"Antimafia", sekuestrohen 3 apartamente
TIRANE - Tre apartamente, dy në qytetin e Vlorës dhe një tjetër në Tiranë, janë sekuestruar pak ditë më parë në kuadër të ligjit "Antimafia". Lajmi u konfirmua nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, pronarët e apartamenteve janë dy persona me kombësi shqiptare, të cilët dyshohet të jenë të angazhuar në veprimtari kriminale në Greqi. Referuar këtij fakti, autoritetet kompetente shqiptare dyshojnë se sigurimi i apartamenteve është mundësuar me anë të parave të fituara në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas burimeve, dyshohet se ata janë pjesë e një grupi të dyshuar për disa grabitje me dhunë dhe me armë në shtetin fqinj. Kërkesa për sekuestrimin e pallateve është miratuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Emrat e dy të dyshuarve janë radhitur në skedarët e Prokurorisë, si të hetuar për veprën penale të "pastrimit të parave". Ndonëse nuk është bërë një vlerësim i vleftës monetare të tre apartamenteve, paraprakisht mendohet të arrijnë në një vlerë prej 200 mijë eurosh. ar.ba