E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eutanazia, përtej një debati të papritur etik

ISUF KALO

Befas ajo u shfaq edhe te ne, në median tonë. Fjala është për eutanazinë, ose vdekjen e mirë. Ideja dhe debati për të i erdhi papritur mjekësisë sonë. Them kështu sepse ajo, në këta 20 vjet, pavarësisht nga ngjyrat rozë apo blu të qeverisjes, është e përfshirë pandashmërisht në një proces reformues me ritëm marramendës, me synimin që të kapte kohën e humbur për tu rimodeluar sipas sistemeve shëndetësore moderne europiane: sistemit të trashëguar të modelit sovjetik iu adoptua një strategji e re zhvillimi, një sistem i ri ligjor rregullator, një sistem i ri financimi, një treg i lirë konkurrues shërbimesh shëndetësore, një platformë e re të drejtash për të sëmurët dhe konsumatorët, teknologji moderne diagnostikimi e ndërhyrjesh terapeutike bashkëkohore, medikamente të reja me efikasitet të lartë të munguara më parë, një sistem i ri i edukimit e kualifikimit të vazhdueshëm profesional mjekësor e infermieror, organizim i ri i profesionistëve në Urdhra e shoqata, si leva ndihmëse të sistemit, një set i ri standardesh matës të cilësisë, të mekanizmave të  përmirësimit të performancës së qendrave shëndetësore, u formuluan për herë të parë me metodologji të 115-të udhërrëfyesit dhe protokollet e praktikës më të mirë klinike, rikonfigurim i rrjetit ekzistues shëndetësor sipas kushteve të reja të morbozitetit dhe demografisë, si dhe një hapësirë e re bashkëpunimi rajonal europian e botëror në rrafshin profesional akademik e shkencor. Lista është edhe më gjatë se kaq, por duhet të jesh i verbër të mos vëresh që mjekësia jonë është tepër e zënë për të realizuar mekanizma të rinj të domosdoshëm që i kanë munguar për një kohë mjaft të gjatë.
Esencialja që nuk shihet me sy
Nuk është çudi që ata që e shohin mjekësinë nga jashtë pa qenë në dijeni të esenciales që po ndryshon në brendësi të saj, mund që naivisht ta paragjykojnë ose keqinterpretojnë atë. Për më tepër, ndryshime të tilla janë si farëzat e një bime të re të sapombjellë, lulet e frutat e dukshëm të së cilës nuk dalin, as piqen menjëherë. Sent Exybery pat thënë se esencialja nuk shihet me sy, atë mund ta shikosh vetëm me zemër. E thënë ndryshe, shqetësimet sfidante dhe ndryshimet e mjekësisë sonë duhet së pari të duash ti shohësh. Ato në të vërtetë janë të shumta, të mprehta dhe jo të lehta. Megjithatë, ndër to thelbësore janë vetëm dy: shëndeti sa më i mirë dhe jeta sa më e gjatë e sa më e plotë e qytetarëve. Ndërkohë, me të drejtë qytetarët kërkojnë prej mjekësisë sonë që ato të ndodhin e të konkretizohen sa më parë.
Në rendjen pas reformave drejt ambicieve dhe kërkesave të reja nga qytetarët ndaj saj, mjekësia kudo në botë, ashtu dhe në vendin tonë, është pashmangshmërisht vonë.
Prandaj ideja dhe debate për eutanazinë, të importuara te ne në këtë fazë me axhendë dhe plane të ngjeshura reformimi, tingëllojnë të papritura e disi të çuditshme. Madje edhe të dëmshme. Sepse ato tentojnë ta devijojnë atë drejt një objektivi të ri vantozo – luksoz: eutanazisë, apo e thënë shqip, vdekjes së mirë, ose në formë të romanizuar: vdekjes me dinjitet.
Vdekje e mirë, apo vrasje e mirë?
Në debatin e mediatizuar të eutanazisë, për fat të keq, thelbi i vërtetë i saj po i fshihet ose tjetërsohet publikut duke e ambalazhuar atë në mënyrë sipërfaqësore si një të drejtë të pacientëve për të zgjedhur mënyrën më dinjitoze të fundjetës së tyre. Realisht fjala është jo për një vdekje të mirë, por për vrasje të mirë.
Dhe për habi, këtë vrasje kërkojnë ta bëjë mjekësia tonë!!! Konkretisht, kërkojnë që ajo ta bëjë atë pjesë të detyrave dhe të misionit të saj!! Pra, nga një shkencë, profesion, mision dhe tempull shprese e shëndetit dhe jetës duhet të bëhet tash e tutje e tillë edhe për vdekjen. Asaj i kërkohet ta kryejë vrasjen e dëshiruar prej të sëmurit ose familjarëve në dy mënyra: ose aktivisht me një gjilpërë kur ai është i pashpresë, ose pasivisht duke i hequr tubat dhe ndërprerë serumet e kota torturuese, pra duke i ndërprerë atij ndihmën e cila e mbante deri në atë çast gjallë, pra, duke e lënë kështu vetvetiu të vdesë.
Origjinalitetin e këtij soji të ri vetëvrasje – vrasje jo të zakontë e përbëjnë tri veçori. E para, sepse ajo do të kryhet me kërkesën e viktimës ose me bekimin e familjarëve; e dyta, sepse ajo do të kryhet jo nga kriminelët vulgarë e të pashpirt, por nga bluzat e bardha të nderuara si fisnike e humane; dhe e treta, se ndryshe nga gjithë llojet e tjera të vrasjeve, vrasja do të jetë e sherbetosur apo e bekuar me ligj.
Për ata që nuk janë të njohur me termin dhe konceptin e eutanazisë, sqaroj se partizan të saj kërkojnë që në rastet kur është bërë e pamundura për shpëtimin e jetës dhe mjekësia ka humbur shpresat për ta mbajtur ose rikthyer në jetë pacientin, pra kur çdo tentativë në këtë drejtim shpallet e kotë ose thjesht vazhdim i një gjendjeje torturuese, nëse pacienti vetë ose familjarët e afërt të tij kërkojnë që ti jepet fund jetës, atëherë duhet të autorizohet me ligj që mjekësia të kryejë një mision të ri, të panjohur deri vonë në veprimtarinë shumëshekullore të saj: ta ndihmojë pacientin që tu japë fund vuajtjeve duke e vdekur (vrarë) atë, pra duke e hequr qafe atë nga kjo botë më herët, më shpejt dhe më mirë!
Mëshirëmëdhenj të pamëshirshëm
Partizanët e eutanazisë i frymëzon mes të tjerash edhe fakti që dy vende perëndimore në Europë dhe dy shtete në SHBA e kanë ligjëruar (me disa kondicione) eutanazinë për tu zbatuar në rastet kur ajo kërkohet. Ajo që ata nuk thonë është që këto dy vende europiane (ndofta rastësisht) dallohen edhe për numrin më të madh të pedofilëve.
Ndërkohë nuk di përse nuk përfillin faktin që mbi 51 vende të tjera të Europës dhe 48 shtetet e tjera të SHBA-ve e kanë konsideruar të paligjshme, pra dhe të dënueshme atë. Dhe natyrisht, e tillë është ajo edhe në vendin tonë.
Interesante është që kjo advokaci dhe lobim nga ana e mëshirëmëdhenjve që nuk durojnë dot vuajtjet e kota të të sëmurëve terminalë, bëhet për tia ngarkuar këtë mision vrastar pikërisht mjekësisë, kur fare mirë dihet që jo vdekja, por e kundërta e saj, jeta, janë esenca e etikës, ekzistencës dhe veprimtarisë së saj. Përse nuk kërkohet që ky akt paradoksal të kryhet nga sektorë të tjerë të ligjëruar që të marrin jetë njerëzore me mjete gjithfarësh: zjarri, injeksione toksike apo elektricitet çdo herë që e kërkon drejtësia dhe interesi shoqëror? Përse nuk kërkohet që këtë akt  shpëtues të vuajtjeve ta kryejnë ligjërisht vetë familjarët, që pa dyshim, e duan të sëmurin që po torturohet më shumë e më sinqerisht se çdokush tjetër?
Adresë e gabuar
Në fakt, në disa aspekte, ky debat, ndoshta pa e menduar, preku disa nga vlerat e shenjta etike të profesionit mjekësor. Sepse u kërkua të ruhet dinjiteti i të sëmurit që po vdes me çmimin e shpërfilljes së pamëshirshme të dinjitetit të profesionit mjekësor, i cili pa ndërprerje përballet dhe sfidon pikërisht vdekjen. Duke i kërkuar atij absurden: të tjetërsohet etikisht.
Aty u fol për shpëtimin e pamundur pa llogaritur që pikërisht e mundura në të pamundurën është motivi që e shtyn shkencën mjekësore në sfida të reja të pandalshme të saj. U fol për të sëmurët e pashpresë kur pikërisht shpresa përbën magjinë e besimit jo rrallë të verbër të të sëmurëve ndaj këtij profesioni human. Pa të si do ti tërheqë ai brezat e ardhshëm të mjekëve në sfidat mikluese thuajse mitike të tij?
Dhe u shpërfill fakti që mjekësia jonë, pas një periudhe të gjatë tranzicioni, e ka ende jo përfundimisht të ristrukturuar profilin etik dhe relacional me të sëmurët dhe popullatën, të cilët i duhen sot më shumë se kurrë për të rifituar besimin përkohësisht të lëkundur të tyre ndaj saj. Ky mekanizëm i ri i ligjëruar vrastar që duan me ligj tia lënë në dorë, a n

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›