E Diel, 1 Nëntor 2026

I shembin shtëpinë, nëna me 4 fëmijët tenton vetëvrasjen

Kërcënon me vetëvrasje me 4 fëmijët e mitur për të shpëtuar nga shembja shtëpinë nga Ndërtimorët e Komunës së Dajtit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në periferi të kryeqytetit, ndërsa nëna së bashku me fëmijët ka gjetur si të vetmen mundësi shpëtimi, të hipte sipër banesës së bashku me fëmijët, për të mos lejuar shkatërrimin e banesës që kishte nisur të ndërtonte prej 10 vjetësh.

Por edhe kësaj i është gjetur "zgjidhja" policore, pasi disa prej policëve të rendit kanë hipur në tarracën e banesës duke tërhequr zvarrë nënën dhe pastaj një nga një kanë hedhur fëmijët nga lart, ndërsa i priste në dorë një tjetër polic,i cili qëndronte poshtë. As lotët dhe as ulërimat e fëmijëve 5, 8,12 dhe 17- vjeç, nuk e kanë ndaluar "operacionin" e bujshëm të organizuar nga Policia Ndërtimore e Komunës së Dajtit, derisa kanë kthyer në gërmadhë një pjesë të mirë të banesës. Pas kësaj, fadroma e Ndërtimores ka marrë rrugën e kthimit mes monopatit të kodrës për të dalë pas një ore në qendër të lagjes "Shkozë" të kryeqytetit. Pasditen e djeshme, kur kishin kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë, fëmijët e familjes Sina ndiheshin ende të terrorizuar. Në banesën e tyre ndodheshin gjyshërit, ndërsa prindërit kishin shkuar në polici për të denoncuar veprimet e Ndërtimorëve lokalë. Por edhe pas qëndrimit për disa orë në dyert e komisariatit, bashkëshortët Idriz dhe Bukurie Sina ishin refuzuar prej policëve të depozitonin kallëzim penal ndaj Ndërtimorëve të komunës Dajt, ndërsa u është sugjeruar që t'i drejtoheshin Gjykatës së Tiranës me padi civile. Pas ngjarjes, Bukurie Sina u kontaktua nga gazeta ku dha këtë prononcim.
Mëngjesin e sotëm (djeshëm) u patë të hipnit në tarracën e shtëpisë për të mbrojtur banesën, duke vënë në rrezik jetën e katër fëmijëve tuaj, mund të shpjegoni nga ju lindi kjo ide?
Asnjëherë nuk e kam çuar ndërmend që të rrezikoj jetën e fëmijëve të mi, për të cilët punoj dhe robtohemi unë dhe bashkëshorti. Por e vetmja zgjidhje për të shpëtuar banesën tonë, të cilën prej 10 vjetësh e kemi ndërtuar pjesë-pjesë, ishte që unë të hipja sipër dhe të mos lejoja fadromën të shkatërronte mundin tonë të shumë viteve si edhe rreth 5 milionë lekë të vjetra që i kemi marrë borxh kohët e fundit.
Ishit njoftuar ju për shkatërrimin e banesës?
Po, pak ditë më parë. Ne shkuam u ankuam në komunë, prej nga na kishte ardhur shkresa, por aty na refuzuan.
Ku ndodheshit ju gjatë ngjarjes?
Sot (dje) në mëngjes unë ndodhesha në gjumë, pasi pas pak do të shkoja në punë në fabrikën e këpucëve, kur dëgjova zhurmën e fadromës, që mezi po ngjitej rrugës, ndërsa policë të shumtë po vinin në këmbë, pasi asnjë mjet nuk mund të ngjitet deri këtu. Sapo u afruan më thanë: "Largohu pak, se vetëm dy minuta punë kemi, sa të shembim shtëpinë!" U terrorizova dhe u tregova dokumentet e legalizimit si dhe gazetën ku ishte botuar emri i bashkëshortit tim te lista e personave që do t'u legalizoheshin banesat. Policët nuk dëgjuan dhe u drejtuan për të prishur shtëpinë, ndërsa unë dhe fëmijët e mi, Aida, 17- vjeçe; Juli 12 vjeç; Riselda 8- vjeçe dhe Sibora 5 -vjeç, u ngjitëm lart. Policët më tërhoqën me forcë mua me fëmijët dhe pastaj sapo e kthyen në gërmadhë banesën tonë, ikën.
Banesa juaj ndodhet shumë larg zonës së banuar, rreth 600 metra në mes të pyllit, pse e prishin pikërisht këtë?
Një person që pretendon se është pronari i tokës na ka thënë se do e prishë. Ky njeri nuk disponon dokumente dhe për këtë shkak ne nuk kemi asnjë arsye pse ta shkatërrojmë banesën. Nëse ai do kishte dokumente si pronar, ne do e paguanim ose ai do na paguante vlerën e ndërtimit.
Si dhe pse keni ndërtuar në këtë vend kur nuk është pronë e juaja?
Ne kemi ardhur para 10 vjetësh këtu nga fshati Përcëllesh i Tiranës. Ndërtuam në këtë vend, si shumë banorë të tjerë në lagjen më poshtë. Kjo është tokë shtetërore, ndaj u vendosëm këtu. Tashmë banesa jonë është në proces legalizimi dhe kjo është një arsye që komunarët dhe pronari i pretenduar i tokës, përshpejtojnë veprimet për ta rrëzuar. Pak kohë më parë iu çuan fjalë banorëve të lagjes poshtë, por ata, shumica të ardhur nga rrethet e veriut, i kërcënuan për t'i vrarë. Neve që na shohin të dobët na rrëzojnë shtëpinë, se nga tjerët u tërhoqën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›