E Diel, 1 Nëntor 2026

Antishqiptarët Karla, Dik dhe E. Veliaj, miell i prishur i të njëjtit thes

08-05-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Në një të përditshme është publikuar padia kundër Dick Marty-t nga familja Brama prej fshatit Buraj të komunës Nikël. “Përveç robërve qe janë shpënë të gjallë në Shqipëri, një numër i panjohur kufomash të civilëve serbe janë transportuar në Shqipëri dhe janë varrosur në vende te thella” - është njëra ndër frazat e një Raporti filoserbomadh, që kërkon të rigjallërojë një libër të dështuar 13 vite më parë të Karla del Pontes. Autori është një antishqiptar, që dëshiron të jenë “prova” haluçinacionet e Karlës, që “pësoi zhvlerësimin më të madh si kryeprokurore e një institucioni të lartë, pasi e la detyrën e saj në Hagë dhe tashmë “nuk  meritonte të ishte ambasadore e Zvicrës në Argjentinë, sipas shumicës së gazetave të vendit të saj, që e quajtën të padenjë për funksionin e ri.  Pasardhësi i del Pontes, në vëzhgim të shumë analistëve, “do të  mbetej në mes të rrugës së trillimeve të porositura, siç kishte mbetur edhe zëdhënësja e tij”. Emri i këtij të dytit është Dik Márti, një laké i qarqeve serbe, të komprometuara nga mbrojtja e mbyllur dhe e hapur e kriminelëve të njëmendtë serbë të luftës, që u dashka zëvendësuar me krime të sajuara të UÇK-së shqiptare. Parashikimet për autorin e fabulës  fantazmagorike të transplanteve në fshatra të Dibrës, të Matit dhe, tani së fundi, të Fushë-Krujës, fshatra në të cilat nuk bëhet dot një operacion apendiciti, jomë një transplantim organesh, - parashikime të pabesueshme të njeriut me hamendësitë e Karlës, u vërtetuan: Dik Marti  dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet, duke e përfunduar rrugën e palavdishme të relativizimit të krimeve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, pak vite më parë.
Megjithatë shovenët serbë, të cilët nuk i kanë lëshuar ende armët e një pozicionimi të dyfishtë ndërmjet Rusisë dhe Europës së Bashkuar, e kanë ngritur sërish në rend të ditës çështjen e shëmtuar të transplanteve, sipas pseudo-argumenteve në intervista me te paktën tetë “burime”, te gjitha nga “shqiptarë etnikë nga Kosova e nga Mali i Zi, që kanë shërbyer pranë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Perveç robërve që janë shpënë te gjallë në Shqipëri, një numër i panjohur kufomash të civilëve serbë janë transportuar në Shqipëri dhe janë varrosur ne vende te thella” - thuhet në një raport. Katër prej jallan shahitëve paskan marrë pjesë drejtpërdrejt në transportin e së paku 90 serbëve etnikë, apo te tjerëve drejt ambienteve në Shqipërinë veriore e qendrore. Tre prej tyre paskan  transportuar robër drejt shtëpisë klinike ne jug të Burrelit, dy prej “burimeve” thonë se kane marrë pjesë në largimin e kufomave prej shtëpisë, dhe njëri paska thënë se ka marre pjese ne transportin e pjesëve te trupit dhe organeve gjer në aeroportin e Rinasit, prane Tiranës. Emrat e këtyre nuk shpallen, siç mbeten të fshehtë emrat e denonciatorëve të Sigurimit ndaj viktimave të pafajshme, në kohën e E. Hoxhës!
***
Kryefamiljari Imer Brama  ka paraqitur aktpadinë kundër anëtarit të AP-së së KE-së. Për shpifjen e të ashtuquajturave “transplante të organeve, nga shtetasi zviceran Dick Marty. Avokati i kësaj familjeje kërkon që institucioni gjyqësor në Shqipëri të mëtojë nga i padituri që të përgënjeshtrojë raportin e vet të 15 dhjetorit 2010, të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Paditësit, janë pronarë të një shtëpie te madhe dykatëshe, që ndodhet gati dhjetë kilometra nga rruga kombëtare, e cila të përcjell në Fushë-Krujë. Kjo shtëpi pretendohet se ka qenë një nga vendet ku janë bërë transplante organesh (!). Raporti i Mártit  dëshmon jo vetëm antishqiptarizmin e tij, por edhe qëndrimin partiak ekstremist, kur thotë fraza të dyshimta se ngjarja “është në dijeni të Sali Berishës i cili, në bashkëpunim me ish-punonjës (!) te SHIK-ut të Sali Berishës, ka sjellë robërit për transplant aty”.
Tani, gjer këtu, kryetari i PD-së paditet për dy gjëra: Se paska qenë në dijeni! Dhe, së dyti, se ka bashkëpunuar me ish-punonjës të SHIK-ut, “për të sjellë robërit për transplante”. Duket se emri i Berishës është vënë me një objektiv të caktuar: se nuk është i bindjeve politike të Martit, i njohur si filoserb fanatik, meqë partia e Milosheviçit dhe partia e Dik Mártit mbajnë të njëjtin emër: PS! Si edhe PS-ja jonë, që u bë e vazhdimësisë, e frymëzimeve enveriste, meqë partiakët e rinj nuk e shkrinë P. e Punës së Enverit dhe të ndërtonin, pastaj, një parti të ré. Nuk e zhbënë të vjetrën. Por i ndërruan asaj, së vjetrës, vetëm emrin, duke i ruajtur të gjitha kontingjentet e PP-së në emërndërruarën PS, të gjithë mëkatarët. Në këtë parti të vazhdimësisë, tesera numër 2 iu dha italianit Betino Kraksi. Pra, s’kemi të bëjmë me socialistë si Sandro Pertinit apo si Saragati ose si Pietro Neni. Socialistë, këta, me fizionomi perëndimore. Kemi të bëjmë, përkundrazi, me socialistë si Mira Markoviçi (gruaja e Sllobodanit), me mendësi kolonialiste, sikundër edhe me socialistët e parë të Benito Musolinit, që e ndërruan këmishën “socialiste” në të zezë (“Facetta nera”). Apo me punistët e E. Hoxhës.
Ish-prokurorit zviceran, Dik Martit, nuk i ka mbetur në yndyrën e tij të të depolitizuarit asnjë molekulë si jopartiak. Dhe tani kërkon t’i japë një dorë rioshit parvëny Edi Kristaq Ramës, duke thënë se Berisha „kishte dijeni“! Dhe, pastaj, duke përmendur ish-shikasit të cilët, duke qenë “ish”, - siç thotë filoserbi mashtrues, - del se janë në punë të tyre dhe ne nënkuptojmë se s’janë në gjendje për asgjë! Pra, emri i Berishës përmendet artificialisht, për të hyrë “i depolitizuari” në punët tona patiake, në dobi të P. Socialiste shqiptare të mashtruesit E. Veliaj, që tronditi Fania Fajonin me “ngjarje” të sajuara makabre, me protagoniste bashkëshorten Griselda të një socialisti me funksione në Kavajë. Ndonëse mashtruesi u detyrua ta pranojë këtë shpikje cinike të qëllimshme, E. Rama e gradoi për këtë halucinacion antishqiptar, si anëtar të Asamblesë Kombëtare! Thamë “antikombëtar” se, me atë ngjarje të stisur, për të poshtëruar shqiptarët, nga urrejtja për antagonistët e tij politikë, ajo femra iu përshkrua komisioneres së nderuar, Tanja Fajonit, sikur ishte me barrë, iu hoq fëmija përdhunshëm dhe u hodh në kanal! Tanja, e tronditur, klithi: “Kanibalë qenkan këta shqiptarët?”. Nuk vonoi edhe vetë Griselda doli në ekran, bukur e kuq si molla, duke përgënjeshtruar gjithçka! Autori i shpifjes ndenji pa marrë pjesë në ekranet tona për një kohë. Si të thuash, ra squk! Dhe tani, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, në pozitën e anëtarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, del në panelet tona për të bërë në krah të Ramës politikë për të ngritur prestigjin e Shqipërisë së kanibalëve!
Por E. Rama është nga ata ishët hipokritë antienveristë me fletë (“Refleksionet”), që u shndërruan në enveristë konkretë ultrafanatikë të Enverit, në zijafetet e Pezës (16 shtator) dhe s’ka „Kurban“ që ta mirëkuptojë, si edhe mendje të shëndoshë që ta justifikojë, duke qenë personazh i Kolodit, në fizionominë e dyfishtë të Arlekinit (si fluturues nga dega në degë)  dhe të Pulçinelës, (si rrenacake e lindur).
***
Në fshatin Ripë të Burrelit, 74-vjeçari Abdullah Katuçi, me një theks matjan të rëndë, u ndesh me investigatorët e del Pontes, së cilës i shkrepi në fiqir të sajonte në pleqëri një fabul: Që nja 100-300 persona, në shumicë serbë,  ishin prurë në shtëpinë e Dullës, për transplant të organeve të brendshme. Në këtë shtëpi, në të cilën mezi kalohej deri aty nga rruga, me  një fuoristradë,  na qenkëshin  dërguar me kamionë serbët  për t’u ekzekutuar dhe t’u merreshin organet trupore, që do të çoheshin në Rinas, për t’u përcjellë më tej, me avion! Prof. Dr. N.Tereska, ndër mjekët më të mirë të vendit,  vuri duart në kokë nga habia: Transplante në fshatrat më të humbura! Kjo është sikur të thuash që Shqipëria është duke dërguar njerëz në Mars! Hetuesit ndërkombëtarë synonin të hetonin rreth disa varreve, që dyshohej se  ishin varrosur viktimat. S’kishte nevojë që fshatarët të thirreshin që të vinin te varrezat.. I thoshin njëri-tjetrit: - Hajde, se është bërë kiameti!
U tregonin hetuesve me lehtësinë më të madhe emrat e të varrosurve. Disa ishin stërgjyshër. Edhe emrat e tyre i mbanin mend. Po nga Kosova kanë prurë njerëz për t’i varrosur? Edhe në varret e vjetra, si në zbulimet arkeologjike, dyshonin të ardhurit!
Abdullah Katuçit i erdhi në majë të hundës: - U thoni se do t’i padis në gjyq, dinsëzët! Kërkonin të zbërthenin gozhdat e dyshemesë. Një prokuror shqiptar, Arben Dylja, që erdhi aty u tha, pasi dëgjoi përgjigjen e Abdullait: - Le t’i hapin, por do të paguajnë dëmshpërblimin! Si është e mundur që të kenë prurë 100-300 veta dhe askush të mos dijë asgjë? Në një vend ku çimkat tona, të gjitha të racës së atdhemohuesve, me atë kryeçimkën që tmerroi Tanja Fajonin, të mos jenë edhe ata në dijeni të një ngjarjeje ku minarja duhet të futet në thes, sipas mendjes së sakatuar të Karla del Pontes? Shtypi zviceran e bombardoi me artikuj të cilët e portretizonin si të lajthitur nga trutë.   
Karla e hëngri turpin me bukë dhe lajthitja e saj mendore u la në harresë, për një kohë që e kaloi dhjetëvjeçarin.
Por serbët e rinj, kundër Millosheviçit kur kalit po i dilnin patkojtë dhe me mendësinë e Sllobodanit kur e morën fuqinë vetë, kërkojnë të fajësojnë edhe shqiptarët për krime kundër tyre, për të mbrojtur kriminelët e luftës serbë, në krime që rrallë janë parë pas Luftës II Botërore. Filoserbët që t’u vijnë në ndihmë nuk mungojnë. Na doli Dik Marti. Duke mos pasur argumente të tjera, përvetësoi akuzat e ngordhura të del Pontes.
Ec e ec në Jugë dhe përfundojnë në Fushë-Krujë. Budallallëku s’ka brirë. Së fundi, pasi Dikut i ngeci sharra në gozhdë, ai dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet. U lodh, i shkreti!
Por serbët nuk lodhen. Ata duan të krijojnë një barazim ndërmjet milionit të holokaustit serb dhe njëshit të ndonjë krimi shqiptar.
Nuk e harrojnë dot kohën e hareshme të kolonializmit, kur kolonitë ishin fshirë nga defteri, por kishte mbetur si koloni  vetëm Kosova me përbërje serbe, të kategorisë së thërrmijave, që shfrytëzonin gjer në palcë shqiptarët.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›