E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka vërtet opozitë në Shqipëri?

08-05-2012 / Nga Luan Myftiu

Opozitarizmi nuk është vetëm kundërshtim, por edhe afirmim i vlerave të arritura. Por dhe, sa më konstruktive të jenë kritikat e opozitës, aq më e besueshme bëhet kjo në elektorat. Një opozitë që mendon vetëm për vete, nuk ka si shpresohet që të mendojë nesër për të tjerët. Pushteti është besim. Mirëpo nga besimi buron dhe garancia e mbrojtjes së interesave të elektoratit. Dhe ky besim krijohet sidomos në qëndrimin ndaj prioriteteve kombëtare. Kur për arritjen e tyre nuk ka synime egoiste; kur toleranca dhe mirëkuptimi politik zvogëlojnë ambiciet partiake, atëherë nis të veprojë besimi në sinqeritetin e synimeve. Kurse kjo opozitë po shfaq tiparet e një ambicieje të egër meskine, që po i kall edhe pikëllim çdo zgjedhësí. Ndoshta prandaj politika e opozitës ka nisur të perceptohet si një ciklon interesash vulgare, që nuk lejojnë hapësíra, mbi të cilat të ngrihet një konsensus. Sidomos, kur ky konsensus është bërë “shpirti” i çdo përparími të vendit. Në këtë kuptim, njerëzit kanë nisur të dyshojnë nëse ka apo jo opozitë në Shqipërí. Mos, vallë, kjo ndodh ngaqë opozita aktuale po bën të kundërtën e misionit të saj? Apo ngaqë përfaqësohet nga individë e grupime, që mbajnë përgjegjësí për të kaluarën komuniste? Se, nuk mund të quhet opozitë ajo që lufton të nxjerrë përfitime vetjake nga arritja e konsensusit, që kërkon integrimi i vendit. Se dhe Enver Hoxha nga ky mentalitet komunist u frymëzua, kur e shpuri vendin në atë izolim të frikshëm. Edhe ai e kushtëzoi “progresin” me garantimin e pushtetit personal, kurse hapjen e vendit e pa si një rrezik për kolltukun e vet. Ai e lidhi aq fort fatin e Shqipërísë me ambicien e vet, saqë dhe një shenjtori do t’i duhej të hiqte dorë nga rruga e Zotit, që të ndihmonte paqësisht  për të shpëtuar një popull të rënë nën kthetrat e atij tirani. Kurse xhelati Hoxha u mburr, madje, me atë izolim, sa detyroi dhe shumë shqiptarë të bëheshin varrmihësa të fatit të tyre dhe të kombit të vet. Ndërkohë që pothuaj gati gjithë Shqipëria u detyrua me dhunë të mbështeste obskurantistin e madh në garantimin e sundimit të tij! Fati i Shqipërísë e i shqiptarëve qenë marrë kështu “peng”! Pikërisht këtë sistem “pengu” po ndjekin edhe Rama me neobllokmenët. Me qëndrimet e tyre kokëforta këta po u thonë shqiptarëve se, pa nxjerrë neobllokmenët kapitale politike nga reformat, ata duhet ta harrojnë integrimin. Dhe jo vetëm pse, si mëkatarë, neobllokmenët i druhen drejtësísë së vërtetë, jo vetëm pse, si të korruptuar, nuk e duan barazinë e njerëzve para ligjit, jo vetëm pse si grabitës të pasurisë, nuk pajtohen me fitoren e të drejtave të individit, por dhe pse, si përfaqësues të sistemit që perëndoi, ata duan të hakmerren ndaj shqiptarëve, që me aq entuziazëm mbështetën përmbysjen e madhe, fitoren e demokracísë. Ndoshta prandaj dhe shqiptarët mendojnë se në Shqipërí mungon ajo opozitë, që i duhet sot, sidomos këtij momenti historik, këtij fati që po i troket vendit në derë. Duket që edhe miqtë e sinqertë të Shqipërísë e kanë kuptuar këtë, prandaj, me gjithë “proçkat” që ka kryer kjo opozitë, sidomos gjatë këtyre dy viteve të fundit, ata përsërí nuk e kanë braktisur aspiratën integruese të këtij populli të pafajshëm. Ndaj, vetëm për t’i bërë mirë këtij populli, kësaj viktime të izolimit, perëndimorët po detyrohen t’i thonë edhe derrit dajë. Mirëpo Rama me neobllokmenët, që e kanë dhe amanet nga bunkerizuesi i madh i Shqipërísë, nuk duan të futen në rrugën e mbrothësísë, e cila do t’i barazonte ata para ligjit. Megjithatë, miqtë e sinqertë europianë e marrin me mend se sa e vështirë është në Shqipërí të krijohet një e majtë jokonfliktuale, konstruktive, patriote; një opozitë antikomuniste, për sa kohë nuk është “amortizuar” inercia e krimeve të komunizmit dhe për sa kohë hija e Sigurimit të Shtetit vazhdon të endet si vetë vdekja në vetëdijet e sakatuara të autorëve të diktaturës. Por, edhe kur shpirtrat e viktimave nuk janë qetësuar nga ndonjë ndjesë e sinqertë e mëkatarëve komunistë, sidomos kur dhe vetë këta të fundit nuk janë çliruar nga makthet e krimeve që kryen. Prandaj “opozita” aktuale lypset, në radhë të parë, të rilindë elektoratin e saj, duke e çliruar atë nga urrejtjet e paarsyeshme ndaj armiqsh imagjinarë dhe të kultivojë në shpirtrat e këtij elektorati respektin e dashurínë për viktimat, demokracínë dhe sukseset e arritura prej saj. Të kultivojë lumturínë për realizimin e aspiratave kombëtare; entuziazmin ndaj prioriteteve, që sjellin progresin e shoqërísë. Dhe nuk duhet të merret me llogaritë e përfitimeve të saj meskine prej reformave, as me forcimin e pozitave të saj nëpërmjet talljes me arritjet e demokracísë. Nuk duhet të ketë frikë kjo opozitë nga toleranca, mirëkuptimi, nga lëshimet, apo mbështetjet e prioriteteve, që synojnë interesin kombëtar. Kurse kjo opozitë po tregon një varfërí të frikshme vizionesh. Ajo po mbytet në dashurinë për veten, në një egocentrizëm ekstrem, në adhurimin e atyre që e frymëzojnë elektoratin si të urrejë e të mohojë gjithçka, që arrin demokracía. Ndoshta kjo frikë është dhe pasojë e asaj inercisë fatale të krimit të pandëshkuar komunist. Prandaj njerëzit shprehen se në Shqipëri nuk ka opozitë konstruktive, madje, dyshohet që këtu të ketë, bilé, edhe një opozitë reale! Se opozita nuk ka mision të mohojë, të rrëmbejë me dhunë pushtetin, të bllokojë reformat, të garantojë pushtetin e saj duke i mbyllur vendit dyert e integrimit! Përkundrazi! Opozita duhet të jetë edhe edukatore e elektoratit, edhe frymëzuese e tolerancës, e mirëkuptimit dhe e konsensusit! Kurse një opozitë si kjo aktualja, duket sikur është kundër vetë pluralizmit. Sikur është një fatkeqësí kombëtare! Ndaj dhe këtë duhet ta ndreqë, jo vetëm e majta, por e gjithë Shqipëría! Dhe ky nuk është një problem i vogël!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›