E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana “shkel” serbët në Beograd

Lorik Cana “shkel” serbët në shtëpinë e tyre, Beograd. Kështu mund të konsiderohet loja e mesfushorit shqiptar dje në ndeshjen e kthimit të Ligës së Europës mes OFK Beograd dhe Gallatasarait.

Turqit fituan 5-1 duke thyer çdo shpresë të serbëve pas barazimit të arritur në ndeshjen e parë në Stamboll me rezultatin 2-2. Për turqit në këtë takim shënuan Mustafa Sarp (12’), Herri Kjuell (22', 57’ pen), Arda Turan (71’) dhe Mehmet Batdal (81’), ndërsa golin e vetëm për ekipin serb e realizoi Danilo Nikoliç (32'). Për t’u theksuar është fakti se OFK Beograd luajti me një lojtar më pak nga minuta e 57-të kur pikërisht autori i golit të vetëm, Nikoliç u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, i konvertuar ky automatikisht në karton të kuq.
Lorik Cana
Mesfushori shqiptar luajti si titullar në këtë takim edhe pse aktivizimi i tij ka qenë i dyshimtë deri në minutat e fundit. Kjo për faktin se Cana vinte nga një dëmtim i marrë gjatë një seance stërvitore pesë ditë më parë dhe forma e tij pati vënë në pikëpyetje formacionin titullar të Frenk Rajkard deri disa orë para takimit. Gjithsesi Cana luajti ndeshjen e tij të parë si titullar me Gallatasarajin (në ndeshjen e parë në Stamboll luajti vetëm 7 minuta në fund të takimit) që prej mbërritjes në këtë klub në fillim të muajit korrik. Loja e lojtarit shqiptar është vlerësuar me notën 3 nga analistët turq (nota më e mirë është 1, më e ulëta është 5-sa në Turqi), duke njohur rritje të nivelit në krahasim me vlerësimet në ndeshjet miqësore ku është aktivizuar Loriku gjatë ditëve të fundit.
Karabaku
është kualifikuar për në turin tjetër të Ligës së Europës edhe skuadra azerbajxhanase e Karabak ku aktivizohet dyshja shqiptare Ansi Agolli dhe Admir Teli. Që të dy mbrojtësit kuqezinj luajtën si titullarë nga minuta e parë duke ndihmuar në fitoren 3-2 të skuadrës së tyre ndaj polakëve të Visla Krakovës. Për Karabak shënuan Ismajilov (28'), Alijev (33') dhe A.Sadigov (35') ndrysa për polakët ngushtuan diferencën Brozek (56') dhe Boguski (88'). Takimi i parë në Krakovë kishte përfundur po me fitore të azerbajxhanasve me rezultatin minimal 1-0. Ndërkohë nuk ka qenë fare i grumbulluar me ekipin e tij Aris Selanik, Kristi Vangjeli në përballjen me skuadrën tjetër polake, Jagielonia Bialistok. Mbrojtësi kuqezi është një hap larg prishjes së kontratës me Arisin pas uljes së rrogës që iu bë nga ana e drejtuesve të klubit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›