Antiterrori drejt Kosovës

Borxhi duket se nuk është pista e vetme për të cilën po heton policia shqiptare
TIRANË - Zhdukja e shtetasit kosovar Ismet Kryeziu shtyn policinë shqiptare të hetojë drejt Kosovës jo vetëm në pistën e borxhit që ai mund t’i kishte një biznesmeni vendas, por edhe në drejtime të tjera. Burime të rezervuara thanë për “Korrierin”, se dy ditë më parë, dy agjentë të antiterrorit janë nisur drejt Kosovës, ku pritet të marrin kontakte me miq dhe të afërm të një prej aktivistëve kryesorë të UÇK-së, i cili u zhduk në rrethana misterioze rreth 10 ditë më parë. Sipas burimeve, mësohet se hetimi i antiterrorit shqiptar në Kosovë nuk ka si qëllim kryesor vetëm pistën e borxhit, së cilës i është mëshuar kryesisht ditët e fundit. Ekspertët shqiptarë të specializuar në luftën kundër terrorizimit pritet të marrin në pyetje gjithë personat me të cilët Ismet Kryeziu kishte pasur kontakte kohët e fundit, duke zbehur disi pistën e borxhit të pashlyer, i cili logjikisht nuk mund të hetohet nga antiterrori. Vetë prania e agjentëve të një profili të tillë, lë të kuptohet se zhdukja e Ismet Kryeziut mund të jetë bërë për arsye të ndryshme, duke mos përjashtuar as pistën e rrëmbimit të tij për shkak të aktivitetit patriotik dhe politik që kishte. Ky fakt përforcohet edhe nga miq dhe të afërm të Kryeziut, të cilët kanë deklaruar se ai kishte pasur një rol të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës, si dhe në politikën aktuale të shtetit të ri kosovar. Në të njëjtin përfundim arrijnë edhe persona që kanë pasur dijeni për veprimtarinë e Kryeziut kryesisht në Shqipëri. Fatos Klosi, ish-drejtues i Shërbimit Informativ Kombëtar, në një intervistë për “Korrierin” tha se emri i Kryeziut nuk ishte i padëgjuar për të, por nga ana tjetër hodhi poshtë një lidhje të mundshme mes rrëmbimit të Remzi Hoxhës rreth 13 vjet më parë, dhe zhdukjes në rrethana të mistershme të një prej figurave më të njohura të UÇK-së pak ditë më parë. Në të njëjtën linjë duket se janë edhe familjarët e Ismet Kryeziut, të cilët përjashtojnë kategorikisht borxhet si pistën e zhdukjes së tij. Anila Leli, bashkëshortja e Ismetit, tha për “Korrierin”, se historia e borxhit është një gjë e fëlliqur që përdoret për të mbuluar të vërtetën, të cilën duhet ta gjejë policia. Ajo deklaroi se herën e fundit që kishte shkuar po në polici, u ka bërë me dije uniformave blu edhe dyshimet që ajo kishte mbi zhdukjen e të shoqit. Ndoshta këto të dhëna kanë detyruar drejtues të Policisë së Shtetit që të dërgojnë drejt Kosovës agjentë të antiterrorit, të cilët me ndihmën edhe të policisë kosovare do të marrin në pyetje të gjithë personat me të cilët Ismet Kryeziu ka pasur komunikim kryesisht kohët e fundit.
Më 15 nëntor, rreth orës 18:00, Ismet Kryeziu largohet nga banesa e vjehrrit të tij, për t’u takuar me një të njohurin e vet. Që nga ai moment, Kryeziu, i njohur si një nga aktivistët kryesorë për çështjen e Kosovës, nuk kthehet më në banesë, duke detyruar të afërmit e tij të denoncojnë zhdukjen në polici. Blutë e kryeqytetit, në bashkëpunim me prokurorinë, për më shumë se 10 ditë nuk kanë arritur ende në një përfundim të saktë mbi motivet e zhdukjes së 54-vjeçarit, i cili ndodhej në Shqipëri për vizitë tek familjarët e bashkëshortes së tij.
Anila Leli: Policia të gjejë të vërtetën
Bashkëshortja e Ismet Kryeziut tha për “Korrierin”, se borxhet nuk kanë aspak lidhje me zhdukjen e tij. “E vërteta e kësaj çështjeje është diçka tjetër, të cilën duhet ta gjejë policia”, - tha Anila Leli, e cila hodhi dyshimin se zhdukja e Ismetit mund të jetë bërë për shkaqe më madhore. Duke folur për borxhin, ajo deklaroi se kjo është një histori e fëlliqur për të mbuluar të vërtetën. Dyshimet për të vërtetën që fsheh zhdukja misterioze e Ismet Kryeziut tashmë i janë bërë prezentë edhe policisë së kryeqytetit, e cila në bashkëpunim me prokurorinë dhe struktura të tjera po heton çështjen në fjalë, por ende pa asnjë rezultat pozitiv.