E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antimafia, prokuroria qetëson qytetarët

“Jo çdokush mund të preket. Pastrimi i parave nga vjedhjet jo te Krimet e Rënda”

Prokuroria ka “qetësuar” qytetarët dhe bizneset e ndryshme pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Antimafie”, i cili sekuestronte pasuritë që nuk ishin deklaruar vetëm me një dokument policor se personi apo subjekti në fjalë dyshohej se merrej me krim të organizuar. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka urdhëruar verbalisht të gjitha prokuroritë e rretheve për funksionimin e këtij ligji të ri në të cilin ishte shtuar edhe neni i “pastrimit të parave” që kap pothuajse të gjitha veprat penale të fushës ekonomike në Kodin Penal. Nisur nga diskutimet e mundshme të secilës prokurori, akuza qendrore e ka parë të arsyeshme të udhëzojë drejtuesit e njësive antikorrupsion për rastet në të cilat duhet të shpallnin moskompetencën e një dosjeje dhe ta delegonin te Krimet e Rënda. Tashmë, sipas udhëzimit, vepra penale e “pastrimit të parave” që ka lindur nga vjedhja apo nga korrupsioni i një zyrtari do të hetohet nga njësitë Task-Forcë dhe jo nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërsa kjo e fundit do të hetojë vetëm pastrimin e parave që lindin nga gjobëvënia, organizata kriminale apo veprat penale të trafikut të narkotikëve, femrave dhe armëve. Ajo çka është saktësuar nga akuza qendrore ka të bëjë me diskutimin e nenit tre, i cili bën fjalë për fushën e zbatimit dhe janë nxjerrë të dhënat e nevojshme që jo të gjithë qytetarët që mund të akuzohen për vjedhje apo për vepra penale të fushës ekonomike mund të preken nga ligji “Antimafie”. Ky ligj ka lindur si domosdoshmëri për shkatërrimin e organizatave kriminale, si në fushën e veprave penale ashtu edhe në veprimtarinë ekomomike.

Udhëzimet

Ligji i ri “Antimafie”, që ka hyrë në fuqi prej dy muajsh e gjysmë, është “zbutuar” me urdhrat e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka interpretuar nenin tre që ka të bëjë me fushën e zbatimit. Me gjithë hapësirat që krijon ky ligj, akuza qendrore udhëzon prokuroritë e rretheve të bëjnë selektime në dosjet që do të dërgohen te Krimet e Rënda për t’u gjykuar më pas sipas ligjit drastik për pasuritë që janë vënë në mënyrë të dyshimtë. Sipas burimeve nga akuza qendrore, neni më i diskutuar është “pastrimi i parave”. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm deklaron se veprat penale që janë në kompetencë të Krimeve të Rënda do të preken nga ligji i ri. “Pastrimi i parave nga vjedhja apo nga veprat penale që janë objekt hetimi në njësinë e Task-Forcës do të hetohen nga prokuroritë e rretheve dhe jo nga Krimet e Rënda”, deklaron akuza qendrore, duke shtuar se ligji i ri “Antimafia” ka filluar të zbatohet në terren, teksa të parët që do ta pësojnë do të jenë sërish dy nga organizatat kriminale më famëkeqe në Shqipëri, të kryesuara nga Aldo Bare dhe Lulzim Berisha. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimet për pasuritë e këtyre organizatave kriminale që janë në proces gjykimi në gjykatë, ndërsa ka dyshime se pas arrestimit të kapove, “ushtarët” kanë vazhduar aktivitetin, kësaj here duke investuar fitimet nga veprat penale në pasuri të paluajtshme dhe prona që kapin shifrat e miliona eurove. Ka të dhëna se Banda e Lushnjës apo organizatat kriminale të qytetit të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle, e kanë shtrirë aktivitetin e tyre financiar, duke blerë prona në vende turistike apo kanë marrë drejtimin e mjaft bizneseve fitimprurëse. Megjithatë, objekti i verifikimeve nga prokurorët nuk janë pronat për të cilat është dhënë një vendim gjykate, por pasuritë që janë ngritur pas vitit 1998, kohë që kanë filluar veprat penale për të cilat akuzohen personat konkretë.

Prokuroria

Hyrja në fuqi e ligjit të ri “Antimafia”, e ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme të fillojë punën për hartimin e disa akteve normative, me qëllim riorganizimin e strukturës së sektorit të sekuestrimeve dhe konfiskimeve që ndodhet pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë zyrë ka një volum të madh çështjesh për të verifikuar, krahas çështjeve ekzistuese, pasi ligji i ri ka shtuar edhe disa vepra penale që preken për sekuestrimin e pasurisë, siç është pastrimi i parave, shfrytëzimi i prostitucionit dhe të ardhurat nga shpërndarja e lëndëve narkotike. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se krahas dy prokurorëve që janë aktualisht në këtë detyrë, të shtohen edhe dy të tjerë, të cilët pritet të jenë nga radhët e trupës së prokurorëve që shërbejnë te Krimet e Rënda, ndërsa janë shtuar edhe oficerët e policisë gjyqësore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›