"Antimafia", emigrantët frikë për paratë
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar përmes një letre publike deklaroi dje se "nga debatet në media mbi ligjin e ri antimafie, shumë qytetarë dhe emigrantë po na kërkojnë mendimin nëse do ishte mirë t‘i tërhiqnin paratë nga bankat shqiptare e t‘i sigurojnë në vend tjetër". Ashtu si shumë ligje të tjera, vijon deklarata, edhe ky ligj nuk duhet të miratohet pa siguruar paprekshmërinë e parave të publikut dhe pasuritë e qytetarëve të thjeshtë, të emigrantëve e të bizneseve vendase të çdo lloji, që në përgjithësi janë krijuar në mënyrë joformale. "Mafia që ndodhet kryesisht në drejtimin e politikës dhe të shtetit i ka siguruar nga ana ligjore paratë dhe pasuritë e jashtëligjshme të përftuara nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe është pro miratimeve të këtyre ligjeve", thuhej në deklaratë.