dosjes nga KLSH-ja, filloi procedimi penal për abuzimet që sipas saj kishte shkaktuar Fatos Tarifa. Skandali i përfshirjes në aferë korruptive të ish-ambasadorit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë publik, pas regjistrimit të një bisede telefonike të Indrit Bregasit dhe Tarifës. Tarifa u shkarkua nga detyra nga Presidenti, me propozim të ish-kryeministrit Fatos Nano disa kohë. Ndërkohë që vendimi nga shkalla e parë u dha në janar të vitit 2008.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›