Fokus/ “Bombarduesi” Edi Rama u rikthye të dielën në kopshtin 52, por s’i bind dot fëmijët se ua do të mirën
Zakonisht dita e diel është pushim për të mëdhenj dhe për të vegjël. Kurse për politikën nuk është asnjëherë pushim. Shfaqet të jenë një mallkim i domosdoshëm. Madje kërkojnë që edhe të tjerët të bëhen pjesë e një shfaqjeje. çuditërisht kësaj radhe aktorët në Tiranë ishin të miturit, edhe pse të pavetëdijshëm ishin gjithmonë fëmijët e kopshtit 52 në Tiranë, ku kryetari i bashkisë dhe i selisë ylberiste Edi Rama flet për rëndësinë e fëmijërisë dhe rolin e edukatorëve çdo herë vjen 7 marsi. Mirëpo deri këtu s’ka asgjë për t’u qortuar, përveçse ishte një ditë pushim edhe për fëmijët që të ishin me familjet e tyre. Dhe jo të ishin kontorno e një dite në nderim të rolit të mësuesit. Afërmendsh kemi që nga 2007 e këtej që përvijohet rituali i ditës së mësuesit në këtë kopsht, ku u tregohet ajo përralla me dhelprën. Fabula kishte shumë kuptime, por ata janë të vegjël për të ditur kuptimin… Vogëlushët duan të mësojnë, të lozin dhe të jenë ngrohtë aty ku shkojnë. Përrallat me mbret u pëlqejnë, por kur bëhen realitet, jo të mbesin vetëm përralla… Kuptohet vetiu, që mësuesit të kenë një rendiment cilësor në punët e tyre nuk mjafton t’u bëhet karshillëk në ditën e caktuar për mimoza dhe gurabije. Nevojitet diçka më shumë, sidomos investime të Bashkisë Tiranë në infrastrukturën e shkollim parashkollor dhe atë shkollor. Në Tiranë, kopshtet dhe shkollat në vend që të zgjerohen, po ngushtohen duke u mbyllur me kangjella dhe duke ua marrë oborret, shkollat edhe kopshtet private; por dhe në shkollat shtetërore nganjëherë po ngrihen nëpër vila dykatëshe pa oborr apo dhe më keq, nëpër apartamente. Leje pallatesh dhe licenca biznesesh janë problemi. Në fakt problemi më i madh është se fëmijët s’kanë ku të luajnë. Ata s’kanë një park ku të vrapojnë, s’kanë një fushë ku të luajnë sporte të tjera. Mirëpo pas një jave fiks vjen zyrtarisht pranvera, por fëmijët e kryeqytetit nuk do të harrojnë kurrë të ftohtin që kanë marrë nga shkollat pa ngrohje, ngase si Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës janë ende duke zgjidhur problemin e kompetencave për këtë çështje. Rreth 50 për qind e shkollave 9-vjeçare e gjimnazeve të kryeqytetit nuk kanë sistem ngrohës. Këtë e pranojnë vet nxënësit, por njëkohësisht dhe burime nga Bashkia e Ministria e Arsimit. Në qytetin e Tiranës janë vetëm 18 shkolla që kanë ngrohje qendrore me naftë, por janë plot 32 të tjera që nuk kanë kaldajë dhe për të cilat bashkia nuk u përgjigjet. Po ashtu nga statistikat rezulton që në qytetin e Tiranës janë një numër shkollash që bashkia s’përgjigjet për ta. Të gjitha fondet për ngrohjen dhe mirëmbajtjen u kalojnë si grand i pakushtëzuar bashkive dhe komunave në bazë të numrit të popullsisë. Ndërkaq edhe ky vit kaloj ashtu siç kaloj me xhupa dhe batanije, por problemi nuk po merr një zgjidhje sepse Edi Rama nuk lëvron fondet e paracaktuar me ligj; kurse fëmijët nëpër shkolla vazhdojnë të bëjnë mësim dukë u mundur të gjejnë një zgjidhje sipas mundësive që kanë secili prej tyre. Do të ishte një mrekulli që të paktën nxënësit e 18 shkollave në Tiranë të ngroheshin me kaldajë. Ata kanë të njëjtin fat si të tjerët, që mësojnë në shkolla ende të pa-pajisura me ngrohës qendror.
...