E Diel, 1 Nëntor 2026

Teknologjia e rrenave, një teknologji opozitare e dënuar për jetë të shkurtër

08-05-2012 / Nga Lavdrim Lita

Kanë mbetur në analet e gazetarisë tre lajmet e rreme të prodhuara nga shtabi i luftës mediatike i kreu të Partisë Socialiste. Fillon me stisjen e lajmit të “vjedhjes” së orës së presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush në Fushë-Krujë, pason me stisjen e lajmit të “nxjerrjes” së fëmijës nga barku i Griselda Roshi dhe e fundit është e shtëna e supozuar në stadiumin e Peqinit nga ana e deputetit demokrat Dashnor Sula. Të tri këto lajme në orët e para të stisje janë trafikuar në media si të vërteta të pakundërshtueshme. Të tre këto lajme në kohë të ndryshme kanë mbajtur gjallë për gati dy ditë debatin dhe opinionin publik mbi vërtetësinë dhe pavërtetësinë e lajmit.
Kuptohet vetiu që për “vjedhjen” e orës së Presidenti Bush u desh një makineri e fuqishme mediatike, një angazhim i rrufeshëm, një keqdashje strukturore për të pompuar “gënjeshtrën” e veshur me rrobat e vërteta derisa dhe media prestigjioze botërore e botuan pa e verifikuar. Ky lajm i stisur nga mendje perverse ishte sigurisht një hije, një njollë, që hidhej ndaj vizitës së parë të një presidenti amerikan në Shqipëri. Sigurisht, ky lajm nuk do të mund të zhvlerësonte shprehjen e z. Bush se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e afërt.
Për fabrikimin e çështjes Griselda dhe fryrjen e saj në qarqet ndërkombëtare u angazhua drejtpërdrejt këshilltari i Ramës, sekretari për rininë Erjon Veliaj, që dërgoi rreth 100 e-mail-e në kancelaritë ndërkombëtare për të njoftuar se në një zonë ku fiton gjithmonë PD-ja dhe Sali Berisha është hapur barku i gruas së Kryebashkiakut socialist të Kavajës. Tendenca për të njollosur qeverinë Berisha me gjakun e Griseldës u zbulua më pas, kur në një interpelancë të europarlamentares znj. Tanja Fajon, delegacioni shqiptar në Bruksel u gjend përballë akuzave monstruoze. U desh sqarimi i përfaqësuesve të PD-së dhe ulja e kohës e deputetëve të PS në delegacion për të bërë të ditur se gjithçka kish qenë një çmenduri nga ana e Griseldës. Ndërsa letra elektronike e Erjon Velisë trafikuar si një e vërtetë e pamohueshme ishte, në fakt, një dezinformim që synonte prapavijën politike të çmendurisë. 
Ndërkaq, lajmi i fundit se deputeti demokrat Dash Sula ka qëlluar me pistoletë në stadium, në ndeshjen Shkumbini-Flamurtari, që zhvillohej në Peqin është sipas të gjitha gjasave një stisje sipas modelit të mësipërm. Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje, duke mohuar të ketë qëlluar me pistoletë në stadium. Ai ka thënë se po i keqpërdoret emri i tij, gjë që ndodh gjithmonë, sipas tij, kur ka incidente në stadium. Edhe Ministri përgjegjës për Sportin, Z. Bumçi deklaroi se e gjitha kjo është një stisje, “një mashtrim i Ramës”.
Padyshim këto të tre lajme të rreme patën një sukses modest në media për shkak se bazoheshin mbi gjysmë të vërtetat. Është gjysmë e vërtetë fakti që presidenti Xhorxh Bush nuk ia vodhën orën në Fushë-Krujë por sipas pamjeve të kanalit amerikan NBC presidenti amerikan e heq orën dhe e fut në xhepin e pantallonave. Për Griseldën gjysmë e vërteta është se kreu i PS-së bashkë me bashkëshorten shkuan direkt në Kavajë për t’u solidarizuar me Elvis, Ervis, Ervin Roshin, me profesion të fundit Kryebashkiak, që kishte të bënte me vajzën që stisi shtatzëninë, rrëmbimin dhe heqjen e fëmijës. Për deputetin demokrat gjysmë e vërteta është se dihet pasioni i tij për skuadrën e futbollit të Peqinit, prandaj fabrikimi i lajmit për të shtënat me armë në dhomat e zhveshjes ngjan i besueshëm në dukje.
Megjithatë këto tre raste dëshmojnë për patologjinë politike për të dejonizuar kundërshtarin me të gjithë format, përpos votës. Me votë, Edi Rama, e ka pasur të vështirë të demonstrojë një superioritetet, prandaj është në opozitë prej 7 vitesh. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›