E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Rasmussen: Shqipëria, në rrugën e duhur të integrimit

Presidenti Bamir Topi e siguroi dje Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, se Shqipëria është në drejtimin e duhur, në rrugën euroatlantike. Topi priti dje Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe delegacionin e lartë që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij zyrtare, të parën në Shqipëri. Kreu i shtetit u ndal në disa prej arritjeve kryesore të vendit në përmbushje të detyrimeve, kritereve dhe standardeve që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, po ashtu dhe nga përpjekjet dhe aspirata e popullit shqiptar në rrugën e integrimit sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian. Në vijim të bisedës, Topi vuri në dukje mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat integruese në NATO të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik, duke përfshirë si Maqedoninë, Kosovën edhe Bosnjë-Hercegovinën në përputhje me parimin e dyerve të hapura dhe zgjerimin. Presidenti Topi shprehu besimin se anëtarësimi i tyre në NATO është një faktor kyç për sigurinë në Ballkan dhe Evropë. Nga ana e tij, Sekretari Rasmussen vlerësoi kontributin pozitiv të Shqipërisë dhe forcave paqeruajtëse shqiptare në kuadër të misioneve anembanë botës, veçanërisht në Afganistan, duke përshëndetur përpjekjet politike dhe ushtarake të Shqipërisë dhe rolin e saj konstruktiv e moderator në rajon për arritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›