Sot nis në komisione shqyrtimi i rezolutës për vizat - enigmë prania e deputetëve socialistë

Në një kohë kur sinjalet e Brukselit për përfitimin e lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë brenda periudhës kohore të premtuar, janë plotësisht pozitive, Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë gjatë kësaj jave një rezolutë në mbështetje të këtij procesi.
Kreu i grupit parlamentar në PD, Astrit Patozi, njoftoi javën e kaluar, nismën e PD-së, për t’i dhënë një shtysë të re, procesit reformator, në mënyrë që vendi të marrë vlerësimet më të mira në raportin final të Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave. Hyrja e Shqipërisë në “Schengen”, mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe për këtë arsye, PD, si partia më e madhe në vend dhe qeverisëse e vendit, krijon mundësitë e rëndësishme ligjore, për t’i dhënë një hov të ri, këtij procesi jetik.
Duke e konsideruar si aspiratën më të rëndësishme në interesin e drejtpërdrejtë të çdo qytetari shqiptar, PD vlerëson hapat e deritanishme të ndërmarra
nga qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, në funksion të këtij qëllimi madhor.
Sipas PD-së, rezoluta ka për qëllim të inkurajojë ekzekutivin dhe çdo agjenci tjetër të
lidhur drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte me procesin, duke ftuar njëkohësisht çdo aktor politik dhe shtetëror që të përfshihet me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta në përmbushjen sa më të shpejtë të tij.
Për PD-në, liberalizimi i vizave nuk është thjesht një premtim elektoral, por një objektiv madhor i mbarë kombit, duke ftuar kështu kontributin e gjithë se cilit.